Muharrem Xhemajli: Mos-zgjidhja e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së nuk ka të bëjë me presionet ndërkombëtare

Mos-zgjidhja e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së nuk ka të bëjë me presionet ndërkombëtare e as me përgatitjet për zgjedhje. Kështu ka pohuar në një intervistë për radion‘Kosova e Lirë’, kreu i OVL së UÇK-së, Muharrem Xhemajli. Ai ka theksuar se ekziston një mos-gatishmëri e politikës vendore për t’u marrë me këtë çështje. Sipas tij, arsyetimet që ka dhënë Agim Çeku për mungesën e gjatë të mbledhjeve të Komisionit për Verifikimin e Veteranëve nuk janë të qëndrueshme. Xhemajli ka paralajmëruar se në rast se vazhdon kjo shpërfillje, atëherë Organizata e Veteranëve do të ndërmarrë masa, duke përfshirë protesta, demonstrata e forma të padëgjueshmërisë qytetare.

 RKL: z. Xhemajli për fillim të intervistës na njoftoni për aktivitetet e fundit të organizatës së Veteranëve?

Xhemajli: Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së merret kryesisht me problemet e veteranëve të UÇK-së, probleme të cilat fatkeqësisht nuk janë zgjedhur në mënyrë institucionale dhe shtetërore. Probleme të pazgjidhura mbeten edhe kërkesat më elementare siç janë ato të barnave, trajtimit shëndetësor, strehimi i tyre si dhe kërkesa të tjera të nevojshme. Ne si organizatë jemi detyruar të merremi edhe me protesta e organizime të ndryshme për shkak të padrejtësive që janë bërë kundër bashkëluftëtarëve tanë prej përfundimit të luftës e deri më tani. Organizata e Veteranëve ka organizuar me dhjetëra protesta në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së. Krahas kësaj merremi edhe me organizimin e aktiviteteve përkujtimore për Dëshmorët e Kombit si dhe me aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vlerave të luftës sonë çlirimtare.

RKL:  RKL: z.Xhemajli në një prononcim për medie keni pohuar se Komisioni për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së i kryesuar nga ministri i FSK-së, Agim Çeku nuk është mbledhur qe 5 muaj. Cila mendoni të jetë arsyeja e kësaj zvarritje, përgatitjet për zgjedhje apo presioni nga ndërkombëtarët?

 Xhemajli: Unë nuk besoj se është ndonjëra prej tyre. Këtu kemi të bëjmë me një mos-gatishmëri të politikës vendore për të zgjidhur statusin e veteranit të luftës së UÇK-së dhe për të marrë një qasje më të drejtëpërdrejtë që veteranët të kenë vendin e merituar në bazë të ligjeve që duhet të miratohen nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.

RKL: Pse po krijohet kjo neglizhencë?

Xhemajli: Realisht ne nuk mund të themi se cilat janë arsyet e sakta. Përkundër kërkesave tona, ende nuk është dhënë një sqarim zyrtar nga kryetari i Komisionit, z.Agim Çeku mbi arsyet pse nuk është duke u mbledhur komisioni. Ai fillimisht është arsyetuar se mbledhjet e komisionit pamundësohen nga mungesa e dy anëtarëve, z.Sami Lushtaku dhe Jahir Demaku, të cilët tani janë nën arrest.   Për ne këto arsyetime janë të paqëndrueshme sepse komisioni mund të plotësohet por edhe të punojë pa praninë e këtyre dy anëtarëve. Sidoqoftë, këto çështje më së miri mund t’i sqarojë vetë z.Çeku.

RKL: Një deputet i Kuvendit të Kosovës fajëson për këtë gjendje mos-përcaktimin e kritereve për aplikimin e veteranëve. Sipas tij, kjo ka krijuar një situatë të paqëndrueshme e madje edhe konfuze. A mendoni se nga mungesa e definimit të qartë të kritereve ka sjellë një valë të madhe aplikimesh?

Xhemajli: Është fakt se mos-definimi i saktë i kritereve se kush duhet të jetë veteran i luftës së UÇK-së, pjesëmarrës, invalid apo Dëshmor, ka shkaktuar një valë shumë të madhe meqë kemi mbi 60 mijë aplikacione të plotësuara. Komisioni ka bërë disa propozime dhe kërkesa sesi duhet të jetë kategorizimi. Me aq sa kam informacione, këto propozime kanë shkuar në Komisionin Parlamentar për Legjislacion dhe ata janë duke punuar në këtë drejtim. Ne presim që shumë shpejt të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit aktual në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj të fillojnë edhe procedurat e tjera.

RKL: Në rast se vazhdon kjo shpërfillje nga ana e institucioneve vendore, cilët do të jenë hapat e radhës të veteranëve të luftës së UÇK-së?

Xhemajli: Organizata e Veteranëve vepron në bazë të programit dhe statutit të saj. Të gjitha vendimet do të merren në kuadër të Këshillit Drejtues. Ne nuk përjashtojmë të gjitha mundësitë e reagimit tonë, duke përfshirë protestat, demonstratat, mosdëgjueshmërinë qytetare dhe të gjitha format e tjera varësisht prej situatës e cila do të krijohet.

RKL: Më parë ishin shfaqur zëra që veteranët duhet të formojnë një parti politike. Kjo kërkesë kishte ardhur pas refuzimit të Kuvendit të Kosovës që t’ia heqë mandatin ekzekutiv misionit për sundimin e ligjit, EULEX. A keni marrë ndonjë hap në drejtim të kësaj nisme, dmth formimit të një partie të re politike?

Xhemajli: Realisht kjo nuk ka qenë nismë e Organizatës. Kërkesa si e tillë ka qenë prej disa bashkëpunëtorëve, degëve dhe anëtarëve të organizatës. Ajo nuk është menduar si parti politike por si nismë e cila do të garonte në zgjedhjet e përgjithshme, ku pretendohet që përmes këtij garimi të futen bartësit e luftës së UÇK-së dmth veteranët dhe në Kuvend të japin kontributin e tyre për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Ne po e shohim se tani si asnjëherë më parë në Kuvend e Qeveri ka njerëz që kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së, por prapëseprapë po mungon vullneti i tyre për të mbrojtur vlerat e luftës.

RKL: Cili është bashkëpunimi i juaj me veteranët e luftës nga Kroacia, Bosnja ose vende të tjera të Evropës?

Xhemajli: Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është anëtare e Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës. Njëherazi, unë jam edhe nënkryetar i kësaj konfederate. Kurse, në konfederatën botërore të veteranëve jemi anëtar me të drejta të plota që nga viti 2009. Bashkëpunim me ta është shumë i mirë. E njëjta mund të thuhet edhe mbi bashkëpunimin me veteranët e Kroacisë, me të cilët kemi marrëdhënie shumë të mira duke mbajtur kontakte të vazhdueshme. Kurse, me veteranët e Bosnjës nuk kemi ndonjë kontakt të afërt, ndonëse takohemi gjatë mbledhjeve në Konfederatën Botërore.

25 tetor 2013
Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …