Dëshmori i kombit Mursel Boletini rrjedh nga familja e njohur Boletini, e cila dha shumë trima për lirinë e vendit. Edhe dëshmori i kombit, Mursel Boletini ishte inspiruar nga të parët dhe kështu vazhdon rrugën e nisur nga atdhetari i njohur i kësaj familjeje, Isë Boletini. Në familjen fshatare të fshatit të Isë Boletinit, më 19 nëntor 1977, u lind dëshmori i kombit Mursel Boletini.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen në Mitrovicë. Në këtë familje me traditë patriotike, bashkëshortëve Sofie dhe Rrustem Boletini u lindën shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë: Tafili, Astriti, Hysniu, Murseli, Besimi, Zoja dhe Isa. Murseli ishte fëmija i katërt i prindërve. Kjo familje siguronte ekzistencën nga të ardhurat e bujqësisë dhe nga paga që merrte kryefamiljari, Rrustem Buletini, i cili ishte punëtor arsimor.
Murseli kaherë kishte filluar që të interesohej për çështjen kombëtare dhe dëshironte të dijë sa më shumë për historinë kombëtare, e sidomos atij i interesonte jeta dhe vepra e Isë Boletinit. Kontribut të madh në ngritjen e tij, në të gjitha pikëpamjet pati edhe babai i tij arsimtar.
Murseli ndonëse i ri e përcillte ritmin e jetës dhe kështu shpesh ndodhej në mesin e protestuesve e demonstruesve kundër okupatorit. Ai me shokët e tij çdo herë gjendej aty ku bëheshin lëvizjet për çështjen kombëtare. E ngjarje të tilla patën filluar të ndodhin shumë në vitet 90. Për këto ai ra në sy të policisë por nënë vëzhgimin e syrit të policisë serbe, si shumica e familjeve shqiptare ishte kaherë edhe familja e tij.
Maltretimin e parë nga policia e pati në kohën kur ai kishte vetëm 14 vjet. Derisa një ditë ai ishte duke shkuar rrugës me të vëllain, të cilin e kërkonte policia për ta dërguar në ushtrinë jugosllave, Murseli merret nga policia pasi që i vëllai me të parë policin kishte ikur. Me këtë rast policia jugosllave Murselin e keqtrajtoi në forma të ndryshme, por nuk arritën që ta detyrojnë t’u tregojë se a ishte ai vëllai i tij që po kërkohej. Atë ditë Murseli pasi arrestohet nga policia serbe, dërgohet në burgun famëkeq të Mitrovicës ku mbahet që nga ora 8 deri në orët e pasditës, ku edhe keqtrajtohet në mënyra të ndryshmet. Që nga ky rast atij edhe më shumë i ngulitet në mendje që të angazhohet me tërë qenien e tij për të kontribuar për veprimtarinë atdhetare dhe një ditë t’i hakmerrej okupatorit për gjithë atë që ia bëri popullit shqiptar për shumë kohë.
Murseli në biseda të ndryshme në odat e Shalës, por edhe me shokët e tij të shkollës fliste mbi nevojën e organizimit e të përgatitjes së luftës së armatosur kundër pushtuesit, duke u shprehur se për Kosovën duhet të luftohet si kanë luftuar edhe të parët tanë. Ai thoshte se ka ardhur momenti që kjo tokë arbërore të frymojë lirshëm. Posa doli UÇK-ja në skenë, ai menjëherë shkoi në Prekazin e Adem Jasharit, por pasi nuk kishte armë u kthye prapë në Boletin dhe në rastin e parë u kyç në UÇK-ës, në Zhabar (Fushibër). Me të filluar të formimit të njësiteve të UÇK-së në ZaSH, në qershor të vitit 1998 ai shkoi në fshatin Zabergj, ku menjëherë pranohet në radhët e UÇK-së e më vonë dërgohet në pikën që operonte në fshatin Mazhiq. Në këtë pikë vëzhguese bënte roje sipas orarit të caktuar, pas të cilave shkonte në Zabegj ku duhej t’i kryente ushtrimet ushtarake, që kryente me vullnet të çeliktë. Ato realizoheshin në kuadër të planit operativ që kishin hartuar ushtarakët e Brigadës 141 “Mehë Uka” të zaSH-së.
Ai ndonjë herë kur kishte kohë të lirë vizitonte edhe familjen, së bashku me bashkëluftëtarët e tij të ngushtë Bislim Trepça, Ferit e Fehmi Preteni ,Shemsi Ahmeti dhe shumë të tjerë.
Me rastin e formimit të njësisë speciale “Shqiponjat e Shalës”, në kuadër të Brigadës 141 “Mehe Uka”, Murseli rreshtohet në radhët e tij dhe meqë ishte vrojtues i mirë dhe shumë i kujdesshëm, pos angazhimit në front, kryente edhe detyrën e vëzhguesit të terrenit kudo që paraqitej nevoja.
Murseli mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në ZaSH-së, duke filluar shtatori i vitit 1998, kur ai merr pjesë në betejën e parë kundër forcave serbe. Ai në këtë betejë bashkë me shokët e tij qëndroi heroikisht në frontin e luftës në Mazhiq. Guximi dhe heroizmi i Murselit u sprovua edhe në betejat në vijim, që u zhvilluan gjatë vitit 1999, si në Melenicë, Kutllovc, Bare, dhe në betejën më të ashpër që u zhvillua në këtë zonë, në të cilën ranë edhe shumë bashkëluftëtarë të Murselit, në Malin e Majdanit. Në të gjitha këto beteja, djemtë e lirisë treguan guxim dhe heroizëm, në mesin e tyre edhe Murseli. Më 4 maj 1999, Murseli me shokët Bislim Trepça, Fehmi dhe Ferit Preteni nga komanda e UÇK-së të ZaSH-së merr detyrë të shkojë në Mitrovicë, saktësisht në lagjen e Ilirida. Gjatë rrugëtimit në këtë mision, në Fushibër (ish – Zhabar), pas një beteje të zhvilluar me forcat e okupatorit, Murseli, Bislimi dhe Fehmiu bien heroikisht në altarin e lirisë, kurse shokun e tyre, Ferit Pretenin, e zë ushtria jugosllave dhe sot e asaj dite nuk dihet ku ndodhet trupi i tij.
Pas rënies, Murseli është varrosur në varrezat e Vaganicës, ndërsa pas luftës, në shtator të vitit 1999, është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol.
Lufta e UÇK-së kundër okupatorit, familjes së gjerë Boletini ia mori edhe birin, Safetin, i cili ra në Betejën e Koshares.
Murseli nuk ishte i martuar. Në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e tij dhe të meritave për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, i është ngritur lapidari në vendin e rënies, në Iliridë. Ndërsa, pas luftës është graduar dhe familja ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme. Po ashtu, është nderuar me mirënjohje edhe nga ZOSH, nga Brigada 141 “Mehë Uka” dhe nga SHFD. (M. K.)