Monografia “Carrabregu-në gjurmët e historisë dhe traditës” të autorit, Arton Loshaj, është ndër të rrallat të shkruara deri më tash në Komuën e Deçanit. Kjo monografi, krahas asaj “Lluka nëpër shekuj” e Arif Molliqit, duhet të jetë shtytëse edhe për fshatrat tjera të kësaj komune, që do ishin ndër dokumentet më të rëndësishme të historisë, kulturës, lashtësisë, trashëgimisë, arsimimit dhe qendresës, ndaj çdo pushtuesi.
Në këtë monografi, autori e përshkruan historinë e fshatit Carrabreg, bazuar në dokumentet historike dhe arkeologjike, por edhe në gojëdhënat popullore. Loshaj në mënyrë të argumentuar ka bërë përshkrim të historisë, arsimimit dhe të zhvillimit, të kulturës dhe sportit, etnografisë, luftës dhe qëndresës kombëtare, të banorëve të fshatit të tij.
Gjithashtu, Loshaj ka përshkruar relievin e Carrabregut, përbërjen e tokës, klimën, ujërat, botën bimore dhe shtazore. Ka bërë shpjegime për toponimet dhe mikrotoponimet që gjenden në Carrabreg, gjë që nxjerrë edhe vjetërsinë e fshatit të tij.
Autori, fillimisht ka treguar për etimologjinë e emrit të fshatit Carrabreg, duke e përshkruar si një vend të lashtë në të cilin ka dominuar druri qarri. Etimologjia e emrit vjen nga fjalët “Qarri në breg apo Qarri n’breg”, që gradualisht ka ardhur deri te emërtimi “CARRABREG”.
Sipas dëshmive të prezantuara në këtë monografi, Carrabregu del të jetë një nga vendbanimet më të vjetra në territorin e Deçanit, së bashku me Lloçanin.
Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, autori i kësaj monografie, Arton Loshaj, ka punuar gjatë në hulumtimin dhe grumbullimin e të dhënave dhe dëshmive nëpër çdo periudhë dhe në të gjitha fushat e jetës, ku zënë vend edhe kulti i pritjes dhe bujarisë, traditës së mikpritjes dhe aspektet kanunore, deri te sporti, arsimimi dhe ngritja profesionale nëpër breza, aktivitetet politike e kombëtare të bashkëvendësve të tij dhe lëmitë tjera shoqërore. Këtë më së miri e përshkruajnë recenzentët e librit, të cilët i japin vlerësim të lartë punës dhe arritjes së dëshmimit të historisë dhe traditës së banorërve të këtij fshati nëpër shekuj, të autorit Arton Loshaj.
Në këtë monografi mësojmë për djemtë e Carrabregut që treguan trimëri kur e veshën uniformën e UÇK-së, kur u armatosën, kur luftuan përballë serbëve me atë pak armatim që e merrnin në Shqipëri. Këtu shkruhet për dëshmorët, për të gjallët, për të rinjtë, për të moshuarit. Shkruhet për jetën e re, për ndërtimet e reja të ndërtuara mbi gërmadhat që ishin cak i sulmeve serbe.
E veçanta e autorit është se nuk e harron as të tashmen, kur fshati i tij ka arritur zhvillime të mëdha, si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në jetën kulturore, biznesore, arsimimit, pluralizmit politik dhe në fushat e tjera që ndikojnë në mirëqenien qytetare dhe demokratizimin e shoqërisë.
Rrugën e Llukes dhe të Carrabregut, duhet ndjekur edhe fshatrat thera, duke lënë dëshmi të autoktonisë sonë në këto treva, të zhvillimeve nëpër kohë dhe historinë e vërtetë të Deçanit, duke mos ua lënë në dorë që historinë tonë ta shkruajnë të tjerët.
E vlerësimin më të mirë për punën e çmuar të Arton Loshaj, e jep redaktori i këtij libri, Esat Loshaj, ku thotë:
“Autori nuk sajon, por analizon dhe verifikon të dhënat mbështetur në ballafaqimin e dëshmive kryesisht shkencore dhe të arkivave, në caqet e supozimeve. Është si bleta e mirë që ka kërkuar, gjetur, grumbulluar me zell e kompetencë një fond të konsiderueshëm të dhënash”.