Letërsia shqipe me alfabet arab, kundruar realisht është pasuri letrare, kombëtare e shqiptarëve, jo vetëm sepse shumica e kombit i përket besimit islam, por sepse ajo ka vlerat e veta specifike që pasurojnë diversitetin kulturor të një populli, dikur shumë me ndikim në Perandorinë Osmane, por edhe në Ballkan përgjithësisht, Pas përcaktimit për alfabetin latin të gjuhës shqipe, në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, që ishte dhe është alfabet shumë i përshtatshëm dhe më i lehtë për ta mësuar, tërë literatura shqipe e shkruar me alfabetin arab u anashkalua duke e identifikuar me alfabetin e pushtuesit, por duke harruar se edhe alfabeti latin kishte qenë po ashtu alfabet i pushtuesit romak në viset e Ilirisë. Pikërisht sepse ishte e shkruar me atë alfabet, ajo letërsi shqipe ishte anashkaluar mizorisht, ndërsa është çmuar e tejçmuar letërsia e shkruar me alfabet latin e grek, pse jo edhe sllav, që kishte vetëm përmbajtje fetare, po jo edhe sociale. Në mesin e poetëve më të më mëdhenj shqiptarë të periudhës para letërsisë së Rilindjes Kombëtare pa dyshim se është edhe Muhamet Çami-Kyçyku.
Muhamet Kyçyku (1784-1844) është një ndër poetët më të njohur shqiptar dhe njëherit konsiderohet si pikëkalim nga vargu i vjetër në atë rilindas shqiptar.
Muhamet Kyçyku, i njohur edhe si Muhamet Çami, meqë ushte me origjinë çame, lindi në Konispol në 9 korrik të vitit 1784. Pasi kreu mësimet e para fetare në vendlindje, ka vazhduar studimet në Egjipt, të cilat zgjatën 11 vjet. Në Egjipt u njoh me një numër të madh bashkëkombësish që punonin dhe jetonin atje. Me të kryer studimet teologjike u kthye në fshatin e lindjes dhe u vu në shërbim të fesë si imam në quytetin e lindjes.
Vepra kryesore, e plotë dhe e përmbaruar për mrekulli është “Erveheja”, që është edhe hapi i parë voluminoz, edhe pse mendohet me të drejtë se “Jusufi dhe Zylihaja” është më e mbushur në pikëpamjen e përshkrimit të ngjarjes e sidomos pasqyrimi i pasioneve të Zylihasë është shumë i bukur.
Kyçyku u mor me përkthime dhe përmendet Mevludi i përkthyer nga arabishtja i shkrimtarit berber Al Busiri.
Në historin e ideologjizuar të letërisë shqipe Muhamet Kyçyku konsiderohet bejtexhi, edhe pse ai nuk ka shkruar vetëm bejte por poezi të mirëfillta. Kyçyku zë vendin e merituar të pikënisësit dhe pikëkaluesit nga klasika e poezisë shqiptare në poezinë e Rilindjes Kombëtare. Ai është gjithashtu i pari ndër shqiptarët të ketë shkruar poemë voluminoze. Sikur të gjithë poetët të cilët i quajmë bejtexhinj, e që nga fillimi i këtij lloji letrar, shumë ide e tema merreshin nga librat fetarë dhe nga themelet e moralit dhe virtytit fetar islam. Kur bisedojmë për moralin e gruas dhe burrit, duhet vënë në dukje se është i famshëm respekti bashkëshortor ilir dhe para shqiptar që në kohërat pagane kështu që bejtexhinjtë, e në këtë rast Muhamet Çami vetëm ngrinte lart besnikërinë iliro-shqiptare dhe natyrisht atë islame të relacioneve familjare.
Brendia e poemës Erveheja (në fillim e quajtur Ravda) e Muhamet Çamit duhet të ketë qenë e njohur në trojet tona sidomos pas pranimit të Islamit nga shkaku se kjo temë, në variante të afërta, ka arritur në fillim nga Persia e më vonë edhe nga turqit si letërsi gojore dhe në raste më të rralla edhe në forma të shkruara së paku në gjuhën turke. Nuk kemi dokumente të shkruara për të vërtetuar këto të dhëna, por nëse nisemi nga fakti se shumë shqiptarë, pas pranimit të fesë islame shkolloheshin në vise të ndryshme të perandorisë turke, bënë reale mundësitë e përhapjes së literaturës arabe, perse gjegjësisht asaj turke në Ballkan.
Nga sanskritishtja kemi shkrimin “Shukasaptati” nga mori idenë dhe frymëzimin poeti Pers Zijauddin Nakshabi dhe shkroi “TutinamenË e tij, prej nga, Kyçyku ndërtoi mjaft bukur, historinë me tipare të gruas luftëtare shqiptare në mbrojtje të nderit. Dhe Erveheja e mbrojti me guxim pa u trembur as nga vdekja. Në këtë mënyrë ajo arrin të lundrojë nëpër shtrëngatat që i sillte jeta gjer në momentin fatlum të ngadhënjimit mbi padrejtësitë dhe në ngadhënjimin e të vërtetës mbi dredhitë dhe pasionet e errëta të kunatit, pasanikut, shërbëtorit dhe hajnit.
Sa i përket veprës “Jusufi dhe Zulihaja”, dimë së është një ngjarje për të cilën flitet në librat e shenjtë : Teurat, Bibël dhe Kur’an në suren “Jusuf”. Janë të njohura veprat e shkruara nga këto inspirime fetare në literaturën orientale e më gjerë. Në persisht, në një mënyrë shumë të bukur shkruajtën Firdeusi (935-1020) (persisht), mistiku Xha’ami, (1414-1492) dhe në turqisht Hamdullah Hamdi 1449-1508) e shumë të tjerë.
Kyçyku këtë ngjarje të vërtetë të treguar në librat e shenjtë që janë fjalë të Zotit, e rreshtoi në poemë, me një gjuhë edhe pse të rënduar me fjalë të huaja, të kuptueshme dhe në nivel më të lartë poetik se Erveheja.
Veprat tjera të Kyçykut janë poema me tematikë antialkoolike Bekriu (1824), ajo historike nga viti 1826 për Ibrahim Pashë Kavallën, themeluesit të Sirisë, fushatat e lavdishme të sundimtarit të Egjiptit Muhamed Aliut kundër rebelimit grek dhe poemën që merret me hallet e atyre që detyroheshin të kërkojnë kafshatën e bukës dhe fitimin larg vendlindjes – Gurbetlitë.
Kyçyku u mor edhe me përkthime nga arabishtja dhe turqishtja e ndër përkthimet më të njohura është padyshim Mevludi i shqipëruar Kasidatu’l Burda nga Al Busiri ( ka vdekur rreth 1296).
Më 1888 në Bukuresht, Jani Vreto (1822-1900) e botoi Ervehenë të adoptuer në si përrallë dhe të pastruar nga fjalët arabe, persishte dhe turke por megjithatë origjinali ngeli më i kuptueshëm dhe më lirik.
Ahmet Qirezi (1966) botoi në « Jehona » (Shkup, 1978 ; ribotuar më 2007) dramën « Erveheja » me motive nga poema e njëjtë e Kyçykut duke e përshtatur shumë bukur për skenë.
Historia e letërsisë shqiptare.
Vikipidia.
Ahmet Qeriqi: Poezia e bejtexhinjëve e keqinterpretuar në periodizimin e letërsisë, (RKL)