Adem Lushaj

Msc. Adem Lushaj: Mos e fyeni mësuesin, mos e fyeni prindin tim!

Po shkruaj nga thellësia e shpirtit, ngase disa individë po shkruajnë kundër mësuesit, që do thotë, edhe kundër prindit tim. Po ndjehem keq kur lexoj reagime, që janë kundër mësimdhënësve, e këta reagues ishin nxënësit e prindit tim.

Prindi im, apo mësuesi i shumë gjeneratave, ka treguar se më e rëndësishmja për të, është edukimi dhe arsimimi. Prindi im si mësues, asnjëherë nuk bëri dallim te nxënësit e tij. Nuk bëri dallim, nëse ishte i varfër apo i pasur. S’bëri dallim, nëse ishte i afërm apo i largët. Nëse ishte djal i “hyqymetit” apo bujkut.

Prindi im si mësues i këtyre që po e fyejnë, iu tha JO, parave të shtetit të dhunshëm serbo-sllavë. Prindërit e këtyre që po shkruajnë, apo edhe vet këta, bënin edhe biznes në kurriz të popullit të vet. Kishte të tillë që kishin “luksin”, edhë në hotelet më të njohura të Beogradit.

Prindi im, si gjithë mësuesit tjerë, u rreshtuan përkrahë atyre që shihnin si mjet të duhur për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, edhe armën. Edhe prindi im, ka mundur të mos jetë mësues kësaj kohe, sikurse që ishin flijue shumë mësimdhënës, kolegë të prindit tim.

Gjithë mësuesit, edhe prindi im, është i gatshëm të punon dhe sakrifikon, sërish për vendin e vet. Viteve më të vështira, gjithë mësuesit (së bashku me prindin tim), e ndajshin kafshatën, për të ndihmuar tjetrin.

Prindi im, si mësues i këtij vendi, nuk po kundërshton për pagë, por kërkon dinjitet, kërkon barazi në shoqëri. Mësuesit (edhe prindi im), nuk janë kundër shtresës së  varfër, por kundërshtojnë “shtresën e lartë” të shoqnisë së sotme. Po kërkojnë që arsimi të jetë prioritet në politikën shtetërore, e jo të përkrahet krimi dhe korrupsioni. Prindi im si mësues, po thotë ta zhvillojmë vendin, e jo ta instalojmë zhgënjimin në fytyrat e qytetarëve.

Edhe unë, si njëri nga fëmijët e mësuesve, kam nevojë të jetoj. Kam nevojë të shkollohem, e të punësohem. Të krijoj familjen time, që është e natyrshme.

Si mund të pajtohem, kur kolegu i klasës, i cili mezi kalonte, të shkollohet në institucionet më të shtrenjta, ngase prindi i tij, ka pozitë politike apo është bos i krimit?!

Çfarë ndjenje është kur kolegu im i studimeve, pa përfunduar ato, zënë vend të pa merituar në institucionet më të larta publike?!

Çfarë ndjenje është kur prindi im, mësuesi i atyre që shëtisin me makina të shtrenjta, nuk është në gjendje të paguan as biletën time të autobusit?!

A kam të drejtë të jetoj, të shkollohem, të punësohem, sikur fëmijët e presidentëve, kryeministrave, kryeparlamentarëve,…si të bosëve të shtetit?!

Prindi im, si gjithë mësuesit e këtij vendi, janë kundër favorizimeve të pozitave politike, kundër privilegjeve të individëve apo grupeve, që po shkatërrojnë këtë vend. Prindi im, si gjithë mësuesit tjerë, është i gatshëm të sakrifikon për nxënësit e tij, për vendin e vet. Por, kërkon dinjite!

Ndaj, mos i fyeni mësuesit, mos e fyeni prindin tim!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …