leoni

Murat Muharrem Haliti, 05.03. 1964 – 22. 09. 1998

Murat Muharrem Haliti, 05.03. 1964 – 22. 09. 1998

Drenica është djep i bujarisë e lirisë, atdhedashëse dhe trimërisë shqiptare. Në këtë trevë kanë lindur njerëz të mençur, trima të shquar e besnikë, të cilët, më veprimtarinë e tyre atdhetare, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Në kufirin në mes të fshatit Galicë, vendlindjes së trimit të madh të maleve, Azem Galicës, dhe Prekazit heroik të komandantit legjendar – Adem Jasharit, ndodhet fshati Lubavec, të cilin ndryshe me krenari e quajnë edhe “Arbëria e Vogël”.

Në këtë vend u lindën e u rritën djem të pushkës dhe të penës. Ata ecën me besnikëri në rrugën e paraardhësve të tyre urtakë e të vendosur, të cilët punuan e luftuan pa kursim për çështjen kombëtare. Madje, për lirinë e popullit dhe të atdheut të tyre sakrifikuan atë më të shenjtën e më sublimen – jetën e tyre. Një ndër këta pishtarë të lirisë është edhe dëshmori i kombit, profesori i historisë, Murat Muharrem Haliti, i rritur dhe i edukuar në frymën patriotike në një familje bujare e arsimdashëse, e cila ka sakrifikuar shumë për lirinë e atdheut dhe të kombit. Stërgjyshi i tij, Halit Bajrami, ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të prijësit Azem Galica, një ndër luftëtarët më të shquar e më të devotshëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare Kaçake në Drenicë e më gjerë. Gjyshi i Muratit, Shaban Ferati, njeri i fjalës dhe besës, pajtues i gjaqeve, njeri shumë i ndershëm, i çmuar dhe i respektuar nga të gjithë, ka qenë një ndër luftëtarët më konsekuentë kundër ripushtimit të Kosovës dhe instalimit të sistemit komunist. Ai është angazhuar me tërë qenien për lirinë e popullit të tij, prandaj pushteti komunist jugosllave e dënoi me njëzet vjet burg të rëndë. Rrugën e paraardhësve e ndoqën edhe pinjollët e kësaj familjeje Murat dhe Enver Haliti.

Kështu, kjo familje, brez pas brezi fisnike, bujare, bukëdhëne, atdhetare dhe dashamire e shkollimit dhe dijes, ashtu si gjithë kombi shqiptar, është ballafaquar çdoherë më sfida dhe ndeshtrasha nga më të ndryshmet. Edhe nga ana e nënës Murati Muharrem Haliti ka qenë stërnip i trimit të shquar drenicas, Shaban Polluzhës. Kështu, në damarët e Muratit gufonte e lodronte gjaku i atdhedashurisë e trimërisë.

Në formimin dhe edukimin e Murat Halitit në frymën e lirisë, patriotizmit e atdhedashurisë kanë ndikuar edhe prindërit e tij, Muharrem dhe Feride Haliti. Ata lindën, mëkuan dhe rritën me kujdesin e përkushtimin më të madh tetë fëmijë, pesë vajza e tre djem (Shukrijen, Muratin, Sherifen, Qamilen, Mexhidin, Zyrjen, Ekremin dhe Afërditen). Qysh në moshë të re Murati ishte një fëmijë i zgjuar e i talentuar, kureshtar dhe shumë i vëmendshëm për gjithçka. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen, Shkollën Ekonomike “Hasan Prishtina” e kreu në Zveçan. Meqenëse ishte më i madhi prej djemve në familje, ai, në njëfarë mënyre, ishe edhe si prijësi i të gjithë vëllezërve dhe motrave të tij. Gjatë viteve të shkollimit fillor dhe të mesëm u dallua çdoherë si nxënës i shkëlqyeshëm dhe më një inteligjencë të jashtëzakonshme. Përveç që ishte si pikë reference për vëllezërit dhe motrat e tij, ai, ndonëse në moshë të adoleshencës, ishte shndërruar në një njëri, të cilit të gjithë ia kishin lakmi jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit, për sjelljet, veprimet, idetë dhe pjekurinë, të thuash, të parakohshme.

Pas përfundimit të shkollimit të mesëm dhe kryerjes së detyrueshëm të shërbimit ushtarak në ish Armatën Jugosllave (Kroaci), në mesin e viteve ’80, atëherë kur organizoheshin protesta e demonstrata të njëpasnjëshme studentore për liri, pavarësi e demokraci, u regjistrua  në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku i vijoi studimet për dy vjet me radhë. Për shkak të rrethanave objektive që mbretëronin në Kosovë, e ndjente më shumë të nevojshme jo vetëm të studionte historinë për çka kishte ëndërruar qysh kur ishte nxënës i fillores, por edhe të ushqejë shpirtin me atdhedashuri e frymëzim patriotik.

Ishte rritur e frymëzuar në një familje bujare e atdhetare ku vazhdimisht rrëfehej për trimërinë e stërgjyshit të tij, Halit Bajramit, dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë të Azem Galicës. Ishte rritur e frymëzuar bashkë me tregimet për pushkën e penën e Hasan Prishtinës, i cili edhe në robëri ka arritur që të shkollohej. Ishte rritur, duke dëgjuar për fjalët burrërore të gjyshit të tij orator. Kështu, historia e lavdishme e kombit shqiptar dhe bëmat e lavdishme të trimave patriotë të familjes së tij brez pas brezi u bë shkak që Murat Haliti të vendosë që të studiojë në Fakultetin Filozofik në Departamentin e Historisë. Ai dëshironte që ta mësojë historinë që prej antike e këtej, më theks të veçantë historinë e kombit shqiptar. Me punë të pandërprerë dhe vullnet të madh arriti që t’i përfundojë me suksese të larta studimet. U diplomua në vitin 1991.

Murati ka bërë një jetë të bujshme studentore. Ka marrë pjesë në protestat e mëdha gjithë popullore të udhëhequra nga rinia studentore kudër regjimit serb të organizuar në Prishtinë, Skenderaj, Mitrovicë dhe në qytete të tjera të Kosovës. Gjatë studimeve Murat Haliti është treguar student i zellshëm dhe i zoti. Ai ka studiuar me shumë zell dhe pasion, prandaj ka arritur të kuptojë në thelb shumë gjëra që lidhen me historinë e popullit tonë. Gjatë studimeve të themelta, ai e kishte kuptuar mirë pse shqiptarët ishin ndarë forcërisht e padrejtësisht në pesë shtete, prandaj u kishte vënë vetes për detyrë të hulumtonte forma dhe rrugë për të luftuar kundër robërisë sllave dhe për bashkimin e popullit shqiptar. Gjatë viteve të studimeve në Prishtinë, pos orëve të gjata që i kalonte mbi libra, duke lexuar e studiuar, ai gjente kohë për të organizuar e demonstratat studentore bashkë me shokët e shoqet. Binte në kontakt dhe bashkëpunonte në mënyrë të fshehtë me njerëz, të cilët më pas kanë qenë udhëheqësit kyç politikë e ushtarakë të luftës çlirimtare. Ai ka qenë njëkohësisht edhe këshilltar i spikatur i tyre. Këto kontakte ai i vazhdon edhe pas përfundimit të studimeve.

