Me rastin e turnit treditor të “Muzave të Alpeve”, të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “TEUTA”, në përbërje të së cilës janë shkrimtar të shquar nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. (Shkrimtarit të shquar nga Kosova, Nazmi Rrahmani, i ndahet çmimi i karrierës nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”
Turni treditor i shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, pasi kishte filluar në Gjakovën historike, ishte nisur drejtë qytetit turistik-bregdetar të Ulqinit, e më pastaj në Krujën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Në Gjakovë shkrimtarët pos që kishin promovuar librin e “Përtej shpresës-Amfora” të shkrimtarit malazias Dimitrov Popoviç, e ku merrnin pjesë edhe zv. ministrja e Ministrisë së Kulturës, Burbuqe Deva Bakija dhe nënkryetari i komunës, Ramadan Hoti, vizituan vendet e trashëgimisë kulturore të Gjakovës, e cila shquhet për monumentet e saj kulturo-historike.
Në Ulqin, në këtë qytet të bukurive bregdetare turistike, kishim gjetur mikpritjen ulqinake të vendësve, në mesin e të cilëve ishte kryetari i këtij qyteti, Loro Nrekiqi, ish kryetari Mehmet Bardhi, por edhe të ambasadorit tonë, ambasadorit të Kosovës në Malë të Zi, Skënder Durmishi.
Fillimisht, krijuesit pa dallim nacionaliteti, ishin ndalë në Galerinë e Arteve të Ulqinit, ku ishte prezantuar jeta dhe vepra e shkrimtarit të shquar Basri Çapriçi, i cili në janar të këtij viti (në moshën 58 vjeçare), kishte ndërruar jetë, duke lënë vepra të mëdha pas vetes. Shkrimtarët e pranishëm, pas një fjale të rastit nga Sali Bashota, njëri ndër bashkëpunëtorët e afërm të Çapriçit, kanë recituar poezi që i kushtoheshin themeluesit të PEN Qendrës në Prishtinë, ulqinakut që studioj dhe punoj në Prishtinë, tashmë të ndjerit Basri Çapriçi, i cili konsiderohet si njëri nga studiuesit më të mëdhenj të gjuhës shqipe. Kryetarja e Shoqatës “TEUTA”, znj. Ajete Beçiraj, pasi ka prezantuar qëllimin e bashkëpunimit ndërkufitar përmes kulturës dhe artit, prezantim i bërë edhe përmes një dokumentari, ka ndarë mirënjohje për Komunën e Ulqinit dhe familjen Çapriçi, në shenjë respekti dhe përkrahje, sikurse për kontributin jetësor të studiuesit Çapriçi, në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe. Për ti respektuar pjesëmarrësit e karvanit të shkrimtarëve, kishte dalë edhe kryetari i Ulqinit, i cili kishte shprehur një mirë se ardhje të përzemërt për të gjithë, duke thënë se aktivitetit kulturore që ndërlidhin popujt, janë çdoherë të mirëpritura, ngase miqësia e popujve fillon nga shkrimtarët dhe se manifestimet si “Muzat e Alpeve” miqësojnë njëri-tjetrin në jetën e përbashkët mes kulturave të ndryshme. Sikurse kryetari Nrekiqi, edhe ambasadori Durmishi, kishte thënë se shkrimtarët janë urëlidhës mes popujve, gjë që duhet vazhduar me aktivitete të tilla. Gjithnjë sipas tij, mungesa e komunikimit mes njerëzve është ajo që prodhon negativitet, mosnjohje, mospranim…të cilat i mbajnë distancat mes popujve gjithmonë aktive.
Mysafirët që flisnin gjuhë të ndryshme, në vazhdimësi ishin shoqëruar nga aktivistët e palodhshëm, Ismet Kallaba-kryetar i Klubit të intelektualëve të Ulqinit dhe shkrimtari Hajredin Kovaçi, të cilët tregonin se mikpritja shqiptare është prezentë në çdo pëllëmbë toke, ku shkelin dhe jetojnë.
Nuk ishte e lehtë të largohesh nga Ulqini i Hajro Ulqinakut dhe Basri Çapriçit, për të marrë rrugën drejtë qytetit tjetër shqiptar, në vendin e Kastriotëve, në qytetin e Krujës së pathyeshme. Aty gjetëm Kalanë krenare, kalanë e qëndresës historike. Jashtë dhe brenda saj, vinin e shkonin turistë nga shtete të ndryshme. Edhe pse kishin gjuhën e të folurit të ndryshme, qëllimin e kishin të njëjtë, të njihen nga afër me Krujën heroike, e të shohin Kalanë krenare që nuk ishte dorëzuar para sulmeve të shumta turke.
Në objektin e Bashkisë së Krujës, ishte hapur ekspozita me fotografi të Aleks Selimaj, i cili përmes fotove kishte pasqyruar bukuritë e Krujës. Aty ishte aktori i mirënjohur Xhevat Limani, i cili me monologët e tij, e me veshjen që karakterizonte të madhin Skënderbe, kishte mahnitur mysafirët që hynin e dilnin nga Kalaja, me përshtypje të papërshkrueshme. I mallëngjyer me pamjet e bukura të Kalasë, por edhe të artizanateve shqiptare të cilat prezantoheshin rrugëve të Krujës, është treguar edhe shkrimtari malazias, Mirash Martinoviç, autor i romanit “TEUTA”, njëherit edhe njëri nga fituesit e çmimit për veprën jetësore.
Madhështinë këtij turni treditor të shkrimtarëve, ia kishte shtuar prezenca e shkrimtarit të mirënjohur, autorit të shumë romaneve, njeriut të urtë dhe modest, Nazmi Rrahmanit, laureati i gjashtë i çmimit për vepër jetësore që ndahet nga “Teuta”. Se modestia është virtyt i njerëzve të “mëdhenj”, tregoj edhe autori i “Malësorja”, “Toka e përgjakur”,…i cili pranoj këtë çmim me një respekt të jashtëzakonshëm për gjithë pjesëmarrësit dhe anëtarët e “Teuta”, që kishin vendosur për ta nderuar atë. Gjatë dorëzimit të kësaj mirënjohje, kryetarja e “Teuta”, Ajete Beqiraj, është shprehur se kënaqësi e veçantë të pranohet nga shkrimtari ynë i mirënjohur, kjo mirënjohje që ndahet çdo vit për shkrimtarët e shquar që janë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Sipas Beqiraj, këto aktivitete dhe nderime për kulturën dhe letërsinë e popujve, nuk do ishte të mundshme pa përkrahjen financiare të institucioneve, si të komunave ashtu edhe të ministrive. “Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, duke konsideruar kulturën si një mekanizëm me ndikim të fuqishëm për zhvillimin demokratik të vendit, si dhe për ri-afirmimin e identitetit kulturor të Kosovës në rajon, si pjesë përbërëse e identitetit kulturor evropian, nuk është e rastësishme pse ka mbështetur manifestimin letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve”, ka thënë zyrtari i lartë për integrime i Ministrisë së kulturës, Albert Kurtulaj, që sipas tij, ky manifestim me shkrimtarët duhet të shërbejë si shembull edhe për shtetet e tjera të rajonit.