Gjuha e përdorur, sidomos fjala, “klloshar” nga Ismet Beqiri, ndaj qytetarit që ishte i zhgënjyer për kaosin e krijuar në rrugën e Koshares, ishte gjuhë e drejtuar ndaj të gjithë atyre që kishin shqetësim të njëjtë, sikur qytetari i ofenduar, por krenar që ishte në Koshare. Reagimi i qytetarit që nuk po e njohim, ishte plotësisht i drejtë, ngase ishte kaos i krijuar nga pa aftësia menaxhuese e Ministrisë të cilën e drejton bashkëpartiaku i Beqirit. Të përdorësh gjuhën “klloshariste apo rrugaçësh”, siç kishte përdor në Koshare, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, ish kryetarit të Komunës së Prishtinës, ndaj qytetarëve që kishin shkuar të nderojnë lavdinë e gjithë pjesëmarrësve të Betejës së Koshares, atyre që janë të gjallë dhe atyre që falën jetën për këtë vend, është gjuhë që e njohin vetëm ata të sojit të njëjtë.
Për fyerjen e bërë ndaj qytetarëve nga i nderuari deputet, Ismet Beqiri, duhet të reagojnë edhe kryetari i partisë së tij, kolegët nga i njëjti grup parlamentar, por edhe gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ngase vota qytetare i ka bërë anëtar të institucionit më të lartë vendimmarrës. Ofendimi i qytetarëve, këtë rast edhe mua, është ofendim ndaj ngjarjes, ndaj jetëve të atyre që ishin të vendosur nëpër varret e lavdishme të lirisë. Pjesëmarrja aq masive e qytetarëve në këtë përvjetor, duke ecur këmbë me kilometra të tërë, ishte nderim ndaj luftës së shenjtë për Liri dhe Pavarësi të Kosovës, të prirë nga lideri ynw historik, dr. Ibrahim Rugova. “Klloshari” i Ismet Beqirit, sikurse shumë të tjerë, kishin shkuar këmbë deri te Vendi i lavdisë, e jo me makina siç kishin shkuar, “Kllosharistët e vërtetë”. Ashtu siç kishim shkuar ti rikujtojmë luftëtarët e lirisë, ashtu edhe ishim kthyer, duke mos qenë pjesë e “ahengut”, në Restorantin aty afër, siç ishin shumë prej atyre që kishin shkuar me makina luksoze dhe për karrierë të tyre politike. Qytetarët pjesëmarrës në shënim të “Betejës së Koshares”, nuk ishin rrugaç, por nderues për veprën madhore të djemve dhe vajzave që ishin me armë në dorë, për thyerje të kufirit ndarës mes vëllezërve. Ismet Beqiri (klloshari) dhe tjerët si Ai, si presidenti, kryeministri…nuk kishin ecur nga qejfi nëpër atë turmë makinash, por nuk kishin zgjidhje tjetër, ose të flinin në makinat e tyre zyrtare. Ne, “qytetarët klloshar”, ishim me makina private, me shpenzime të familjeve tona, ndaj edhe ecnim këmbë, sepse ishte gjaku i derdhur në Koshare, që na jepte forcë në kalim të kilometrave të rrugës deri në vendin ku prehët Sali Çekaj, Agim Ramadani dhe trimat tjerë përkrah tyre. Ismet Beqirit duhet të kërkon falje publike, ose me gjestin e tij, tregon se është “Klloshari i vërtetë”…!