Ditën e 13 dhjetorit të dimrit të acartë të vitit 1998, Mujë Krasniqi kishte ndarë mendjen për të çarë kufirin dhe për t`u futur në Kosovë. Atë ditë, para bashkëluftëtarëve kishte mbajtur një fjalë rasti. Kishte kërkuar nga luftëtarët që të gjithë ata që mendonin se nuk do të mund ta përballonin futjen në Kosovë në rrethana të tilla, të mos niseshin, por të prisnin radhën tjetër. Kishte kërkuar nga ata që ishin sëmurë apo të plagosur të mos niseshin. Të njëjtat fjalë ua kishte përsëritur bashkëluftëtarëve edhe profesori luftëtar, Rifat Mëziu, shpjegon luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla, i quajtur Rambo. Mirëpo trimat dhe trimëreshat e Kosovës, nuk ishin mëdyshur. Rrugën për të kaluar nëpër bjeshkët e larta 1700 metra të Pashtrikut, nëpër dëborën, që vende-vende arrinte deri në 2 metra, e kishin marrë 143 luftëtarë, të cilëve në ballë iu printe Mujë Krasniqi, apo komandant Kapuqi, siç e quanin bashkëluftëtarët. Disa nga bashkëluftëtarët kishin marrë informata se forcat serbe i kishin zënë shtigjet, ndërsa dëbora po ashtu kishte zënë disa shtigje të tjera, ku nuk arrinte këmba e armikut. Muja kishte vendosur. Kudo ku ta takojmë serbin, do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit në frontet e luftës. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka. Fjala e tij ishte aprovuar nga të gjithë.
Në mëngjesin e acartë të dimrit në Pashtrik, në relacionin Lkenet e Hasit-Gorozhup, me të rënë agu i parë mëngjesor, forcat serbe, të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, godasin mu në mes të kolonës, me qëllim të krijimit të hutisë. Lufta nis nga të tri anët ku ishin pozicionuar forcat armike. Luftimet zhvillohen fyt për fyt me forcat ushtarake e policore serbe, thotë luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla, i cili ndodhej në radhët e para. Breshëria e armës armike kishte përshkuar trupin e Mujë Krasniqit, të Beqir Gashit, Ali Krasniqit, Rifat Mëziut dhe të 32 luftëtarëve të tjerë të lirisë. Disa prej tyre kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë. Disa të tjerë ishin plagosur. Nëntë prej tyre, shumica të plagosur dhe gati të ngrirë nga acari, ishin zënë robër nga forcat armike. Edhe forcat armike kishin pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz.