Mungesa e kundër fushatës në drejtim të Beogradit, zbeh realitetin faktik lidhur me krimet e luftës, që ka kryer Serbia në Kosovë

 


Fushata e Qeverisë së Serbisë kundër kreut të luftës në Kosovë, përmes pro serbit, Dik Marti, ka për qëllim, jo vetëm njollosjen e UÇK-së dhe të politikanëve të krahut të luftës, por edhe vënien në dyshim të tërë  procesit politik në Kosovë, qysh nga shpallja e pavarësisë. Kjo fushatë e instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar, po ndihmohet edhe nga një segment i disa partive politike të Kosovës, dhe i disa medieve “të moderuara” me prejardhje nga ideologjia e bashkim vëllazërimit, të cilat  kanë qenë dhe kanë mbetur kundërshtarë të luftës së UÇK-së. Krejt kjo fushatë ka për qëllim shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, për shkak se në to ka fituar shumicën, pikërisht forca politike, e cila po atakohet aq fuqishëm  nga Beogradi zyrtar dhe nga qarqet antishqiptare.


Nuk është ndonjë rastësi, riaktualizimi i intrigave të Dik Martit, Karla del Pontes  dhe ndonjë gazete, qoftë ajo edhe angleze, që bën fushatë për para të majme, për qëllime të vetëkuptueshme, edhe pse dihet botërisht dhe është dëshmuar sa e sa herë se, në asnjë vend të Kosovës apo të Shqipërisë, nuk ka pasur kampe, ku do të jenë ngujuar, e pastaj do të jenë keqtrajtuar dhe do t iu jenë marrë organet serbëve. Këtë e dinë të gjithë, por kjo nuk iu mjafton qarqeve të tërbuara me urrejtje antishqiptare, nuk iu mjafton as disa gazetave ditore të Kosovës e të Shqipërisë, të cilat lajmet e tilla sensacionale  i afishojnë në faqet e para. Edhe këta e bëjnë për para, ashtu sikur e kanë bërë shumë prej tyre edhe gjatë kohës së luftës, nën mbrojtjen e regjimit të Milosheviqit.


Jo rastësisht ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, shpreson se akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Martit do t’ia shuajnë të ardhmen, kryeministrit, Hashim Thaçit. Jeremiq, i cili është duke qëndruar në Rusi, gjatë një konference për medie me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke iu referuar akuzave të sajuara të Dik Martit për kryeministrin, Hashim Thaçi, ka theksuar se nuk e di se çfarë lloji të ardhme ka ai. 


Raporti i Dik Martit, i ka gëzuar pa masë edhe autoritetet tjera të Beogradit zyrtar. Zëvendës-prokurori i Prokurorisë Speciale të Serbisë për krime lufte, Bruno Vekariq i ka deklaruar B92 se Raporti nga i dërguari i posaçëm i Këshillit të Evropës, Dik Marti, është një fitore e madhe për Serbinë.


Kësaj fushate të zezë, në mënyra të ndryshme janë duke i ndihmuar edhe autoritete të caktuara të Kosovës, dhe gazetarë shpirtshitur, duke e goditur PDK-në e Thaçin, jo në segmentin e Beogradit zyrtar dhe te disa lakejve të tij nëpër Evropë, por duke e akuzuar për manipulim me zgjedhjet, për korrupsion, hajni, lidhje me sikur thuhet, krimin e organizuar, dhe për shumë të liga të tjera, pa deponuar fakte, dëshmi e argumente të bazuara. Kjo bëhet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat valë, me regjimin e Beogradit por duke sulmuar nga prapa.


Fushata e Serbisë ka qenë dhe po mbetet e përhershme, përderisa kreu politik i Kosovës nuk kundërpërgjigjet, me një dyzinë faktesh dhe akuzash të bazuara, për djegien e mijëra shqiptarëve në Shkritoren e Maçkaticës në Serbi, fshehjen madje edhe stopimin e zbulimit të varrezave masive, dhe faktin se Beogradi zyrtar as ka dhënë, as e ka fare ndërmend të japë qoftë edhe informacione rutinore, lidhur me zhdukjen pa gjurmë të më shumë se 1 600 shqiptarëve të Kosovës, të rrëmbyer nga policia dhe ushtria kriminale serbe, gjatë luftës në vendin tonë.


Lidhur me djegien e kufomave të shqiptarëve në Maçkatica të Serbisë, kohë më parë kemi botuar shkrimin e gazetarit serb


Sasha Stojkviq: Rasti “MAÇKATICA” dhe barra e së kaluarës, ku ai mes tjerash konstaton: Edhe përkundër përpjekjeve të palëve të interesuara, e vërteta e historisë së afërt dhe e hijes së tmerrshme e të së kaluarës së këtushme, nuk e lë as kë rehat. Pas paraqitjeve publike të Natasha Kandiqit dhe hapjes së çështjes rreth “rastit Maçkatica”, në jugun e Serbisë, asgjë më nuk është siç ishte më parë. Të rikujtojmë se në tekstin autorial “Shërimi  rehatisë shpirtërore” që u botua kah fundi i dhjetorit të vitit të kaluar në të përditshmen “Danas”, drejtuesja e “Fondit për të Drejtën Humanitare” e akuzonte një numër të madh njerëzish duke i përmendur edhe emrat e tyre, për fshehjen e planifikuar të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo i dha grusht të rëndë, opinionit lokal me rastin e përmendjes së emrit të, Dragomir Tomiqit dhe atë në kontekst të realizuesit të projektit të djegies së trupave, të shqiptarëve nga Kosova, në shkritoret e ndërmarrjes “Maçkatica” në Surdulicë.


Pasi që opinioni i këtushëm ndërlidh gjithçka që mban parashtesën e “Hagës”, me Karla Del Ponte-n, këto paraqitje publike kanë shkaktuar një varg reagimesh me shkruarjen e demanteve nga ana e të përfolurve, kurse për rastin u interesuan edhe “organet kompetente”. Mirëpo dihet si rrjedhin ngjarjet në Serbi. Pas gjëmimit të fortë të malit, nuk polli madje as një mi. Megjithatë, patjetër, dikush duhet të përgjigjet në pyetjen se a ka pasur këtu krime të luftës? Tani për tani, lidhur me rastin e “Maçkaticës”, në drejtim të zbardhjes së këtij rasti vepron vetëm koalicioni i gjashtë organizatave joqeveritare nga Beogradi, e aty-këtu edhe ndonjë medium dhe gati askush tjetër. Pas reagimit të parë, i cili qe një reagim i zbehtë i organeve shtetërore – policisë, duhet të pranohet, patjetër, se pasoi një heshtje e plotë për këtë. Për të dëshmuar vendosmërinë se rasti i “Maçkaticës” nuk mund të lihet në harresë, koalicioni i OJQ-ve vendosi që t’i drejtohet Kuvendit të Serbisë, si kjo më e lartë instancë demokratike në Serbi.


Ky shkrim i përkthyer shqip, nuk është botuar as do të botohet ndonjëherë në faqet e disa gazetave të Kosovë, të cilat kanë qëndrim kundër luftës së UÇK-së.


Shkrimi i plotë  të gazetarit serb mund të lexohet në: www. radiokosovaelire.com. Analiza. (Sasha Stojkoviq: Rasti “MAÇKATICA” dhe barra e së kaluarës)


Derisa kreu politik i Kosovës, pranon të ulet dhe të bisedojë me autoritetet e Beogradit zyrtar, pa vënë kushte lidhur me  zbardhjen paraprake të fatit të 1600 të zhdukurve shqiptarë dhe pa një varg kushtëzimesh të tjera, Maçkatica dhe sa e sa të tilla në Serbi janë heshtur pikërisht nga ata që do të duhej të kishin lejuar në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast këtë heshtje, meqë ekzistojnë fakte, madje edhe dëshmi relevante, të deklaruara edhe nga disa serbë, pjesëtarë të organizatave humanitare.


Në mungesë të afishimit, pandërprerë të fakteve të tilla, nga Prishtina zyrtare, Serbia nuk po hesht,  por ndërmerr fushatë me një mal gënjeshtrash, pikërisht në një moment kyç, kur jo pak politikanë shqiptarë, në Kosovë, duan t ia nxjerrin sytë njëri tjetrit për votat, që ia paskan vjedhur, po ashtu njëri tjetrit, në zgjedhjet e 12 dhjetorit. 


 


RKL: Abuzuesit e votave


 


Pretendimet, për hajninë e madhe të votave, që kanë paraqitur partitë poltike pas procesit të numërimit të votave, në zgjedhjet e 12 dhjetorit  na sjellin në kujtesë atë thënën e urtë të asaj “fisnikes”, që i kishte thënë shoqes së vet, “mbana djalin, t’ i them sa nuk më ka thënë”…


Arroganca, sharjet, fyerjet, prapaskenat, kaosi dhe turri i militantëve të partive politike të Kosovës në procesin zgjedhor të 12 dhjetorit, do të mbahen mend për shumëçka të keqe, por mbi të gjitha për akuzat e pabaza të të gjitha partive politike kundër njëra tjetrës, e të gjitha tok kundër PDK-së, lidhur me vjedhjen e votave mes partive të ndryshme dhe tjetërsimin apo adresimin e votave, brenda partisë, nga një kandidat te tjetri.


Është plotësisht e besueshme, që në një proces zgjedhor të pa përgatitur, të shpallur dhe të mbajtur në rrethana të jashtëzakonshme, të mos shënohen edhe shkelje e parregullësi  të ndryshme, të cilat, në një masë,  po besojmë se edhe kanë ndodhur. Mirëpo nëse i marrim për bazë deklarimet e kryesuesve të partive politike, lidhur me sasinë e votave të vjedhura, sikur thonë ata  nga PDK-ja, atëherë del se kjo parti nuk ka fituar, as në Skënderaj, as në Drenas dhe askund tjetër në Kosovë. Ja çfarë paradoksi oftojnë shifrat e paraqitura dhe të publikuara për opinion nga partitë politike. Zyrtarë të AAK-së deklarojnë se u janë vjedhur hiq më pak se 70 mijë vota, AKR-ja ka deklaruar 40 mijë vota të vjedhura,


FER-i 30 mijë vota,


Vetëvendosja 60 mijë vota dhe 


LDK-ja 50 mijë vota.


Nuk ka njeri në gjendje normale psikike, që mund t’iu besojë këtyre shifrave, përveç abdnormalëve, që i kanë sajuar dhe i kanë deklaruar këto shifra, me qëllim për të krijuar kaos, huti, vetëm sepse nuk kanë fituar “kokrrat” të cilat i kanë parallogaritur.


E vetmja PDK-ja nuk ka paraqitur shifra lidhur ne numrin e votave, të vjedhura nga partitë e tjera, meqë ajo kishte pritur përafërsisht të njëjtin rezultat.


 


Një mënyrë tjetër e abuzimit, apo të themi më butë, tjetërsimit dhe adresimit të caktuar të votave është shënuar edhe përbrenda partive politike. Edhe me këtë rast kemi të bëjmë me një fenomen të llojit të vet, që na sjellë në kujtesë anekdotën e  Nastradin Hoxhës, i cili kur hyri në shtëpinë e tij  dhe pa hajnat, që kishin bërë rrëmujë dhe po ia plaçkisnin shtëpinë, ai u përzie me ta dhe e vodhi jorganin e shtëpisë së vet. Kështu ndodhi edhe brenda  po thuajse të gjitha partive politike, dhe kjo tregon se sa të etur për pushtet dhe sa të pandershëm e të papërgjegjshëm janë disa nga ata që kanë kërkuar votat dhe besimin, të cilin ua ka dhënë 47 për qindëshi i qytetarëve të vendit tonë, me të drejtë vote.


Abuzimi, manipulimi dhe tjetërsimi i votës së qytetarit tregon një nivel të ulët të kulturës qytetare, tregon mungesën e  përgjegjësisë dhe njerëzisë së shumicës së  politikanëve tanë, të cilët në rrugën e tyre për t’u veshur me pushtet, nuk zgjedhin mjet as metodë, për t’ ia arritur qëllimit. Ata, në këtë rrugë drejt pushtetit, ndërrojnë partitë, pajtohen me kolegët e tyre, me të cilët ishin sharë, madje edhe ishin kacafytur deri dje, dhe nuk lënë gur pa lëvizur për t’ ia arritur qëllimit. Athua çfarë të mirash mund t’i sjellin Kosovës, qeveritarët dhe deputetët e tillë?

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …