Muhamet Sefer Haxhaj (16.8.1960 - 3.7.1998)

Muhamet Sefer Haxhaj (16.8.1960 – 3.7.1998)

Lufta heroike, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka vënë vulën një epoke të veçantë të historisë së Kosovës, duke kushtëzuar edhe ndërrimin e emrave të shumë qyteteve, fshatrave e vendeve të ndryshme të saj, në të cilat janë zhvilluar beteja të ashpra kundër pushtuesit. Njëri prej vendbanimeve, i cili është bërë metaforë e heroizmit të, ushtarëve të UÇK-së, është edhe fshati ish-Gllarevë i komunës së Klinës, i cili pas luftës është emërtuar me emrin Qëndresë. Pjesë e kësaj metafore është edhe heroizmi i dëshmorit Muhamet Haxhaj.

Muhamet Haxhaj ka lindur më 16 gusht të vitit 1960 në fshatin Qëndresë (ish-Gllarevë). Shkollën fillore e kreu në fshatin e afërt, Ujmir, ndërsa gjimnazin në Kijevë.

Reagimi i Beogradit pushtues ndaj demonstratave kundër pozitës robëruese të Kosovës, preku edhe familjen e Muhametit. Atë kohë, vëllai i tij, Sejdiu, u arrestua dhe u dënua për veprimtari të fshehtë atdhetare. Në këtë rast, me veprimtarinë e të vëllait pushtuesi e ndërlidh edhe Muhametin, i cili ishte maturant kur përjashtohet nga shkolla.

Në zhvillimet e mëvonshme kombëtare në Kosovë, Muhameti ishte angazhuar si një militant i pakompromis. Merr pjesë në protestat popullore të viteve 1988, 1989 e 1990, në Kijevë, Klinë e Prishtinë, të organizuara kundër devalvimit të statusit politik të Kosovës dhe instalimit në të, të regjimit të aparteidit. Aktivitetin kombëtar e vazhdon edhe gjatë viteve ’90, duke e arritur kulmin e këtij aktiviteti në luftën e armatosur, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të viteve ’90, Muhameti kishte shkuar për të kërkuar punë në Kroaci. Pas shpërthimit të luftës atje, kundër hegjemonizmit serb, kthehet në Kosovë, ku bën punë ndërtimtarie për të siguruar burimet kthehet në Kosovë, ku bën punë ndërtimtarie për të siguruar burimet e ekonomisë familjare, por vazhdon edhe luftimin e pushtuesit. Kohë pas kohe, në fushën e ndërtimtarisë punon edhe në Slloveni. Gjatë këtyre viteve përndiqet nga policia serbe, i bastiset shtëpia dhe arrestohet shumë herë me pretekst të kërkimit të armëve. Me rastin e arrestimit në vitin 1996, në stacionin policor të Klinës,mbi të ushtrohen tortura të egra për 7 ditë rresht.

 Në këtë fushatë përndjekjeje kundër tij dalloheshin sidomos kriminelët, pjesëtarë të policisë serbe, Hajdar Pashiqi, nga fshati Vitomiricë i komunës së Pejës, dhe serbi i quajtur Kërstiq, nga fshati Novosellë e Zajmit i komunës së Klinës.

Muhameti që herët kishte shprehur bindjen se çlirimi nga pushtuesi serb nuk do të mund të arrihej pa luftë të armatosur, prandaj ishte parapërgatitur për një ditë të tillë. Ai kishte siguruar armatimin personal shumë kohë para se të shpërthente lufta e armatosur, por në çështjen e logjistikës, në fushën e armatimit ,angazhohet edhe pas fillimit të kësaj lufte. Ai përherë i palodhshëm, nga zona e Dukagjinit bart me veturën e tij armë e municion për t’i furnizuar luftëtarët e rinj, në fshatrat e rrethinës së Kijevës e të zonave të tjera ku pritej të zgjerohej vija e frontit nga UÇK-ja.

Më 9 mars të vitit 1998, Muhameti, së bashku me bashkëluftëtarët Hajrullah Pantina, Agim Pantina e Rexhep Pantina, nga Qëndresa, si dhe me Sejdi Berishën nga Kijeva, shkon në Republikën e Shqipërisë për të sjellë armatim. Hajrullahu, Rexhepi dhe Sejdiu edhe në beteja ishin ndër shokët më të ngushtë të Muhametit.

Muhameti ishte pjesëtar i njësitit të UÇK-së, “Graniti”, i cili komandohej nga Agim Pantina. Emri i tij i luftës ishte “Naim”, të cilin e kishte zgjedhur vetë, në shenjë adhurimi të krijimtarisë së rilindësit tonë Naim Frashëri, shumë vjersha të të cilit i dinte përmendsh dhe i recitonte me ëndje. Me këtë pseudonim ai, së bashku me çlirimtarët e tjerë, merr pjesë në shumë beteja, në të cilat forcat e pushtuesit pësojnë humbje të njëpasnjëshme. Këto beteja i sollën UÇK-së fitore pas fitoreje kundër armikut, duke mundësuar bllokimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë. Atë kohë, Kijeva me rrethinën e saj, nga faktorët ndërkombëtarë u cilësua si pika më neuralgjike e luftës në Kosovë.

Në sulmin që UÇK-ja ndërmori kundër forcave pushtuese serbe, në maj të vitit 1998, te vendi i quajtur Rampa në fshatin Qëndresë, njëri ndër sulmuesit ishte edhe Muhameti. Sulmi u bë nga pozicionet e UÇK-së në Çukë të Qëndresës. Në këtë rast, vetë mediat e pushtuesit, duke u mbështetur në të dhënat policore, konfirmuan vrasjen e 9 pjesëtarëve të forcave serbe. Në vendin e sulmit, përveç gjakut, pushtuesi kishte lënë edhe shumë dëshmi të tjera të disfatës, si pjesë pajisjesh ushtarake, jelekë panciri, helmeta e të tjera. Sulmi te Rampa krijoi parakushtet për bllokimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, i cili u bë dy ditë më vonë, me urdhrin e komandantit Mujë Krasniqi. Bllokimi i kësaj rruge ishte një humbje e madhe për pushtuesin, pasi u bë ndërprerja e komunikimit të forcave të tij përmes kësaj arterieje strategjike për të. Për këtë arsye, ai do të angazhojë forca dhe mjete të shumta ushtarake dhe do të bëjë shumë përpjekje për ta zhbllokuar këtë pjesë të rrugës. Mirëpo, këtij qëllimi nuk ia arriti dot për një muaj e gjysmë rresht, sepse në pozicionet e çlirimtarëve të UÇK-së ndodheshin trimat si Muhameti me bashkëluftëtarë.

Më 3 korrik të vitit 1998, militarët serbë ndërmorën një ofensivë të shkallës së gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së te Kulla, vend në trekëndëshin midis fshatrave Qëndresë, Përçevë e Dollc. Në këtë ofensivë ishin angazhuar rreth 80 tanke të ardhura nga drejtimi i Pejës e Klinës, ndërsa nga pozicionet e tyre në fshatin Jashanicë, forcat serbe gjuanin me granata e me armë të tjera të rënda. Në mesin e çlirimtarëve, në pozicionet e Kullës ndodhej edhe Muhamet Haxhaj. Pozicioni i tij ishte buzë rrugës së asfaltuar, jo më shumë se 3 metra larg saj. Sulmi i armikut ishte i ashpër, por edhe qëndresa e çlirimtarëve heroike. Muhameti, i gjallë nuk do ta lejojë armikun t’i shpërthejë pozicionet e UÇK-së dhe të depërtojë në zonën e liruar, përkatësisht nëpër rrugën drejt Kijevës. Ai luftoi deri në fishekët e fundit. I kishin mbetur vetëm bombat, me të cilat do ta godasë armikun, deri në vetëflijim. Për një çast ringjallet Mic Sokoli, e ngrihet në këmbë Vojo Kushi. Me shembullin e tyre, Muhameti hidhet me gjithë bombat e tij mbi tankun serb, duke tmerruar armikun. Ai ishte tmerruar edhe nga pamja fizike e Muhametit, nga trupi i tij si i një vigani dhe nga mjekra si e Qerqiz Topullit.

Trupin e plagosur rëndë të Muhametit, forcat serbe e vendosin në transporter ushtarak dhe e dërgojnë në Pejë. Atë e varrosin në varrezat e qytetit. Ato ditë, në burgun e Pejës ishte përhapur informata se forcat serbe kishin zënë një muxhahedin, duke luftuar në radhët e UÇK-së. Këtë informatë e kishte dëgjuar, nga kolegët e tij, një gardian shqiptar, që punonte ende në këtë burg. Ai kishte pasur rast ta shihte edhe dokumentacionin e Muhametit dhe meqenëse kishte një lidhje familjare në fshatin Qëndresë, arrin të njoftojë për rënien e Muhametit dhe për vendin e varrosjes së tij. Pas thyerjes së pushtuesit serb dhe ikjes së tij nga Kosova, në verë të vitit 1999, trupi i dëshmorit Muhamet Haxhaj rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Grabanicë. Te vendi i rënies, te Kulla e Qëndresës, heroizmi i dëshmorit Muhamet Haxhaj është përjetësuar në lapidarin e ngritur për të. Emrin e tij sot e mban një rrugë e qytetit të Klinës, ndërsa me emrat e 6 dëshmorëve të fshatit Qëndresë, në mesin e të cilëve është edhe ai i dëshmorit Muhamet Haxhaj, është emërtuar shkolla fillore e këtij fshati. Sakrifica sublime e dëshmorit është çmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, e cila familjes së tij i ka akorduar Nderim.

Mirënjohje për dëshmorin ka dhënë edhe Këshilli komunal i Klinës.

Pas rënies së dëshmorit Muhamet Haxhaj, rrugën dhe qëndresën e tij për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb e kanë vazhduar bashkëluftëtarët e shumtë. Në radhët e këtyre bashkëluftëtarëve ishin edhe i vëllai i dëshmorit, Valdeti, i cili, një javë para së të binte Muhameti, nga Gjermania, ku kishte mërguar, ishte kthyer si ushtar i UÇK-së dhe dy djemtë e axhës, Avniu e Mala, pjesëtarë të brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Në një formë apo në një formë tjetër, në luftën çlirimtare ishin angazhuar dhe kishin kontribuar edhe vëllezërit e tjerë të Muhametit, Sejdiu, Isniu e Xhevdeti. Emrin e të atit e mbajnë prore në gojë edhe dy djemtë e tjerë të dëshmorit, Valoni e Driloni, të cilëve e ëma, Mihanja, ua kushton tërë përkujdesjen prindërore, ndërsa gjyshja, Nailja, në sytë e tyre shikon me mburrje pamjen hyjnore të të birit të rënë.

Çmimin e lirisë, në luftën e fundit çlirimtare, e paguan edhe babai i dëshmorit Muhamet Haxhaj, Seferi, të cilin, ndonëse ishte i paralizuar, barbarët serbë e dogjën në masakrën e Izbicës, në mars të vitit 1999. Në të njëjtën mënyrë vritet dhe digjet në fshatin Drenoc të komunës së Malishevës, edhe axha i Muhametit, Zeneli, kurse në fshatrat Dush e Siçevë të komunës së Klinës, kriminelët serbë vranë teze n e tij, të shoqin, dhe të birin e saj.

Në luftë kundër pushtuesit, kishin rënë edhe të parët e Muhametit. Stërgjyshi, Seferi, kishte rënë duke luftuar kundër forcave malazeze, te vendi i quajtur Livadhet e Gjakut, në kufirin midis Kosovës e Malit të Zi, në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Po ashtu, daja Zymer Malaj nga Rezalla e Skënderajt, kishte rënë në luftë kundër hordhive çetnike serbe, në fund të Luftës së Dytë Botërore, si pjesëtar i brigadës çlirimtare të Shaban Polluzhës. Shpirtin luftarak të këtyre brezave e trashëgoi edhe Muhameti.

Trimëria, qëndresa dhe flijimi i tij, në muajt e mëtejshëm të luftës në Kosovë e në trojet e tjera etnike shqiptare shërbyen si shembull frymëzimi luftarak për bashkëluftëtarët e tij. Ato do t’u shërbejnë si shembull frymëzimi edhe brezave të ardhshëm, si udhërrëfim i ndjenjës së atdhedashurisë për mbrojtjen e fryteve të luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …