Drenica si gjithherë e veçmas në epokën e UÇK-së ka dhënë maksimumin e asaj çka mund të jepet për çlirimin e vendit nga barbaria shekullore serbe. Nuk ka fshat në Drenicë që gjatë luftës së UÇK-së të mos ketë dhënë dëshmorë e martirë për çlirimin e vendit. Edhe pse lufta ishte krejtësisht e pabarabartë në numër të forcave ndërluftuese dhe në teknikë luftarake, popullata e kësaj pjese të Kosovës ishte mobilizuar i madh e i vogël, burrë e grua me qëllim për ta çliruar vendin nga pushtuesi i egër e gjakatar.
Në radhët e çlirimtarëve të orëve të para ishte edhe Muhamet Çitaku. Ai u lind më 8 shkurt të vitit 1969.
Ishte djali i Shaban Çitakut.
Shkollën fillore e kishte kryer në fshatin Leçinë, ndërsa të mesmen në Skënderaj.
Prindërit e tij lindën e rritën pesë bijë: Mehmetin, Esetin, Shefqetin, Muhametin, (dëshmor) e Naimin, si dhe pesë bija: Mevluden, Hanën, Remzien, Ganimeten, dhe Kimeten.
Muhameti qysh i ri ishte frymëzuar kombëtarisht dhe kishte marrë pjesë në aktivitete të ndryshme dhe veprimtari çlirimtare. Ka marrë pjesë në demonstrata e vitit 1989 kur Ushtria dhe policia serbe kishte pezulluar autonominë e Kosovës dhe po përgatitej për nënshtrimin e plotë të shqiptarëve. Edhe më pas nuk i ka pushuar asnjëherë aktivitetet atdhetare.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas kushtrimit të legjendarit Adem Jashari dhe luftës heroike në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Muhameti, pa asnjë hezitim iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së, në Drenicë.
Më 15 mars të po atij viti, sistemohet në Pikën e UÇK-së në fshatin Çitak, më vonë Brigada 112, “Arben Haliti”, e Zonës Operative të Drenicës. Asokohe komandant i Togës ishte Isa Çitaku, i Kompanisë, Hajriz Bajra, komandant i Batalionit ishte Sadri Konjuhi, ndërsa komandant i Brigadës ishte Jetulluh Geci.
Muhameti i njihtetë gjithë eprorët dhe ishte shumë i përkushtuar të luftonte në radhët e tyre për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe, e cila në pamundësi për t u ballafaquar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, masakronte popullatën civile, me qëllim që shqiptarët të largoheshin nga atdheu i tyre.
Ishte i dashur, solidar, besnik dhe i respektuar nga bashkëluftëtarët e tij. Për një kohë të shkurtë sa pati fat të ishte në radhët e çlirimtarëve, Muahmeti ka marrë pjesë në disa veprime luftarake, në pranverë të vitit 1998, në rajonin e Drenicës.
Me bashkëluftëtarët e tij: Isa Çitaku, Hajzer Çitaku e shumë të tjerë ka marrë pjesë në luftimet që asokohe ishin zhvilluar në Runik, në Çitak, në Pemishte e vende të tjera.
Në një përleshje me forcat serbe, më 15 maj të vitit 1998 ndodhej në fshatin e tij kur edhe u godit nga breshëria e armesë armike. Atë ditë Muhamet Çitaku bie dëshmor. Po atë ditë nga plumbat e armës serbe martirizohet edhe xhaxhai i tij, Rifat Çitaku.
Bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit e varrosin me nderime më 16 maj në varrezat e fshatit të lindjes. Muhameti ka qenë i martuar. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje e nderime nga strukturat e SHP të UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga shoqatat e dala nga lufta dhe nga komuna.