Edhe në histori, në këtë “punishte misterioze të perëndisë”, çastet e mëdha dhe të paharruara janë të rralla !
Gëte
Fisi Gjolekaj është autokton në fshatin Kuç të krahinës së Kurveleshit, pjesë e Labërisë, që administrohet nga Prefektura e Vlorës në jug të Shqipërisë. Nga prejardhja ky fis krahas varfërisë trashëgoi edhe një “bejllëk”. Në truallin e këtij fisi kanë lindur : Zenel Gjoleka i famshëm, prijës i kryengritjeve popullore kundër Turqisë për 25 vjet me radhë. Ai e mbylli aktivitetin patriotik, mbas 22 betejash, duke dhënë jetën e tij kundër shovenëve malazes, midis Danillovgradit e Podgoricës. Kapedanin populli e përjetësoi me këto vargje :
“Pse lufton a derëzi
As për mua as për ti
Po për gjithë Shqipëri”….
Një tjetër Gjolekë ishte Myslim Zenel Gjoleka, luftëtar trim e diplomat dhe i vendosur për autonominë e Shqipërisë, ish anëtar i “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” dhe komandant i 2000 luftëtarëve nga jugu, në dispozicion të Lidhjes krah i djathtë i Abdyl Frashërit në aktivitete në jugë të Shqipërisë. Tjetër Gjolekë ishte Bido Gjoleka që luftoi në Pllavë e Guci, në krye të 120 luftëtarëve lab kundër vojvod Milanit.
Pasardhës të tjerë në vazhdimësi si Kadriu, Rakipi, Shefqeti, Zeneli (i dytë), Xhevdeti e Bejkushi, të gjithë Gjolekë që kanë bërë vend në jetën dhe historinë kombëtare. Me kontribute madhore në fatet e kombit, kur të tjerët “s’dinin” ç’ishte Kombi, ata derdhën djersë e gjak.
Në shumicën e rasteve, historia me paanësinë e rregjistruesit të ngjarjeve, shënon fakt pas fakti dhe shton nga një hallkë në zinxhirin vigan që kalon përmes viteve, pavarësisht shtrembërimeve të përkohëshme “e vërteta shytet, por nuk mbytet”- çdo ngjarje e madhe piqet pa u vënë re. Nga miliona që përbëjnë një popull, të rrallë janë ata që bëjnë heroikën dhe nga milionat e orëve që rrjedhin kot, vetëm një bëhet heroike. Këtij fisi i ra “fati” i historisë së heroikës dhe këtë e ka pasqyruar pak a shumë historia mbarë kombëtare e krahinore, pavarësisht nga cmirat e ambiciet fisnore dhe politike, që bënë hyjninë dhe u dhanë rëndësi armiqësive konkurrente vetiake së të vërtetës, megjithatë gjolekajt bënë vend të merituar në të.
Një nga pasardhësit e denjë të këtij fisi ishte Perlat Gjoleka, që lindi dhe u rrit po aty ku kish patur ndër breza të parët e tij lavdiplotë. Koha dhe rrethanat e sollën që në vitin 1941 të vendosej në Kosovë ku duke i vlerësuar performancën i dhanë detyra drejtuese në pushtetin vendor. Gjithmonë duke ushtruar detyrën e kryetarit a sekretarit në Komunat Zhur, Arllat, Ostrozup e Zym. Kudo e kurdoherë ai shfaqi fisnikëri, sjellje korrekte e kulturë të lartë shoqërore. U bë pjësë e përpjekjeve Kosovare për liri e pavarësi por dhe e psikologjisë dhe jetës malësore që jepnin reciprokisht gjithshka njëri tjetrit.
Ato vite grumbulluan në Kosovë një sasi kolosale rrethanash e ngjarjesh. Ishin shqetësimet e kohës, flamuri, arsimi e mëvehtësia kombëtare, të gjitha falë trashëgimisë së hershme të vullnetit kombëtar para e pasrilindas, ndaj të cilave Perlati nuk qëndroi indiferent dhe as si i “huaj” por hyri në hullin e problemeve të kohës dhe tregoi përkatësinë e tij. Për këtë u angazhua në aktivitetet konkrete, në shërbim të vullnetit historik të popullit kosovar dhe u vra nga UDB-japër kundërvënie në krye të rreziqeve.
Në vitin 1942, në vendshërbimin si sekretar komune, në Ostrozup kur po festohej dita e Flamurit, 28 Nëntori, ditën e 30 vjetorit të pavarësisë, ai qëlloi me armë flamurin Italian që u ngrit krahas atij shqiptar. Në këtë ceremoni festive kryetari i komunës (një shqiptar) nuk pyeti për kundërshtitë që lindën lidhur me ngritjen edhe të flamurit italian, krahas atij shqiptar me të cilin lidhej festa. Ishte koha kur njerëzit i faleshin flamurit e ndiznin qirinj e kandila poshtë tij, ashtu si krishtit (L.K). Por qëndrimi e veprimi i kryetarit të Komunës ndeshi në stoicizmin e Perlatit, që lidhej me kujtesën historike kur italianët para shumë vitesh (1919), në Vlorë flamurin shqiptar e lidhnin në bishtin e qenve që ata i vinin të bridhnin nëpër Pazar ! Ndërsa në Ostrozup flamuri Italian i bënte “hije” atij shqiptar. Këtë nuk mund ta duronte nacionaliteti i kohës dhe qënia e Perlatit. Ai gen nuk e pranonte dot këtë, sepse kishte trashëgimi të vjetër kombëtare, me rrënjë të vjetra gjykimi e krahasimi për flamurin që ishte kënduar në truallin e tij :
“ Shqipëri, o shkëmb e gur,
Vrite, prite për flamur,
Bota hiq e tin vur…!
Edhe pse Musolini, me këtë rast në urimin për 30 vjetorin e Pavarësisë, shprehte “sigurinë e ardhmërisë si shenjë e veçantë e kujdesit qëndrues e veprues’- “Ne u kemi sigurue statutin e dhuruem prej nesh”! Por Perlati s’pyeti për “garanci” mbretërore dhe as për pasojat dhe nuk iu drodh dora të qëllonte, sepse s’pati frikë nga vuajtjet dhe s’donte të vuante nga frika, prandaj qëlloi mbi simbolin Italian të ngritur në Komunë, që në atë kohë, për të vriteshin efektivat e korparmatave e divizioneve. Kjo u bë çështje shqetësuese për autoritetet se : “si, një nëpunës” derdhte urrejtje me armë kundër simbolit italian ! Për këtë u arrestua dhe u dërgua fillimisht në Rahovec e më vonë u dërgua në burgun e Tiranës. Me këtë rast në Rahovec, ishin autoritetet fashiste e vendore që detyruan tregtarët për të organizuar njerëz me influence fashiste, të cilët kur kaloi Perlati, e pështynin, gjoja për “indinjatë” ndaj veprimit kundër autoritetit fashist. Në të njejtën kohë, simpatizant të aktit që kreu Perlati, dhe njerëz anti-fashist, si juristi Hasan Kryeziu dhe Hoxhë Hyseni (një fetar), u aktivizuan. Ata mblodhën deklarime e dëshmitarë që justifikonin aktin dhe lehtësonin të arrestuarin.. Midis tyre dhe dy xhandarë me emrat : Sokol e Rexhep….Megjithatë Perlati bëri 5-6 muaj burg dhe pasi u gjykua doli i pafajshëm, edhe pse i veshën poshtërsi jashtë traditës gjakderdhëse patriotike për komb e flamur. Pas kësaj ai u kthye përsëri në detyrë, por jo në Ostrozup. U emrua sërish në Komunën e Arllatit e prej andej në Zym, ku punoi kryetar e sekretar Komune, deri në dhjetor 1946.
Në ruajtje të kuptimit të vlerave të ideve dhe traditës që kishte, u lidh në aktivitet me Emin Durakun, Rifat Berishën ( Nën kryetar i Këshillit krahinor Nacional Clirimtar), Fadil Hoxhën, Emin Durakun, Qamil Brovinën etj. dhe kreu detyra e detyrime duke dhënë prova në funksion të idealeve të kohës. Punoi në terren dhe u inkuadrua në brigadat partizane. Gëzoi gjithmonë simpati e popullaritet në rrethinat e Prizrenit. Veprimtari të tilla janë të pasqyruara në dokumenta të paraqitura në Muzeun e Kukësit nga veteran të luftës dhe deklarime zyrtare njohësish nga afër të tij.
Arrestohet nga partizanët e Shefqet Peçit
Kur brigade e 5-të partizane, që komandohej nga Kolonel Shefqet Peçi kaloi kufirin shtëtëror, u takua edhe me udhëheqës krahinor me Fadil Hoxhën dhe P.Gjolekën, në komandë të batalioneve kosovare, në Qafë Prush, pikërisht ku bëhej plani i kapërcimit të lumit Drin. Por kur Brigata e 5-të u grumbullua në fshatin Zym e forcat po “mblidhnin” vehten, nga “krerë” të kësaj brigate, bashkëfshatarë e miq të kundërshtarëve fisnorë, Perlati u pa si “dele e zezë”, me telepati e tejqyra të paisura me thyerëza me shikim të përmbysur. Kjo për shkaqe e të parit të gjërave partizançe, të mos veçimit të “drurit” nga “pylli” krejtë për ambicie. Dhe pse kishte shkuar dhe u gjend në ato territore- dhe kushdo gjendej jashtë Shqipërisë cilësohej tradhëtar e bashkëpunëtor më armiqtë. Aq më tepër që pjestarë të fisit të tij ishin kundër formave të luftës së zhvilluar në fshatin e tyre; prandaj duhej ta kapte “lufta pa mbarim e klasave”! Pse jo dhe ambicioze për të nxjerrë dhe ndonjë “gozhdë” të vjetër anadollake ! Pse ishte nga Gjolekajt e famshëm dhe pse një njeri i fisit. Zenel Gjoleka( II)- ishte i njohur për ide dhe koncepte të kundërta për luftën që zhvillohej…!Pa pyetur për tipikën dhe psikologjinë që i ndante ose i bashkonte njerëzit në ato kohë, Perlati arrestohet së bashku me të atin me pretendimin se “gjetëm armikun”! Për këtë ngjarje vetë udhëheqësit e kohës në krahinën e Kosovës kërkuan sqarime në shtabin e brigatës partizane të ardhur nga Shqipëria. Ata ju thanë : “nëse Perlati ka problem nga Shqipëria na thoni”…! –“Nëse ka gjëra që lidhen me Kosovën, na pyesni, sepse ai është nga më patriotët këtu”…! Kjo i detyroi krerët e Brigadës së 5-të (Shefqet Peçin) që ta lironin. Kjo Perlatin nuk e friksoi dhe as e tuti. Përsëri vazhdoi angazhimin e tij idealist, biles edhe me Brigadën e 5-të, së bashku me kosovarë të tjerë mori përgjegjësi e pjesë në disa luftime dhe deri sa u çlirua Kosova. Në shtëpinë e tij u strehuan edhe partizan e kuadro. Për këto ka dokumente arkivale e deklarime nga ish pjesëtarë të formacioneve të rregullta dhe atyre të terrenit, matanë e këtej kufirit shtetëror.
Tregues i kontributeve ishte dhe fakti që pas përfundimit të luftës ai ruajti të njejtën detyrë me atë para luftës- kryetar e sekretar komune po në Zym. Po të ishte ndryshe, do ta kishte humbur këtë vendosje ose vazhdimësinë në krye të pushtetit vendor, Komuna Zym, aq më tepër që koka i kishte lindur diku larg vendit kontribues !
Pushohet….burgoset…del pa faj…arrestohet dhe vritet nga UDB-ja
Perlat Gjoleka, jetoi, punoi e luftoi me ëndrat dhe idealet e kohës, deri në mbarim të luftës së Dytë Botërore dhe s’ishte i vetmi në atë kohë dhe vend. Ai u dallua midis të tjerëve dhe si njeri i veprimit konkret. Për këto, pas çlirimit të Kosovës u vlerësua dhe nuk u konsiderua e trajtua me “rezerva” dhe me pasoja ksenofobe. Kjo ishte vlerësimi i punës dhe kontributeve të tij. Duke qenë në krye të pushtetit vendor komunal Zym, ishte nga më aktivët për zhdukjen e pasojave të luftës në zonën e Hasit të thatë. Por nga skutat e errëta të politikës, ajo për të cilën u luftua u paraqit me rezultate e parime të tjera, e bardha u nxi qëllimisht. Gjaku i dedhur u shfaq me përbërës të tjerë dhe humbi “hemoglobinën”. Për pasojë njerëzit e thjeshtë me ide kombëtare humbën besimin e qëllimeve për të cilat kishin luftuar. U shfaqën goditjet antishqiptare ultrashoviniste me akuza “izmash” kundër Konferencës së Bujanit dhe emërtime abuzive e përbuzëse duke i quajtur shqiptarët “shiftar”. Këtu filluan të shfaqen edhe pakënaqësitë publike sa nën zë aq edhe hapur. Dhe njerëzit nuk falin dot, në rastet kur gëzimet e qëllimet e sinqerta përfundojnë në zhgënjime. Nuk falin dot ata prej të cilëve kanë pritur e që gënjejnë shpresat. Për këtë, midis dhe në krye të njerëzve anti serb në ato mjedise ishte Perlat Gjoleka. Këto mjaftuan që të mbushej “kupa” dhe për të dhënë “shpërblimin mirënjohës!”
E pushojnë nga puna fillimisht dhe e mbajnë nën vëzhgim e më vonë e arrestojnë dhe pas 3-muaj burg e nxjerrin në gjyq. Për mungësë faktesh e dëshmitarësh dolli pa asnjë faj. Por historia nuk mbaroi me kaq, sepse siç duket qëndrimet dhe influenca e Perlatit kishin “shkelur në kallo” devizën e sistemit dhe ai kishte hyrë në listat e zeza si njeri i rrezikshëm. Kjo mjaftonte. Po OSN-a kishte eksperiencë të sukseshme në endjen e rrjetave të “merimangës” nëpërmjet “kulaçit” dhe kërbaçit. I propozuan që të vihej në shërbim të tyre duke menduar paraburgun e pasojat e tjera, me shpreë se, Perlati do pranonte që t’u shërbente qëllimeve të UDB-ës. Por gabuan sepse karakteri dhe trashëgimia nuk mund të futeshin në gracka të tilla,- Pas “kulaçit” erdhi kërbaçi. Ajo që pritej dhe nuk vonoi arrestimi! Këtë dhe vetë Perlati e parandjente dhe një ditë përpara arrestimit u tha bashkëpunëtorëve : “Unë e di se do të më arrestojnë, por ju mbani besën si i ka hije shqiptarit, sepse kjo tokë nuk e duron atë flamur” !-ishte fjala për flamurin serb… Dhe u bë ajo që kish parandjerë vetë Perlati dhe vendosur UDB-ja, arrestimin.
Në Dhjetor 1946 UDB-ja e arreston dhe e vret (por pa ja mposhtur dot burrërinë, të cilën nuk e la pa e shfaqur) justifikuan e me motive të shpikura se “desh të arratisej” ashtu siç justifikoi edhe 30-40 mijë të tjerë, të vrarë në gjithë Kosovën (sipas Frankfurt Algemain, 1981).Këto përbënin dhe gjetjen më të “mrekullushme” për të mbuluar gjurmët e krimeve: natën, në rrugë e midis pyjeve- hajde gjeje të vërtetën. Akoma më keq kur dëshmitari vritet dhe vrasësi dëshmon vetëm për vete dhe si të dojë kundër viktimës së vet!
Për të demostruar “dorën e fortë” dhe cilësimin “irredentist”, “nacionalist”, “agjitacion armiqësor” etj.- (fjalë këto mjegullore të funksionarëve që kishin mësuar në karierën e vet), grumbulluan nxënës e popull të zonës për të parë kufomën e Perlatit, në qendër të Zymit, sigurisht për t’u dhënë kuptimin tregues, se kështu do ta pësojë kushdo që do të goxonte të bënte si ai…
Edhe familjen e Perlatit- gruan, babanë dhe tre fëmijët, më i vogli as një vjeç, nuk i lanë jashtë “kujdesit”. I çuan në burgun e Prizrenit ku mblidheshin nën një cep batanije me zonjën Marie Shllaku, kontribuese e patriote në luftën për liri. Në atë kohë në burg ishte dhe prifti Gjergj Martini i lidhur me zinxhirë në këmbë, trajtimi i të cilit përcolli tek fëmijët e burgut tmerrin përpara se ta pushkatonin. Megjithatë ai dhe Maria përpara se të pushkatoheshin këndonin Hymnin e Flamurit, megjithse goja u mbyllej nga policët e shërbimit të burgut. E sigurtë është se Maries i mbeti pa realizuar amanetin, për të prerë flokët e saj dhe t’ia çonte kujtim nënës në Shkodër…!-
Në pranverë 1947, familjen e Perlatit e përcjellin me polic në Kukës e prej andej në Tiranë. Me të mbërritur në Tiranë, babai i Perlatit, Shefqet Myslim Gjoleka, në moshën 75 vjeçare e arrestojnë dhe akuzat përfshinin nene që të tjerë të akuzuar në atë kohë në Shqipëri, kishin marrë n’atë botë – plumbin ! U gjykua e dënua nga gjykata ushtarake, ku një anëtar i trupit gjykues e qëlloi me shpulla pa pritur vendimin gjykues! Fëmijët gjetën mbështetje tek njerëzit e afërt të gruas së Perlatit, por “lufta e klasave” nuk i la anjëherë të qetë dhe nuk patën asnjëherë barazi me moshatarët e vet, pavarësisht nga aftësitë e padiskutueshme intelektuale të tyre.
Perlat Gjoleka u vra disa herë…
Pas vrasjes, Perlat Gjolekën në Shqipëri e paraqitën me të gjitha etiketimet negative e poshtruese. UDB-ja mblodhi rreth kufomës popull nga krahina dhe mbyllën shkollat e sollën vocërrakët e qytetarë, për të parë një të vrarë e për tu futur frikën botës së tyre fëminore. Për t’u thënë të rriturve : “rini urtë” se “kështu” do ta pësojë kushdo që guxon. Oficeri komandues u foli njerëzve të sjellë apostafat me fjalët “Poshtruese” të fjalorit fantazist politik, për “irredentistin”, “nacionalistin” dhe “armiqësorin” jo vendas Perlat Gjoleka. Por ndryshe nga invadori serb u foli mësuesi nxënësve të tij në klasë në shkollën e Zymit. Ai kur u kthye me nxënësit në shkollë nga sehiri makabër- u tha nxënësve : të mbanin një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e të rënit dhe vlerësoi fugurën e tij.
“Vrasja vazhdoi!
1.Ai nuk u varros në varrezat e fshatit dhe kjo qe vazhdimësi e vrasjes.
2.Do të kalonin disa vite dhe varri humbi fare nën gërmadhat e socializmit jugosllav, por çudia qëndron ‘gjallë’ dhe sot pasi shumë kërkesash institucionale në kushte demokracie “lozet me parime !”. Sot nuk gjendet asnjë shenjë e pronës që merr njeriu n’atë botë- pra humbi dhe varri ! Varri i tij e pësoi më keq se ai i Gjeçovit, jo shumë larg tij dhe sot pa dyshim i rikonstruktuar.
3.Shteti shqiptar nuk u bë i gjallë anjë herë, që të pyeste për fatin, shkaqet, pasojat dhe detyrimin ndaj qytetarit të vet, por vazhdonin ceremonialet e dekorimeve të ndërsjellta, aty dhe Ministrin e Brendshëm jugosllav. Nuk i doli kush për “zot” qytetarie, sepse qe “plangëprishës i miqësisë” shqiptaro-jugosllave. Ish ambasadori shqiptar në Beograd më 1946, nuk pyeti as formalisht për bashkëkombasin e vet!
4.Asnjëherë familjes nuk ju tha se ç’bëri njeriu i tyre që u vra dhe të tregonte gojarisht se ku u varros, por u hesht për familjen, fëmijët e tij, të cilët i përfshiu llava përvëluese e “luftës së klasave”!. Dhe për të qënë brenda dhe me parimin “më mirë të dyshosh”-të pavërtetat u rrokullisën dhe u bënë ortek, sepse dhe koha u mbars me misteret dhe makutërinë e politikës shqiptaro-jugosllave. Ambiciet fisnore që zotëronin hakmarrje e futën si njeri negativ në historikun e fshatit pa ditur asgjë edhe pse ky historik gjysma ishte për lavdinë e Gjolekës, edhe pse Perlati u largua në vitin 1941. U shpif aq shumë – u hodh baltë me sajesa mbi të pa ditur të vërtetën- patriotizmin e tij.
Të gjeneralizuarit demoniac jo njerëzorë, qëllimishtë nuk deshën t’u referoheshin fakteve dhe shkelën mbi të vërtetat e shumta.
Familja me mendjen akull dhe trishtim të ligjshëm, luftoi me këmbëngulje që të hidhte dritën e vërtetë mbi figurën e njeriut të tyre, nëpërmjet dokumentave, por kjo mbeti si i thonë: “Fjala e mirë e guri në trajse” nga shteti.
Nga pikpamja zyrtare të kërkesave nga strukturat e shtetit (nr.prot. 200/3 datë 23.02.1979) thuhet se Perlat Gjoleka ka mbajtur qëndrim të mirë moralo-politike. Ministria e Brendshme pohonte nga ana e saj, se nuk kishte asnjë të dhënë !- Nga mund të mësonte më shumë rreth të vërtetës familja, kur kufinjtë ishin gjembëzuar, bunkerizuar e hermetizuar ?!- Por falë përpjekjeve të familjes dhe në mënyrë të veçantë të punës së palodhur hulumtuese, duke mos pyetur për pengesat, që shpesh e kanë rrezikuar me goditje politike, duke mos u vlerësuar në kryerjen e detyrës dhe ngjitjen në karierrën profesionale, të shkruesit të këtyre rradhëve, si dhe ndërgjegjes dhe ndershmërisë qytetare; u gjetën dokumenta e njerëz që e kanë njohur nga afër dhe që kanë patur kontribute të përbashkëta me Perlat Gjolekën, në të dy anët e kufirit, që, mbi të hodhën dritë vlerash e pasojash përfshirë dhe autorë kosovarë nëpërmjet librash të botuara dhe jashtë Kosovës e Shqipërisë:
- Tahir Zajmi : “Lidhja e 2-të e Prizrenit dhe kapitulli “Lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”- Bruxel 1964,fq.62.
- Fatmir Kosova ( Preng Gruda) “UDB dhe shqiptarët e Amerikës”, Nju Jork, 1991, fq.69-70.
- Zekeria Cana : “Shpalime historike”- 2” Prishtinë, 1999,fq.67.
- Nikollë Kërhanaj : “Abetarja e Zymit”, Zym, 1997, fq.73.
- Gazeta (të kohëve : D+M e shoqatave) në Shqipëri.
- Fehmi Sinella : “Kur më-kurrë”- 2011, ish mësues 1946 në Zym- Kosovë- sot në Kavajë.
Historia dhe tragjeditë e Kombit janë aq të shumta e të vërteta, sa dhe vetë ekzistenca e tij. Historia dhe kontributet janë të lidhura mes tyre, qofshin të vjetra ose të reja. E vjetra ka krijuar shtrat për të renë, por kjo e fundit nuk duhet të bëhet shtresë “pluhuri harrese” për gjurmët e vjetra, apo të krijojë qoftë dhe përshtypje të tilla. Harresa si proces psikik është dhe i nevojshëm por asnjëherë memorja historike kombëtare nuk duhet të humbasë. Përkundrazi, gjaku i derdhur duhet të shërbejë e përsëritet si memorandum, të paktën ndaj vetvetes kombëtare e mirëdashëse pa cepa e thepash “orakllëqesh!”
Njërëzit bënë aq sa mundën qoftë edhe vetëm thjeshtë për idenë me përmbajtje “Kosovës liri – Bashkim – Shqipëri”, brenda kohës së tyre e kërkesave të saj parësore. Sot, mendoj se duhet të kapërcehen kufinjtë e ngrirë të mundësive politiko-shoqërore a pushtetore, apo subjektivizmat klasore e lobiste- kundër “standarteve” të kokëfortësisë që konstaton Shopenhauri : se “çdo njeri mund të gjykojë e kuptojë vetëm atë që është e ngjajshme me të vetën”?!
U takon të tashmëve në drejtimin e Kosovës që edhe brenda shumë ngarkesave, të vërtetën dhe kontributet t’i njohin e mos harrojnë, t’i studiojnë e afishojnë me mendje e zemër, duke dhënë vlerat: të përgjithshmes, periudhave dhe individëve.
Ka ardhur koha, që midis gjithë atyre që kanë mbetur në “hije” edhe Perlat Gjolekës i lind e drejta të njihet i vlerësuar e të vlerësohet, sepse ka qenë pjesë e veprave të mira por dhe në shërbim të Kosovës, prandaj dhe duhet t’i jepet mundësia e merituar institucionale e një titullim nderi e vlerash, që përpjekjet e të kaluarës dhe ato të sotme të kthehen në mundësi e njohuri rilindje vlerash…
Ata që punuan e kontribuan dje- dhe zgjodhën idealet e guximin dhe s’pyetën për vlerat që u takojnë për të marrë sot, megjithatë brezat duhet ti vlerësojnë. Ata ishin ndër pikat e para që ranë mbi një shkëmb që duhej shkatërruar !
Tiranë, më 17.06.2013