leoni

Msc. Dardan Lajçi

Msc.Dardan Lajçi: Lojërat tradicionale të Rugovës, vlerë shpirtërore, kombëtare

Emërtimi “Rugovë”, ka për bazë fjalën “rrugë” pasi nëpër të kanë kaluar rrugë të rëndësishme. Në anën jugore të regjionit ndodhen Liqeni glacial i Kuqishtës (1900 m) i mbushur me ujë të freskët gjatë gjithë stinëve dhe Liqeni i Drelajve ( 1800m), që thahet gjatë verës së nxehtë. Në rajonin e Rugovës, shpellat janë të pranishme pothuajse kudo megjithëse këto shpella janë pak të hulumtuara. Është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemura, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 ky regjion u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me gjithë kundërshtimet e banorëve autokton të këtij regjioni kundrejt këtij vendimi. Është e përbërë nga forma të ndryshme e të shumta karstike si shpellat, tunelet natyrore, ujëvarat, liqenet glaciale etj.  Treva e Rugovës është e ndarë në 13 fshatra. Rëndësi të madhe për Rugovën dhe jetën në Rugovë, kanë kafshët si: delet, kuajt, gomarët etj.

Kultura dhe tradita

Bjeshkët e Nemura në përgjithësi dhe Rugova në veçanti, shquhen për traditat dhe zakonet e tyre. Karakteristikë e këtij regjioni janë veshjet, vallëzimi, dialekti, lojërat tradicionale etj. Edhe pse atje tradita akoma jeton, rol kryesor në promovimin e saj luan ansambli autokton “Rugova”.

Po ashtu, investimet kulturore po rriten dita-ditës. Amfiteatri në Malaj është renovuar dhe tani shërben për mbajtën e takime  kulturore, ndërsa Amfiteatri në Rekë të Allagës po shfrytëzohet për prezantimet e “Film-fest”-it. Përveç këtyre, ushqimet tradicionale vazhdimisht gatuhen si: flija, leqeniku, shëllira, maza e zier etj.

Në foto 1: Ansambli folklorik autokton “Rugova”

Ky rajon ka muzikë homofonike, ngjashëm me rajonin verior të Shqipërisë. Muzika është e pranishme jo vetëm në dasma por edhe në jetën e përditshme. Burrat këndojnë gjatë mbledhjeve nëpër oda dhe gratë gjatë punëve të tjera të përditshme. E veçanta e kësaj është se muzika këndohej edhe nëpër raste mortore, kur humbej ndonjë trim i shquar. Ky ishte ngushëllimi më i madh dhe këndimi i këngëve paraqiste një privilegj të caktuar. Rugova ka 54 këngë epike kushtuar trimave të saj.

Kostumet

Rugova ka veshjen e saj tradicionale, ku dallime të mëdha hasim tek veshja e grave. Veshja e grave është e mbushur me qëndisma dhe rruaza me ngjyra e simbole të ndryshme. Ndërsa, te meshkujt tirqit vishen me një këmishë, një brez, një jelek(xhamadan) dhe një lloj tunike(xhurdi) të zezë

Karakteristikë e burrave të kësaj treve është shalli i bardhë i cili vendoset në kokë, i gjatë mbi 3 metra. Shalli vendoset që nga mosha 7 vjeçare e deri sa te vdesin kur edhe shërben për t’i mbuluar.

Në foto Ramë Nikqi, anëtar i ansamblit folklorik autokton “Rugova”, me shall rreth koke

Lojërat tradicionale të Rugovës janë lojëra popullore të trevës së Rugovës që kanë karakterin e një prezantimi në vazhdimësi të traditës zakonore të një shumëllojshmërie që sipas përmbajtjes janë: Lojërat e shkathtësive fizike e luftarake të burrave, lojërat humoristike dhe dëfryese, këngët, vallet dhe ritet. Lojërat kanë një zanafillë të hershme që zakonisht janë mbajtur dhe mbahen në muajin gusht menjëherë pas kositjes së livadheve dhe janë mbajtur në pjesën veriore të etnikumit shqiptar-Rugovës. Deri më tani ato janë mbajtur në Qafë Hajlë, Bogë dhe tani në Kuqishtë. Tubimi është i hapur, i njohur për opinionin, marrin pjesë nga të gjitha fshatrat e Rugovës me rrethinë, nga Peja dhe nga komunat tjera fqinje dhe gjithnjë po rritet dhe po merr karakterin e një olimpiade fshatare të Alpeve Shqiptare. Lojërat tradicionale janë nën patronatin e Kryetarit të Komunës dhe organizohen nga Komuna e Pejës, komuniteti, Instituti Albanologjik, Shoqata e Sporteve dhe Lojërave tradicionale-Rugovë, Ansambli Folklorik “Rugova” dhe Bashkësia Territoriale e Rugovës. Lojërat tradicionale të Rugovës janë thesar i çmueshëm i kulturës rugovase në veçanti, por edhe i etnikumit shqiptar në përgjithësi. Këto lojra janë ruajtur brez pas brezi, edhe përkundër vështirësive ato kanë mbijetuar dhe sot ruhen dhe zhvillohen nga banorët e Rugovës. Lojërat tradicionale kanë filluar të organizohen për opinionin rreth viteve 90-ta, nga grup intelektualesh. “Këshill organizues i këtyre lojërave ishin : Mr.sc.Selman Lajçi(dëshmor), Ymer Neziri, Vesel Nikçi, Shaban Lulaj, Ali Daci, Fazli Muriqi, Sylë Nikçi”. Mirëpo, lojërat autoktone të kësaj treve janë luajtur nga barinjtë e banorët në vazhdimësi, në kohë e periudha të hershme, por jo në mënyrë të organizuar për masën. Përgjatë mbamendjes por edhe tani lojërat janë formë e aktivitetit fizik e shpirtëror. Në ditët e sotme lojërat tradicionale të Rugovës janë plotësuar edhe me disiplina të tjera dhe gjithnjë po rritet interesimi për to. Tashmë tradicionalisht në këtë manifestim po marrin pjesë edhe të shpërngulurit e hershëm nga kjo trevë si Kelmendasit e Mitrovicës dhe ata të Sibovcit që shikuar nga këndvështrimi sociologjik shihet si një lloj afërimi, socializimi mes vete që paraqet ruajtje të ndjenjës së origjinës së përbashkët dhe këtë përveç pjesëmarrjes e manifestojnë edhe me pika kulturore.

Në edicionin e viti 2013-të, të lojërave tradicionale, të 21-tin me radhë, kishte pjesëmarrës nga Shqipëria, nga Vuthajt e Malit të Zi, Malësia shqiptare e Rozhajës, Kelmendasit e Mitrovicës dhe ata të Sibovcit, secili në mënyrën  e vetë  kanë shpalosur  trashëgiminë kulturore e historike të tyre. Pra, lojërat tradicionale të Rugovës po vazhdojnë të mbahen dhe interesimi i njerëzve për të qenë në këtë manifestim është në rritje. Periudha e organizimi të këtyre lojërave është zakonisht muaji gusht, kjo edhe për shkak të dëshirës së madhe të mërgimtarve për t’i shijuar nga afër. Po ashtu, në fund të manifestimit shpërndahen kupa e mirënjohje për fituesit e lojrave. Lojrat tradicionale të Rugovës dhe pjesëmarrësit janë prezantuar në vazhdim të punimit të ilustruara me foto. Gjithashtu, të mirat nga ekonomitë e Rugovës janë dëshmuar si ndërmarrjet “Ujë Rugove” dhe “Djath Rugove”, por edhe turizmi është dobiprurës për banorët atje. Është regjion mjaft i frekuentuar nga vizitorë vendas e ndërkombëtar.

 Në foto nga ana e majtë dëshmori Mr.sc. Selman Lajci me dy fëmijët (Fatosin dhe Arbrin), dhe daja Haxhi- Bajram Shkreli. Selmani ishte themelues i lojërave tradicionale të Rugovës.

Rrëzimi i duarve

 Për këtë disiplinë është tryeza e posaçme. Dy pjesëmarrës luajnë kundër njëri-tjetrit, prandaj gara zhvillohet në bazë të eliminimeve. Kjo lloj loje u luajt nga Skënderbeu kur u kthye në Krujë. Për këtë shkak në Rumani kjo disiplinë quhet “Loja Skënderbe”.

Ngjitja në Shilar

Shilar është një lis i gjatë 8 metra i cili vendoset vertikalisht. Qëllimi është të preket maja e lisit për kohën më të shkurtër të mundshme, pa përdorë asnjë mjet ndihmës.

Në foto garuesi duke u ngjitur në shilar

 Tërheqja e litarit

Kjo disiplinë është mes ekipeve që përbëhen nga 5 anëtarë. Litari është i trashë dhe rreth 12 metra i gjatë. Në mes gjendet flamuri. Ekipi që e tërheq litarin deri sa flamuri të jetë në anën e tyre shpallet fitues. Zakonisht, kjo garë zhvillohet mes dy fiseve, dy fshatrave apo dy familjeve.

Mundja

Mundja paraqet një disiplinë ku pjesëmarrësit praktikojnë stilin e tyre. Një rund zgjatë 5 minuta por mund të ketë edhe minuta shtesë. Për çdo fitore, pjesëmarrësit grumbullojnë pikë në bazë të së cilave shpallet fituesi.

Në foto garuesit në disiplinën Mundje

Gurapeshi

Pjesëmarrësit duhet ta hedhin një gur që peshon afërsisht 7 kg. Kjo disiplinë vjen nga antikiteti dhe luhej nga Ilirët. Po ashtu, disiplina e quajtur rrasa, që nënkupton “gjuajtje me dorë”, që sot luhet nga barinjtë, vjen nga antikiteti.

Në foto garuesi Kapllan Nikçi në disiplinën e Gurapeshit, lojërat tradicionale “Rugova 2012”

Hedhja e llastarit

Garuesit duhet të hedhin një dru të gjatë 5 metra me diametër rreth 13 cm, i cili quhet llastar. Për gjuajtje përdoren vetëm duart.

Në foto garuesi duke e hedhur llastarin, ai i cili e hedh llastarin me fortë se garuesit tjer shpallet fitues

Sjellja e tepsisë- Tepsia vendoset mbi sofër, për rreth sofrës gjenden vajza dhe nuse të cilat këndojnë këngë. Ajo që e sjell tepsinë me dorën e djathtë  ka një unazë më të madhe se të zakonshmet në mënyrë që krisma e unazës dhe sjellja e tepsisë krijojnë melodi. Këngë që është përcjellë me tepsi është edhe kënga «Në dërrasë të vekut kush po m/kjan»

Foto sjellja e tepsisë

Loja kapuçash- Kjo lloj loje luhet mes palësh të barabarta në numër nëpër oda

apo fusha. Njëri nga lojtarët fsheh goglën (sfera) ndër dhjetë kapuça ,pala kundërshtare

duhet ta gjejë në cilin kapuç (meste) e ka vendosur. Janë tri mundësi të para, nëse gogla gjendet pa i përfunduar të fshehurat, kundërshtari fiton dhjetë pikë.

Në foto janë disa anëtar të ansamblit folkolorik autokton “Rugova” duke luajtur lojën Kapuqash në manifestimin Lojrat tradicionale “Rugova 2012”, më datë 29 korrik 2012.

Loja mbi ujë paraqet përpjekjet e vazhueshme të mërgimtareve për të arritur në atdhe, në këtë rast lojtari qëndron në një shkop druri, i cili duhet ta kalojë ujin pa i prekur drunjtë që gjenden në tokë.

-Loja për mbrojtjen e nderit nga Cubat…paraqet mbrojtjen e etikës morale ndër këto troje të kreshnikëve nga Malësia e Plavë-Gucisë?!…

Rasti më tipik, që ka ndodhur si ngjarje e vërtetë, është shembulli i mbrojtjes së nderit dhe Kullës Shqiptare nga e madhërishmja Heroinë-Kajë Galja-Shabanja e Nokshiqit…siç e thekson edhe kënga popullore për Kajën-citoj:-

“Nuk ish grue por,ish kếnë “kralicë”…

shtatë shkije i preu sakicë”?!..

Loja me shpata apo e njohur si “Premja me shpata”

(Premja me tagana) ky lloj kërcimi bën pjesë në grupin e valleve të quajtura “vallet luftarake”. Ato nuk shoqërohen me muzikë. Valltarët kanë në duar mjetin luftarak, shpatën. Kjo lloj valleje mishëron copëza të jetës së popullit të Malësisë së Madhe. Në bazë të rregullave kanunore, kur dy veta ziheshin i kërkonin njëri-tjetrit të dilnin në shesh (mejdan).

Loja sharra e vekut vendoset një dru në formë rrethore mbi vek, garuesit e përcjellin prerjen drejtë në bazë të ngjyrosjes me pe, garuesit e tërheqin sharrën. Kjo është quajtur sharrë e vekut. Grupi që sharron më shpejtë dhe më drejtë fiton.

Kupat dhe mirënjohjet

Kjo mirënjohje është për babanë tim dëshmor Mr.sc.Selman Lajçi, organizator i Lojërave tradicionale të Rugovës

(Msc.Dardan Lajçi, sociolog, ligjërues ne Universitetin “Haxhi Zeka” Pejë)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …