leoni

Adem Lushaj

MSc. Adem Lushaj: KFOR-i nuk duhet të heshtë përballë gënjeshtrave të Sava Janjiq!  

Federata paneuropiane e trashëgimisë kulturore, “Europa Nostra”, e paska përfshirë Manastirin e Deçanit, në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore. E njëjta, në vitin e kaluar, manastirin e Deçanit e kishte vendosur në mesin e 12 monumenteve më të rrezikuara. Çka do thotë se, sipas vlerësimeve të kësaj organizate, nuk do shkon kohë e gjatë dhe manastiri do del në vendin e parë, si monument i rrezikuar!

Ky vlerësim i kësaj organizate, qenka mirëpritur nga Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, sipas të cilit, ky rangim do e kthejë vëmendjen drejt këtij objekti fetar, për mbrojtjen e tij. “Jam shumë i nderuar që Manastiri i Deçanit është në listën e shtatë objekteve më të rrezikuara. Jam thellësisht i bindur se do të kontribuojë ndjeshëm në mbrojtjen e trashëgimisë sonë të pacenueshme në Kosovë dhe do të rrisë ndërgjegjësimin se, trashëgimia kulturore ka për qëllim të na bashkojë më shumë, se sa të na largojë”, paska thënë Janjiq.

Pa dashtë të paragjykojmë apo të lëshohemi në vlerësimin rreth veprimtarisë së saj, EUROPA NOSTRA e paska përkrahë propagandën e politikës së Beogradit dhe të Kishës ortodokse serbe, politikë tashmë të njohur kundër popullatës së Deçanit dhe institucioneve të saja. Ky vlerësim i bërë për rrezikimin e monumentit kulturor deçanas, del të jetë në përkrahje të propagandës së vazhdueshme serbe, që t’i arrij qëllimet politike të Serbisë, që i synojnë për vite të tëra.

Sipas vlerësimit të kësaj organizate, po del se manastiri qenka i rrezikuar nga ushtarët paqeruajtës të KFOR-it ose qenka i rrezikuar nga vetvetja, nga inskenimet që janë specialitet i Sava Janjiq!

Ky vlerësim aspak real dhe i dëmshëm për të gjithë, në mënyrë të drejtpërdrejtë e godet NATO-n. I godet forcat paqeruajtëse ndërkombëtare. Godet KFOR-in. Mirëpo, edhe heshtja e këtyre forcave paqeruajtëse që për vite janë rreth manastirit, mund të jetë e “rrezikshme”. Mund të jetë e qëllimshme! Heshtja e tyre ishte prezentë, edhe në të kaluarën. Kishin heshtur edhe në rastin e djegies së objekteve të Fabrikës së mjaltit APIKO. Kishin heshtur edhe në rastin e rrënimit të shtëpive private. Kishin heshtur edhe në rastin e shkruarjes së grafiteve. Kishin heshtur, edhe në rastin e varrezave. Kanë heshtur edhe në shumë veprime tjera të cilat ishin inskenime të politikës së Janjiqit. Bazuar në këtë, Sava Janjiq dhe politika serbe, nuk kanë besim në KFOR-in. Apo, synimi i Janjiq dhe heshtja ndërkombëtare, është më larg!?

Mirëpo, një gjë duhet ta kuptojnë propaganduesit, qofshin edhe të “Europa Nostra” apo edhe vet forcat paqeruajtëse ndërkombëtare. Manastiri i Deçanit nuk mund të ruhet nga askush tjetër, pos nga deçanasit dhe institucionet e tyre. Këtë objekt kulturor, nuk janë duke e ruajtur forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, por qytetarët e Deçanit. Ky objekt i trashëgimisë kulturore dhe resurs i rëndësishëm turistik, gjithmonë është ruajtur nga deçanasit.

Sava Janjiq, si një politikan i fshehur nën petkun klerik, duhet të hjek dorë nga propagandat e dëmshme, ngase nuk i bëjnë nder askujt. Nuk i bëjnë nder, as manastirit.

Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar. Manastiri i Deçanit është resurs i respektuar nga popullata shqiptare në Deçan. Është objekt i trashëgimisë kulturore dhe resurs turistik, që mund të sjellë zhvillim për komunën e Deçanit.

Institucionet vendore e ndërkombëtare, duhet të reagojnë ndaj kësaj propagandës serbe me prapavijë politike dhe të dëmshme për Republikën e Kosovës. KFOR-i duhet të deklarohet për gënjeshtrat e Sava Janjiqit dhe politikës së Beogradit. Apo, të tregojnë se cila është fshehtësia e heshtjes! Duke u nisur nga e kaluara, në çdo kohë mund të ketë inskenime të reja nga Janjiq!?

 

(MSc. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në Deçan)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …