Msc. Dardan Lajçi

Msc. Dardan Lajçi: Siguria nacionale, kërcënimet dhe rreziqet

  1. Kërcënimet dhe rreziqet e brendshme:

Krimi i organizuar në vend me tendencë për t’u perfeksionuar dhe profesionalizuar, paraqet rrezikim serioz për shoqërinë dhe sigurinë e vendit. Shpërpjestimet ndërmjet instrumenteve të pamjaftueshme për të zbuluar, luftuar e ndëshkuar krimin dhe përmasat e tendencat që ka zhvillimi i krimit, përbëjnë rrezik real për të sotmen dhe të ardhmen e sigurisë së vendit.

 Destabiliteti politik është rrezik për sigurinë e Kosovës dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Përvoja e deritanishme e demokracisë në Kosovë provon se destabiliteti politik ka qenë i pranishëm në mjedisin e brendshëm. Ky fenomen rrezikon mosfunksionimin e mirë të institucioneve, mungesën e paqes sociale e të qetësisë publike, mosarritjen e konsensusit politik për çështje shumë të rëndësishme të vendit dhe cënon prestigjin e vëndit në kuadrin ndërkombëtar. Stabiliteti politik është një çështje jetike për shoqërinë tonë.

 Zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe mosplotësimi i nevojave elementare jetike, krijojnë paqëndrueshmëri për sigurinë dhe jetën e njerëzve në vend. Fenomenet negative që rrjedhin prej tyre si kontrabanda dhe korrupsioni sjellin ngadalësimin e reformave, deformimin e tyre, stimulimin e papunësisë, trafiqeve dhe krimit të organizuar.

 Fatkeqësitë natyrore përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e vendit

Fatkeqësitë natyrore më të mundshme janë tërmetet, fatkeqësitë gjatë periudhës së dimrit, si përmbytjet, rrëshqitjet masive, zjarret masive në pyje, epidemitë e ndryshme. Fatkeqësitë mund të vijnë edhe nga veprimtaria njerëzore, siç janë aksidentet industriale, tokësore, ajrore e detare, pasojat që mund të shkaktojnë veprimet kriminale dhe terroriste, etj.

Në aspektin e sigurisë, problemet demografike paraqesin një shqetësim serioz në vend. Lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, kryesisht nga zonat rurale të vendit drejt qendrave urbane, kanë krijuar shpërpjestime të konsiderueshme jo vetëm në drejtim të mbipopullimit, por edhe të largimit të njerëzve nga zonat që, për sot dhe për të ardhmen, do të kenë nevojë për burime njerëzore.

Dezinformimi i opinionit publik favorizon destabilitetin

Informacionet e pasakta krijojnë në mënyrë të qëllimshme, ose jo, situata pasigurie, frike e tensioni të panevojshëm dhe shpesh mund të çojnë në reagime publike dhe marrje vendimesh të padrejta.  Si i tillë, dezinformimi i opinionit publik përbën rrezik për sigurinë e vëndit.

 Zhvillimi i pamjaftueshëm i arsimit, shkencës dhe kulturës përbën rrezik për sigurinë e Kosovës.

Burimet njerëzore të specializuara, kapacitetet shkencore dhe prezantimi me vërtetësi i kulturës dhe traditës tonë, janë kusht themeltar për zhvillimin, prosperitetin dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.

Kërcënimet dhe rreziqet me karakter transnacional, nënkuptojnë  rreziqet   rajonale dhe ato të jashtme.

Përdorimi i forcës ushtarake ose formave të tjera që venë në rrezik sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e vendit përbëjnë rrezik për vendin.

Destabilizimi i rajonit nëpërmjet ringjalljes se dëshirës për realizimin e  ndjenjave nacionaliste dhe e zhvillimit të konflikteve etnike përbën rrezik transnacional ndaj sigurisë së vendit.

Terrorizmi si mjet ekstrem i dhunës përbën një rrezik real me karakter transnacional për sigurinë e vendit

Si një rrezik ndërkombëtar, terrorizmi ka marrë shtrirje të gjerë gjeografike. Pozita gjeostrategjike e vendit  përbën një element më shumë që vendi të përdoret si bazë logjistike, vepruese e ndërlidhëse për grupet terroriste. Grupet militante dhe ekstremiste, të cilat përdorin dhunën për të realizuar objektivat politike, janë një rrezik serioz  për sigurimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimin e shtetit në Kosovë..

Krimi i organizuar përbën rrezik të drejtpërdrejtë me karakter transnacional për sigurinë e vendit.  Perfeksionimi i metodave dhe mjeteve të përdorura prej tij, shtrirja e tij gjeografike rajonale e më gjerë, forcimi i vazhdueshëm ekonomik, përbëjnë një rrezik për sigurinë e Kosovës.

Trafiqet e paligjshme janë rrezik me karakter transnacional për sigurinë e vendit.

Pozita gjeografike e Kosovës, kushtet e veshtira ekonomike dhe sociale, papunësia, varfëria, humbja e besimit nga shtresat e popullsisë, niveli i ulët arsimor, përbëjnë parakusht, që rajoni dhe në mënyrë te  veçantë vendi ynë, të kthehet në burim dhe bazë të favorshme logjistike, vepruese e ndërlidhëse për trafikantët.

Rreziqet me karakter global

Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe e lëndëve radioaktive përbejnë një rrezik me karakter global që mund të prekë edhe sigurinë e vendit tonë. Ndotja e mjedisit dhe sëmundjet me karakter masiv janë një rrezik global me tendencë   në rritje për jetën e njerëzve dhe sigurinë e Kosovës.  Shkaqet për ndotjen e mjedisit janë të ndryshme, si : industriale (të shkaktuara nga mbetjet e uzinave e mjeteve te transportit), teknologjike (të shkaktuara nga aksidentet teknologjike), biologjike, kimike (nga shpërndarja e mbetjeve e materialeve toksike). Ato shkaktohen gjithashtu nga pakujdesitë e njerëzve, nga tregtimi i ushqimeve te pakontrolluara, etj.  Reduktimi i burimeve hidrike : është një rrezik real me karakter global dhe tendencë në rritje. Ndryshimi i klimës dhe kushteve atmosferike, përdorimi jo me efektivitet i tyre, rritja e popullsisë botërore, zhvillimi i mëtejshëm i shoqërisë, evidentojnë pa mjaftueshmërinë e burimeve ujore si një rrezik global për sigurinë e shoqërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …