(Pse duhet investuar në resurset turistike në Deçan? Pse duhet ndërtuar rruga Deçan-Plavë? A mund të shndërrohet Bjeshka e Belegut në qendër të skijimit të përmasave botërore?)
Turizmi si një proces, me zgjerimin e vet zhvillimor, viteve të fundit është shndërruar në industri globale. Zhvillimi i turizmit është ngushtë i ndërlidhur edhe me resurset natyrore. Turizmi si një nga sektorët e rëndësishëm dhe me rritjen më të shpejtë ekonomike, ka parasysh edhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si parakusht për turizmin e qëndrueshëm. Pra, turizmi është një proces në vazhdim, i cili me zgjerimin e vet zhvillimor (gjatë viteve të fundit), është shndërruar në industri globale.
Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit përfshin përgjegjësinë sociale, një përshkrim të fortë ndaj natyrës dhe integrimin e njerëzve lokalë në çdo operacion apo zhvillim turistik. Zhvillimi i qëndrueshëm gjatë zhvillimit të vet, integron tre faktorë (komponentë) të qëndrueshmërisë: faktorin ekonomik, social dhe mjedisor. Turizmi mund të ketë ndikime ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore në komunitetet lokale dhe rajonale. Dhe, stimulon dhe ndryshon ekonominë. Sipas Programit të Bashkësisë Ndërkombëtare për Mjedis (United Nations Environment Programme) dhe Organizatës Botërore për Turizëm (The World Tourism Organization-UNWTO), investimet në turizmin e gjelbër dhe të qëndrueshëm, janë mjete për të krijuar vende pune. Për të zvogëluar varfërinë. Njëkohësisht, duke ruajtur mjedisin.
Deçani ka mundësi të mira për zhvillim të turizmit, sepse disponon me atraksione natyrore të begatshme. Ka veçoritë e dallueshme morfologjike, hidrografike, klimatike dhe elemente të tjera atraktive, të cilat e bëjnë Deçanin ndër hapësirat turistike më tërheqëse në rajon. Zhvillimi i turizmit në këtë komunë, mund të ketë ndikime ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore, në komunitetet lokale dhe rajonale, sidomos të atyre që kanë pronë në këtë zonë turistike (stanishtet e tyre).
Duke u bazuar në gjitha konditat apo parakushtet ekonomike, “Gryka e Deçanit” paraqet një bosht të mirë të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të Komunës së Deçanit, por edhe në nivel më të gjerë. Kjo Grykë, përfshinë bukuri të rralla natyrore, ndërsa përgjatë saj kalon lumi Lumëbardhi, i cili derdhet në lumin Drini i Bardhë. Përgjatë kësaj lugine kalon edhe rruga Deçan-Plavë, e cila më të drejtë konsiderohet si “arterie” e zhvillimit ekonomik. Pos kësaj, kjo rrugë konsiderohet edhe si një arterie e integrimit rajonal, Kosovë-Mali i Zi dhe Shqipëri. Kjo rrugë paraqet një mundësi të jashtëzakonshme e lidhjes së këtyre shteteve dhe zhvillimit rajonal.
Turizmi malor në Deçan fillon me lumin Lumëbardhi, që përshkon tërë Grykën e Deçanit, që nga burimi i tij. Veprimet turistike në Deçan mund të fillojnë me turizmin e bardhë (gjatë stinës së ftohtë) dhe të pasohet më turizmin e gjelbër, që zhvillohet gjatë stinës së ngrohtë. Në vazhdim do mundohemi të prezantojmë disa nga resurset që krijojnë mundësi për zhvillim të turizmit, qoftë masiv apo alternativ, edhe pse disa sosh janë të mbrojtura sipas Ligjit “Bjeshkët e Nemuna, Park Kombëtar”.
Bjeshkët e Belegut
Turizmi dimëror zë një vend të rëndësishëm, pasi që kjo komunë, posaçërisht Bjeshkët e Belegut, ofrojnë terrene të shumta dhe të përshtatshme hapësinore, natyrore e klimatike për zhvillimin e skitarisë. Shtigjet më të përshtatshme shtrihen në Bjeshkën e Kurvallës.
Sipas një studimi të bërë nga ekspertë kroatë (1985), terrenet në Bjeshkën e Belegut dhe Bjeshkën e Kurvallës kanë një hapësirë të favorshme për zhvillimin e turizmit masiv. Realizimi i projektit për “Qendrën e skijimit” në Bjeshkën e Belegut, si zonë turistike-rekreative-sportive, do prezantonte vlerat ekologjike-shkencore, edukative-arsimore, sportive, shëndetësore, turistike me interes të gjerë shoqëror, jo vetëm për Komunën e Deçanit, por edhe për regjionin.
Bjeshka e Belegut ka një potencial të madh për shtigje të skijimit, sepse ka hapësira të shumta për ngritjen edhe të shtigjeve të shkurtra, të mesme dhe të gjata. Instituti për Hulumtime të Turizmit në Zagreb, kishte punuar një plan detal për mundësitë e investimeve në stazat e skijimit në Bjeshkën e Belegut, që në vitet e 80-ta (1978). Mirëpo, për shkaqe të politikës së atëhershme, këto mjete janë stopuar, ngase ishte droja e integrimit fizik të shqiptareve të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit te Zi. Kështu që investimet e destinuara për këtë projekt, janë transferuar në Sarajevë, ishte ndërtuar Olimpiada e Sarajevës. Duke u nisur nga fakti se Kosova ka vetëm dy qendra të skijimit dhe të rekreacionit vendor (Brezovicën dhe Bogën), Bjeshkët e Deçanit do të ishin më të frytshme për zhvillimin e skijimit dhe sporteve të tjera dimërore. Sipas disa të dhënave statistikore, tregojnë se shtigjet skijimit në Deçan, janë dukshëm më të gjata se sa ato të Brezovicës dhe të Bogës. Kjo është dëshmuar edhe në vitin 2004, 2018 dhe 2019, kur në Bjeshkët e Belegut ishte mbajtur edhe “Kupa e Kosovës në skijim”. Insistimi i kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, për gjetje të mundësive në realizim të këtij projekti, është inkurajuese, ngase po jep dritën jeshile se zhvillimi i turizmit në Deçan, është domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Dervishkomi
Pozita gjeografike e kësaj hapësire jep mundësi për zhvillim të turizmit masiv dhe alternativ. Dervishkomi është rrafshlartë e cila gjendet në një lartësi mbidetare 2110 m. Kufizohet me Plaçicen e Vokshit, Gjeravicën, Luginën e Kurvallës, si dhe me Bjeshkën e Carrabregut dhe të Deçanit. Ka hapësirë afër 120 hektarë. Konfiguracioni i këtij terreni u jep mundësi edhe fëmijëve që të lëshohen shtigjeve të Dervishkomit, duke e bërë skijimin sport masiv, tërheqës dhe atraktiv për të gjitha moshat dhe kategoritë sociale. Një qendër e të tillë sportive do të mund shfrytëzohej edhe gjatë stinës verës për qëndrim dhe akomodim të vizitorëve bjeshkatarë. Pra, Dervishkomi është një resurs jashtëzakonisht me vlerë, ndaj kërkohet të hartohen projekte në detaje për shfrytëzim të këtyre hapësirave malore. Mbi të gjitha, kërkohen investime në infrastrukturën rrugore, të energjisë elektrike dhe ujit.
Kozhnjeri
Në Grykën së Deçanit, lokalitet i veçantë zhvillimor mund të jetë hapësira e ish-kazermës jugosllave në Kozhnjer. Ky lokalitet gjendet rreth 200 m, në pjesën perëndimore të hidrocentralit “Lumëbardhi”. Në këtë lokalitet mund të ndërtohen objekte hoteliere me kapacitete të mëdha strehimi, si dhe ekziston mundësia për instalimin ski lifteve për të gjitha drejtimet përgjatë të gjitha bjeshkëve të kësaj komune. Po ashtu, hapësirat përgjatë Grykës së Deçanit, me gjatësi (18 km) dhe gjerësi prej 300 metrash, mund të shfrytëzohen edhe për turizmin alternativ, sidomos për shëtitore, ngase ato vazhdojnë edhe përgjatë rrjedhës së Përroit Shqiptar, deri në Zallë të Rupës. Kozhnjeri mund të jetë një pikë kyçe e investimeve në shfrytëzim të resurseve natyrore që gjenden në Bjeshkët e Deçanit.
Jodova
Bjeshkët Vokshit, të përfshira në kompleksin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, gjinden në hapësirën në mes të Lumit të Lloçanit dhe të lumit Ereniku. Si vendet më tërheqëse për të zhvilluar turizmin janë: Jodova dhe Zharret, të cilat kanë kapacitete për turizëm masiv dhe alternativ. Jodova gjendet në pjesën qendrore të Bjeshkëve të Vokshit dhe ka një sipërfaqe ndërtimore prej 3.2 ha, që krijon mundësi të mira për zhvillimin e turizmit masiv. Ofron mundësi për ndërtime hoteliere-turistike, për akomodimin dhe ushqimin e vizitorëve (turistëve). Ky lokacion gjendet në mes të pyjeve halore të bredhit dhe hermoqit, ndërsa qasja mund të bëhet nga Juniku, përgjatë Grykës së Erenikut dhe nga Deçani, përgjatë Grykës së Lloçanit. Nga Jodova mund të vizitohen shumë monumente atraktive natyrore si: Kanioni i Erenikut (perlë hidrike), Kërshi i Jodovës dhe kompleksi i Gjeravicës me liqene.
Zharret
Zharret përfshijnë hapësirën në mes lumit të Lloçanit dhe Erenikut (në shtrirje horizontale), kurse në shtrirje vertikale fillojnë nga izohipsa 700, e deri në izohipsën 1550. Territori i Zharreve, rreth 95 përqind është i mbuluar me pyje gjetherënëse si: ahu, mollëza, shkoza, lajthia, mështekna, bungu, gështenja, paja, …, por edhe me pyll të përzier me drunj halor, bredhi dhe hermoqi. Meqenëse zona është e mbuluar me pyll të dendur, është habitat shumë i përshtatshëm për rritjen e bimëve të ndryshme, nga ato të ulëta: likene, alga, këpurdha…, e deri te ato të lartat, drunore e barishtore. Zharret paraqesin habitat të favorshëm për shumë kafshë të egra si: ariu, ujku, derri i egër, kaprolli, e shumë të tjera. Mendojmë që si Kopsht Botanik, do të ishte me interes të madh ruajtja e kësaj zone në përgjithësi, e në veçanti ruajtja e drunjve relikt, të cilët janë të rrezikuar nga zhdukja si Panja dhe Gështenja. Por, edhe ruajtja e kafshëve të egra të kësaj zone(ndonëse me të madhe është duke u zvogëluar numri i tyre),paraqet rrezik zhdukjeje të shumë specieve te tyre. Në Zharre, ashtu edhe në Jodovë, do ishte me interes të veçantë ngritja e një Instituti Shkencor Hulumtues dhe Sanitar, që do të bënte hulumtime gjeopedologjike, hidrike, klimatike, speleologjike, florës e faunës të Bjeshkëve të Nemuna, si dhe hulumtime sanitare për parandalimin dhe sanimin e sëmundjeve të ndryshme, të cilat dukshëm janë duke e rrezikuar florën dhe faunën e kësaj zone, por edhe Bjeshkëve të Nemuna në përgjithësi.
Lugu i Gatë
Lugu i Gatë gjendet rrëzë shpateve të Gjeravicës dhe ka lartësi mbidetare prej 1870m, me një sipërfaqe prej 42.5 hektarësh. Ky lokacion gjendet në mes të një pylli halor me drunj pishe, rrobulli dhe arneni. Poleni i këtyre pishave ka efekte shëruese për sëmundje të mushkërive. Klima, ajri e uji i pastër e i freskët, qasja rrugore nga dy drejtime (Deçani dhe Juniku) në këtë lokalitet, janë kushte të favorshme që arsyetojnë ndërtimin e kësaj qendre rehabilituese-shëruese. E arsyeja më e fortë dhe primare është krijimi i kushteve, përkujdesja dhe ruajtja e shëndetit të njeriut.
Pishat e Deçanit
Deçani e ka kompleksin hotelier “Pishat e Deçanit”, i cili për nga kapaciteti dhe pozita e tij është ndër objektet me të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Pushimorja “Pishat e Deçanit” është e ndërtuar rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna”. Ka një ambient shumë të bukur malor, me lartësi mbidetare prej 670 m dhe ka një klimë të përshtatshme, e cila ndikon për të mirë në shëndetin e njeriut, sidomos të fëmijëve. Kjo pushimore ka filluar të punojë qysh më 1932. Ky kompleks turistik, me kapacitete prej 550-600 shtretërish, ka pesë objekte banimi me të gjitha objektet e tjera përcjellëse (salla, kuzhina, terrenet sportive, ambulancën shëndetësore, amfiteatrin e hapur, etj). Në hapësirat e pushimores së fëmijëve, brenda një viti mund të pushojnë rreth 14.000 fëmijë, me shërbime tradicionalisht të mira, me kuzhinë moderne, me të gjitha objektet përcjellëse për sport dhe rekreacion, me amfiteatër të hapur për aktivitete kulturo-argëtuese. Këto objekte mund të përdoren edhe për manifestime të ndryshme, qofshin kulturore-sportive, apo edhe manifestime të tjera, pa marrë parasysh sezonin, veror apo dimëror. Hapësirat e këtij objekti turistik, që nga vitet ’90-të nuk mund të shfrytëzohen nga qytetarët e këtushëm, si rrjedhojë e zhvillimeve politike. Fillimisht, këtu ishin instaluar masat e dhunshme të Qeverisë së Serbisë (1990-1999), e më pastaj edhe janë vendosur forcat paqeruajtëse të KFOR-it italian. Edhe pse këto forca ushtarake janë të vendosura në Kampin “Bellopojë”, këto hapësira turistike mbesin peng i politikës, e ndikuar nga Manastiri i Deçanit. Mosshfrytëzimi i kompleksit “Pishat e Deçanit” ishte temë e kundërshtimeve të shumta të institucioneve komunale dhe të qytetarëve, ngase konsiderohet se kësaj komune po i shkaktohen humbje të mëdha.
Po ashtu, Bjeshkët në Regjionin e Vokshit si: Jodova, Kurora, Lugi i Gatë, Qurshiza, Kurvalla, Stanishta e Zogut dhe Pllaqica, Qafaa Kunorëve, janë resurse natyrore që mundësojnë lloje të shumta të turizmit alternativ. Kushte shumë të volitshme për turistët ofrojnë edhe Resurset që janë në Bjeshkët e Carrabregut dhe të Deçanit, Bjeshka e Prejlepit, Bjeshka e Strellcit, Bjeshka e Baballoqit, Rupa e Dobroshit, Kurvalla, e mbi të gjitha, Maja e Gjeravicës dhe Liqenet që janë në afërsi të kësaj bjeshke. Këta liqene, që në gjuhen e popullit quhen edhe “Sytë e macës”, janë glacialë dhe atraktivë për turistët, e aq më shumë kur kemi të bëjmë me pushtimin e njërës ndër majat më të larta në Kosovë, maja e Gjeravicës (2656 m).
Bukuri të rrlla dhe mundësi pwr zhvillimin e turizmit, janë edhe Bjeshkët e Isniqit, si: Belleja, Pleqja, Roshkodoli, Milishevci dhe Zllonopoja, ngase njihen për natyrën e bukur, ujin e shumtë, por edhe për pozitën gjeografike, ndaj edhe janë tërheqëse për turistët, si gjatë sezonit veror, ashtu edhe gjatë sezoneve të tjera. Stanishtat në këto bjeshkë janë të banueshme që nga vera e hershme e deri në vjeshtën e vonë. Edhe pas kësaj kohe, dyert e staneve janë të hapura për strehim të vizitorëve. Kalimtarët nëpër këto bjeshkë janë të shumtë, ngase ato janë si urë lidhëse mes tri shteteve (Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi). Karakteristikë e këtyre bjeshkëve janë edhe bimët e shumta që kanë karakter shërues, siç janë pelini dhe lincurri. Këtu dominon boronica, që shfrytëzohet më të madhe nga banorët e kësaj treve.