Muaji nëntor në QKMF në Ferizaj filloi me një varg angazhimesh të personelit dhe menaxhmentit të cilat kanë për qëllim ofrimin e sa më shumë shërbimeve për qytetarët. Disa ditë më parë në Dispanserin Antituberkular, pas kompletimit me aparaturën e nevojshme për testimin Gen Expert, të siguruar nga CDF, ka filluar testimi për BK dhe rezistencën ndaj terapisë me Rimfampicin, testim ky tejet i rëndësishëm për të sëmurët me tuberkuloz. Ndërsa në Kabinetin e Rëntgenit, në kuadër të fushatës mujore kundër kancerit të gjirit, vetëm gjatë muajit tetor janë kryer 146 mamografi gratis. Gjithashtu, janë plotësuar terminët edhe për muajin nëntor. Ekzaminimi falas përmes mamografisë do të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Në Shërbimin e Vaksinimit në QKMF-Ferizaj, nga fillimi i javës së kaluar ka nisur vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal. Deri më sot, në pesë qendra (QMF 1, QMF 2, QMF 3 – Greme, QMF 4 dhe QMF 9 – Softaj) janë vaksinuar gjithsejtë 2226 qytetarë të komunës së Ferizajt, kryesisht të moshuar. Për të përcjellë rrjedhën e punës për së afërmi këto njësi u vizituan sot nga Drejtori i DSHMS-së, Dr. Kemajl Emini dhe menaxhmenti i QKMF-së, udhëhequr nga Drejtoresha, Dr. Nadire Ymeri.