Në fillim të viteve ‘90, u emërua profesor i historisë në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë. Murati udhëtonte çdo ditë nga Lubaveci për në Mitrovicë për t’ua mësuar brezave të rinj historinë kombëtare, njërën nga lëndët me të kontestuara nga regjimi serb. Gjatë udhëtimit nga fshati në qytet dhe anasjelltas policia serbe shpesh e ka ndalur dhe e ka keqtrajtuar fizikisht. Në një rast derisa udhëtonte më një mjet transporti, policët serbë e ndalojnë në Shipol, ku e torturojnë vetëm pse ishte mësimdhënës i historisë. Edhe gjatë procesit mësimor që zhvillohej në shtëpi shkolla, forcat policore serbe shpesh kanë ndërhyrë, kanë ndërprerë mësimin dhe kanë torturuar mësimdhënës e nxënës. Pra, Murat Haliti, si shumë të tjerë ishte vazhdimisht në shënjestër të organeve të pushtetit të dhunshëm serb. Bën kontaktet e para më Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të vitit 1996, vendos që të inkuadrohet në radhët e saj. Kur filloi lufta, ai e la ditarin, u nda nxënësit e tij që e donin dhe e çmonin shumë, ndërpreu ligjërimin e historisë dhe vendosi të shkruajë edhe një faqe të lavdishme të saj. Murat Haliti ka qenë ndër të parët që ka filluar për t’i mobilizuar shokët dhe bashkëfshataret e tij që sa më shumë të rreshtohen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte zgjedhur komandant për njësitin e UÇK-së në fshatin Lubavec, që ishte i përfshirë në kuadër të Brigadës 114 “Fehmi Lladrofci” dhe i numëronte rreth 60 luftëtarë. Murat Haliti ishte një strateg i vërtetë, njeri shumë i shkathtë, organizator i mirë, prijës që kultivoi frymën e bashkëpunimit. Ato kohë të përflakura të krijonin përshtypjen së në këto troje ishin ringjallur Halit Bajrami, Azem Galicia dhe luftëtarë të tjerë.

Ai me bashkëluftëtarët e tij nuk linte rast pa i sulmuar forcat serbe sa herë që ato qarkullonin për të vëzhguar përgjatë rrugës Mitrovicë – Skenderaj. Për ta Drenica ishte bërë zonë e rrezikshme. Murati çdo moment ishte në këmbë ishte i pari që u printe trimave sypatrembur që ishin në mbrojtje të fshatit dhe e vështronin ata sikur shqiponjat sa nga njëra e sa nga tjetra kodër. Paraprakisht hartonte planin me shokët e tij dhe në momentin kur fshatrat dhe banorët rrezikoheshin, ata vepronin në mënyrë të organizuar dhe precize.

Murati vazhdimisht ka mbajtur shënime, një lloj ditari, në fletoren e tij. Ai ka pasur në dorëshkrim edhe faqe të tëra për jetën dhe veprimtarinë e luftëtarëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare Kaçake, për Azem e Shotë Galicën, Ahmet Delinë, për stërgjyshin e tij Halit Bajrami e shumë trima të tjerë. Një vend të veçantë e zinin ato që flisnin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilës i përkiste edhe ai. Fatkeqësisht këto shënime janë djegur gjatë luftës. Ka humbur një krijimtari e mirëfilltë e një historiani të shquar, e një luftëtari të madh. Më datën 22 shtator të vitit 1998, Dëshmori i Kombit, Murat Muharrem, Haliti së bashku më dëshmorin tjetër, Fatmir Ahmetin, kishin dalë për të vështruar rrugët e fshatit. Atë ditë forca të mëdha ushtarake e policore serbe kishin rrethuar fshatin. Kështu, në një ballafaqim direkt me këto forca të errëta të dy bien heroikisht për të mos vdekur kurrë. Më rënien e Murat Halitit, bashkëluftëtarët e tij të Lubavecit humbën komandantin e tyre, e UÇK-ja e humbi një luftëtar të madh. Për lirinë e Kosovës Lubaveci ka rritur edhe trima të tjerë, të cilët janë përjetësuar në altarin e lirisë. Dëshmori Murat Haliti është varrosur në fshatin e tij të lindjes.

Pas luftës, në hyrje të fshatit Lubavec, është ngritur një lapidar i përbashkët kushtuar gjithë dëshmoreve e martireve. Murat Haliti ka lënë pas vetes gruan Remzijën, djalin Shkëlzenin, dhe vajzën Majlindën. Pas përfundimit të luftës, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Shtabi i Përgjigjëm i UÇK-së, Brigada 114 “Fehmi Lladrofci” dhe nga Komuna e Skenderajt familja Haliti ka marrë mirënjohje, ndërsa një rrugë në Tavnik të Mitrovicës dhe rruga kryesore e fshatit Lubavec është emërtuar më emrin dëshmorit Murat Haliti.

Kontrolloni gjithashtu

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 - 2.12.1998)

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)

Dëshmori Hyzri Talla ka lindur në fshatin Letancë të Besanës (ish-Podujevë) në një familje të …