Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha së bashku me Udhëheqësin e Zyrës për Koordinimin e Projekteve në AKK z. Muzafer Çaka, janë duke marrë pjesë në punimet dyditore (13-14 dhjetor) të Komitetit Drejtues të projektit IMPULS, projekt ky i cili ka për qëllim harmonizimin e të dhënave gjeohapësinore të shteteve të Ballkanit Perëndimor me ato të shteteve anëtare të BE-së, respektivisht në përputhje me Direktivën Evropiane 2007/2 INSPIRE e cila është obliguese për shtete anëtare të BE-së, rrjedhimisht edhe për ato shtete që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Kjo nënkupton që të gjitha shtetet evropiane duhet të kenë të dhëna hapësinore të harmonizuara, të cilat mund të ndër-veprojnë njëra me tjetrën, të jenë në sistem koordinativ të harmonizuar e ngjashëm. Një gjë e tillë do të mundësojë një administrim më të mirë të situatave të ndryshme emergjente, ofrim më të shpejtë e më të saktë të shërbimeve, administrim të mirëfilltë të tokës, planifikim më të mirë hapësinor urban e rural, lehtësim në vendimmarrje, qasje të shpejtë në informacione të sakta e të sigurta, etj. Qëllimi i takimit të Komitetit Drejtues është diskutimi rreth aktiviteteve të ndërmarra gjatë vitit 2016, plani i aktiviteteve për vitin 2017, buxheti i projektit dhe ngjashëm. Gjatë qëndrimit në Zagreb, delegacioni i AKK-së prezantoi gjendjen e aktuale në Republikën e Kosovës në fushën e Infrastrukturës Kombëtare të Informacioneve Hapësinore (IKIH), ecurinë rreth aprovimit të Ligjit për IKIH, Strategjinë për IKIH, përdorimin e Gjeoportalit Shtetërorë për ofrimin e qasjes së lirë në informacione hapësinore, etj. Në projektin IMPULS marrin pjesë institucionet bartëse për kadastër dhe hartografi nga 6 shtete të regjionit me 8 institucione, përfshi Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia. Projekti financohet nga SIDA suedeze, ndërsa implementohet nga autoriteti suedez për kadastër Lantmateriet.