Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike mbajti sot mbledhjen e dytë me radhë, ku u diskutua për kërkesat e disa investitorëve strategjikë për të investuar në Kosovë, si dhe për çështje të tjera, që ndërlidhen me ligjin për investime strategjike. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në cilësinë e kryesuesit të këtij komisioni, theksoi se prioritet i ministrisë që ai e drejton është shqyrtimi i të gjitha kërkesave për investime strategjike në Kosovë. Po ashtu, ministri Krasniqi i njoftoi anëtarët e këtij komisioni se deri më tani janë paraqitur 30 aplikues për të marrë statusin e investitorit strategjik në Kosovë. Sipas ministrit Krasniqi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë në shërbim të të gjithë investitorëve duke iu krijuar kushte dhe lehtësira për të investuar kapitalin e tyre në vendin tonë. Në takim u shqyrtua edhe rekomandimi i Komisionit Operacional për subjektin “Kosmote Foods” për të cilin do të kërkohet interpretim nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë dhe pastaj të vendoset për aprovimin e kërkesës për investim strategjik. Po ashtu, të pranishmit u njoftuan edhe për ecurinë e punës së Grupit Operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjes së aplikimit për subjektin “Unitas Energy”, ku u bë e ditur se lënda është në fazën e pritjes.
Gjithashtu, në takim u vendos për formimin e dy grupeve të reja operacionale, që do t`i shqyrtojnë kërkesat e dy investitorëve të tjerë strategjikë: “MOXIKO-LUMA KOSOVO LLC” dhe “HILL ROME LTD.
Në fund të këtij takimi u theksua nevoja për ndryshime në Ligjin për Investime të Huaja, për shkak të rrezikut nga paditë e mundshme në arbitrazh, ku u shfaq brengosja se Kosova po i humbë milionat nga këto padi.