MSc. Adem Lushaj

MSc. Adem Lushaj: Jo presion, por zgjidhje të qëndrueshme!

Ka kohë që po bëhet presion në institucionet komunale për zbatimin e Vendimit të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin i falën afër 24 hektarë tokë publike, manastirit të Deçanit. Ky presion që bëhet për regjistrim të pronave publike të ndërmarrjeve APIKO dhe ILIRIA, në emër të  manastirit të Deçanit, nuk mund të cilësohet ndryshe pos si presion që i bëhet vullnetit të qytetarëve, presion që është kundër zhvillimit ekonomik dhe zbatim të vendimit të Qeverisë vrasëse të Serbisë.

Ndaj, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” (SHIP) në Deçan, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj për presionin që i bëhet ekzekutivit komunal, përkatësisht kryetarit të Deçanit, presion i ardhur nga faktori ndërkombëtarë. Kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e konsiderojmë kërkesë për legalizimin e vendimit të Qeverisë së Millosheviçit, vendim që i fali manastirit të Deçanit, pronat e ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA.

Si faktori ndërkombëtarë, ashtu edhe vendor, duhet ta kuptojnë se, për NE, manastiri është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe resurs i rëndësishëm turistik, nga i cili mund të gjenerohen të hyra.

Nuk duhet harruas se janë shqiptarët ata, që historikisht e kanë ruajtur dhe mbrojtur këtë objekt kulturo-turistik. Por, është për keqardhje që institucionet e kultit fetar ortodoks, e sidomos Kisha Ortodokse Serbe e Kosovës, është e përdorur nga regjimi i Millosheviçit, për qëllime politike antishqiptare, e fatkeqësisht, kjo politikë urrejtëse po vazhdon edhe sot.

Në vazhdimësi e kemi thënë,  se nuk jemi kundër manastirit e as kundër institucioneve tona të drejtësisë, në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, janë deçanasit që çdoherë kanë përfillë institucionet e saja dhe kanë qenë të vendosur në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe tërësisë territoriale.

Por, nuk mund të qëndrojmë të heshtur kundër vendimit politik që është marrë në rastin e pronave publike të komunës sonë. Nuk mund të heshtim karshi vendimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese e cila ka legalizuar vendimin diskriminues të regjimit të Millosheviçian. Ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë votuar këtë vendim, jo vetëm që i kanë vënë vetes një njollë turpi, por edhe kanë nxitur një tension të dëmshëm në mes të manastirit dhe popullsisë vendase. Këta votues të këtij vendimi antikushtetues, kanë nxit urrejtje ndërnacionale dhe ndërfetare.

Ish kryetarja e kësaj Gjykate, Arta Rama Hajrizi, sikurse edhe kryetarja aktuale Gresa Caka Nimani, si dhe të gjithë ata gjyqtarë që nën ndikimin e politikës e kanë votuar këtë vendim, do mbahen në mend në Deçan, si noter të vendimeve të Millosheviçit.

Në këtë rast, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në Deçan shpreh indinjatën e thellë ndaj zgjedhjes së Gresa Caka Nimani në krye të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si njëra ndër anëtaret që ishte kundër kërkesave të qytetarëve, për mos legalizim të vendimit diskriminues të Qeverisë gjenocidiale të Serbisë.

Jemi të zhgënjyer dhe indinjuar që po vazhdon avazi i vjetër i vendosjes në krye të institucioneve të drejtësisë, personave pa kredibilitet profesional. Jemi kundër vendosjes së personave që nuk iu ka mbet pikë morale të deçanasit, ngase i konsiderojmë si persona që janë të gatshëm të shkelin mbi dinjitetin e popullit, duke legjitimuar vendime diskriminuese të regjimit serbo-sllav. Nëse institucioni më i lartë e drejtësisë, punon nën diktatin e politikës, nuk ka si të jetë institucion i besueshëm për qytetarët. E, aq më keq nëse ka në mesin e anëtarëve të Gjykatës, persona të dënuar për korrupsion.

Me qëllim të zgjidhjes së qëndrueshme, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, i bën thirrje faktorit politik vendor e ndërkombëtar, si dhe personelit të manastirit të Deçanit, që të angazhohen seriozisht për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjithë!

 

MSc. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në Deçan

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …