Murteza OSDAUTAJ: VRASJA E NGADALSHME E LIRISË APO PROCESI I NGADALSHËM I ZHBËRJES SHTETËRORE TË KOSOVËS

Murteza OSDAUTAJ: VRASJA E NGADALSHME E LIRISË APO PROCESI I NGADALSHËM I ZHBËRJES SHTETËRORE TË KOSOVËS

Ky shkrim nuk flet për ndonjë vrasje të vërtetë, pra nuk flet për vrasjen që mund ta bëjë një njëri ndaj një njeriu tjetër duke përdorur armët. Ky shkrim flet për vrasjen tjetër, një vrasje të ngadaltë të cilën e bëjnë klasat politike, rrethet kulturore dhe ato intelektuale ndaj qenies kombëtare dhe qenies shpirtërore të një kombi.

Ata që kanë jetuar në socializmin jugosllav e kanë përjetuar mënyrën se si ai sistem i krijonte falangat e saja politike, intelektuale dhe akademike. Mjaftonte të bëheshe pjesë e strukturave të aparatit politik, si shërbyes  besnik apo si ‘spiun’ dhe ty të hapeshin rrugët e mbijetesës fizike dhe intelektuale brenda atij sistemi. Ishte një rrugë gati e pamundur që në ato rrethana ta ruaje shpirtin dhe qenien njerëzore brenda teje dhe brenda bashkësisë së cilës i takoje. Megjithatë, mbetej diçka njerëzore brenda nesh dhe brenda teje. Socializmi nuk ishte i tillë që të të zhvishte totalisht nga njerëzorja që bartje brenda dhe që e kishe kultivuar në jetë qoftë nga leximi, qoftë nga kultura e trashëguar. Thjeshtë politikës së atëhershme nuk i interesonte që në shërbimin e saj të viheshin njerëzit e zhveshur. Ai sistem,  megjithatë donte që brenda tij të kishte njerëz që e ruajnë një lloj lidhjeje në mes të asaj që e konsiderojmë njerëzore dhe asaj që këtu po e quajmë falangë. Ai sistem kishte nevojë për ta ruajtur atë që të vetmen njeriu e mbanë gjithmonë si të tijen, e kjo ishte shpresa e cila mbijetonte pa ‘u vrarë’ ngase njeriu ende mendonte se ekzistenca e saj mund ta sjell të ëndërruarën e tij dhe një lloj, ta quaj, arsyeshmërie të ekzistencës së tij.

Vitet 90-të ishin një mëso kohe. Atyre viteve nuk ‘vriteshe’ nga vetvetja. Mund të vriteshe duke u përpjekur për të ardhmen tënde dhe të ardhmen e vendit tënd, kishte mbetur e vetmja që mund t’i mbetej një njeriu, shpresa e tij për lirinë dhe përpjekja e tij për mbijetesë fizike dhe kombëtare. Ishte koha e tranzicionit të heshtur nga një formë e ekzistencës në një formë të re e cila ishte mitizuar dhe hiperbolizuar duke u bazuar në modelet e demokracive perëndimore dhe sidomos të Gjermanisë. Pra bëhej fjalë për demokracinë të cilën, gabimisht e identifikonim me lirinë pa e ditur se ndërtimi i një sistemi demokratik në kushtet e një mendësie primitive feudale që do të shpërfaqej më vonë është një mision i pamundur. Vitet nëntëdhjetë ishin vite mbi ëndërrimin e asaj që e konsideronim më të munguarën, më të pa përjetuarën lirinë në multidimensionalitetin e saj. Vitet nëntëdhjetë ishin vitet kur të gjithë ne e ëndërronim lirinë dhe e ëndërronim bukurinë e saj, begatinë e saj, shenjtërinë e saj, amshueshmërinë e saj. Liria ishte arsye për të mbijetuar, ishte shkas për të luftuar dhe ishte bazë dhe themel për t’u përpjekur për të deri ne sakkrifikim.

Dhe ç’ëshët liria? Nëse lirinë e kuptojmë si çlirim nga okupatori serb, pa dyshim se ajo erdhi. Por liria nuk është vetëm ndjekja e okupatorit nga vendi yt. Liria është më shumë, ajo është një makineri e tërë e pjesëve të cilat duhet të funksionojnë në mënyrë të sinkronizuar. Ajo është, në rend të parë, një bindje, është gjendje shpirtërore e njeriut, është gjendje fizike e njeriut, është pjesë e psikologjisë dhe e përjetimit, është , ndër të tjera, edhe mundësi për ta realizuar vetveten dhe për të hapur perspektiva të reja për gjenerata që i krijojmë ne vetë pa i pyetur ata nëse dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj ‘lirie’ a e kësaj ‘bote të lirë; të cilën e krijuam dhe po e krijojmë për ta.

Nëse liria pra nuk qenka vetëm një gjendje e ndjekjes së pushtuesit nga vendi por shumë më shumë se vetëm ndjekje e një ushtrie të huaj, atëherë ne nuk jemi as afër saj. Liria nënkupton krijimin e kushteve ekonomike për mbijetesë të popullsisë, krijim të kushteve në të cilat njerëzit ndihen të barabartë, me mundësi të barabarta për arsim, me mundësi të barabarta për punë dhe mirëqenia ekonomike, me mundësi të konsoliduara dhe të barabarta për ruajtje të shëndetit dhe drejtësi të paanshme dhe të pavarur. Liria për një shtet është përgatitje të njerëzve për t’u futur në garën ndërkombëtare të popujve dhe kjo garë nënkupton se një vend i lirë dhe me liri krijon kushte të tilla që shteti të ketë shkolla konkurrente, drejtësi konkurrente, shëndetësi konkurrente, ekonomi konkurrente, shkencë konkurrente, kulturë konkurrente, sporte konkurrente e mbi të gjitha demokraci dhe drejtësi sociale konkurrente.

Liria pra nuk është vetëm një gjendje e mungesës së pushtuesit. Ajo është një gjendje në të cilën populli që ndihet i lirë futet në një garë shume agresive me popujt tjerë. Gara nuk është luftë fizike, gara e popujve në epokën e globalizmit është më shumë se luftë. Kjo është një përpjekje për të mos u ‘zhdukur’ në aspektin politik, në aspektin kulturor, në aspektin ekonomik dhe në aspektin shkencor dhe teknologjik. Pra ëshët një garë ku armë kryesore e popujve janë dija dhe liria.

Dhe kur i kthehemi kohës së tashme çka vërejmë? Ky popull e ndoqi vërtetë okupatorin nga tokat e veta. Në këtë mision historik e ndihmoi politika e mençur, gjaku i derdhur dhe mbështetja e pakursyer e miqve ndërkombëtarë. Po ky popull, në ndërkohë, harroi se vetëm çlirimi nuk ishte i mjaftueshëm, kishte shumë më shumë gjëra që lirinë e tij e bënin të plotë apo do të duhej ta bënin të plotë. Por kjo nuk u bë, politikanët, komandantët, klanet e tyre dhe grupet e tyre e krijuan lirinë e tyre duke e përvetësuar dhe plaçkitur lirinë e të tjerëve apo, më mirë të themi, lirinë e të gjithëve.

Kjo klasë njerëzisht që u ngritën mbi luftën dhe mbi atë se ishin ‘sjellësit e lirisë’ e okupuan më keq vendin e tyre dhe lirinë e njerëzve të tyre. Ata e kapluan në formë pandemike, ekonominë e vendit, shëndetësinë e vendit, shkollat e vendit, gjyqësinë e vendit, ndërmarrjet dhe tokat e vendit deri në masën sa lirinë e bënë pronë të tyre personale apo pronë të grupeve, klaneve dhe familjeve të tyre në dëm të lirisë së përgjithshme.

Në vend se të mendojë për plotësimin e lirisë, ky popull u pushtua nga një komunitet njerëzish që konsideronin se ishim çlirimtarë dhe të cilët, me forcën e këtij argumenti fals, në një formë, e riokupuan vendin e tyre. Dhe vendi i riokuapua në të gjitha mënyrat e mundshme. U uzurpuan pasuritë e tij, u uzurpuan shkollat e tij, u uzurpuan fabrikat shumta e tij, u uzurpuan gjyqësia dhe shëndetësia e tij, u uzurpua dhe u ngulfat mundësia dhe mundësitë e tij. Thjeshtë, me një fjalë, këta ‘komanantë’ dhe suitat e kamarillat e tyre kriminale por edhe klasat politika të prodhuara në vitet nëntëdhjeta dhe të uritura për ‘pushtet’ dhe pasuri, iu bashkëngjiten karvanit të gjatë të mbytësve të atdheut të tyre.

Prandaj po e quaj këtë shkrim ‘Vrasja në Prishtine’. Po e titulloj kështu ngase as pushteti serb nuk kishte arritur që në këtë formë dhe në mënyrë kaq të shëmtuar ta vrasë shpirtin e lirisë më keq se kjo klasë njerëzish. Po e quaj kështu se askush dhe asnjë pushtues nuk do të mundte që ta katandiste në këtë nivel shtetin e tyre. E quaj vrasje ngase mendoj se me udhëheqjen e mbrapshtë, me hajninë endemike, me keqmenagjimin katastrofal, me padijen mitike, me analfabetizmin fondamental dhe me paaftësinë përrallore për ta çuar përpara secilin proces shtetëror, këta njerëz e vranë vendin e tyre në të gjitha mënyrat dhe më së keqi e vranë në kontekstin e lirisë për të cilën u sakrifikua populli dhe njerëzit.
Po si vrahet një vend pa zbrazur një plumb?

  1. Vrahet kur pasurinë e vendit e vë në shërbim të klaneve dhe kastave tua duke ua mohuar të tjerëve apo të gjithë të tjerëve të drejtën dhe mundësinë që ajo pasuri të përdoret për  mirëqenien e përgjithshme.
  2. Vrahet liria kur buxhetin e vendit tënd e bën kazan nga ku ushqehen familjet mafioze dhe nga ku mbahen gjalle klanet, kastat dhe oligarkitë parapolitike, politike dhe ekonomike.
  3. Vrahet kur e degradon aq shume sistemin arsimor te vendit tënd saqë sistemi shndërrohet në një industri të prodhimit të diplomave pa mbulesë dhe ta analfabetëve funksionalë.
  4. Vrahet liria kur krijon një sistem arsimor i cili në secilën garë mes shteteve, radhitet i fundit.
  5. E vret lirinë kur investon më së paku në Evropë në arsimin fillor, më së paku në Evropë n ë Arsimin e lartë dhe investon më së paku në Evropë në shkencë dhe zhvillim.
  6. Vrahet liria kur ne organet shtetërore me rëndësi punëson të afërm  e militantë politikë të cilët bëhen gazi i botës nga mosdija, padituria dhe inferioriteti si në kontekstet e brendshme, ashtu edhe në kontekstet e jashtme.
  7. Vrahet liria e njerëzve kur e degradon aq shume sistemin shëndetësor saqë të sëmurët e vendit tënd duhet të shesin çka kanë për të gjetur shërim në spitalet e vendeve fqinj apo kudo qoftë në Evropë.
  8. E vret lirinë kur në vendin tënd më se 30% të familjeve jetojnë në kushte ekstreme varfërie ndërsa që afro 70% të tyre jetojnë në varfëri.
  9. E vret lirinë kur tërë pasurinë e vendit dhe tërë kapitalin e vendit e përqendron apo e vë në kontroll në katër- pesë familje komandantësh ndërsa që pjesën tjetër të popullsisë e shndërron në çipçinj dhe argatë të thjeshtë.
  10. E vret lirinë kur mijëra e mijëra djem e vajza, të familjeve pa lidhje politike, mbesin të papunë dhe iu kalon rinia e mosha në varfëri dhe me ëndrra të thyera për një të ardhme më të mirë apo, thjeshtë, për krijimin e familjes dhe mbajtjen e saj.
  11. E vret lirinë kur në vendin tënd krijon asi gjendje psikologjike me të cilën njerëzit fillojnë ta urrejnë vendin e tyre dhe tërë klasën politike të vendit.
  12. E vret lirinë kur politikat tua bëjnë që 90% të të rinjve kanë një të vetmen ëndërr, ikjen nga ky vend.
  13. E vret lirinë kur nënat, jo nënat e familjeve të pasura dhe të familjeve që bëjnë politikat e këtij vendi, luten çdo ditë që fëmijët e tyre të mos rriten e të mos jetojnë në këtë vend.

 Në një gjendje të tillë kur Kosova gradualisht po e humbë subjektivitetin e vet shtetëror dhe politik dhe kur, gjithnjë e më shumë, po rrezikohet sovraniteti dhe integriteti i saj territorial por edhe shtetësia e saj, çdo hap i gabueshëm mund të konsiderohet vetëvrasës për vendin dhe të ardhmen e tij. Kosova dhe politikanët duhet ta ndryshojnë mënyrën se si e shohin vendin e tyre. Politikanët, pasuritë dhe mirëqenia e tyre ekonomike mund të ekzistojnë vetëm brenda qenies së Kosovës si shtet. Jashtë këtij kushti elementar, as atyre dhe as banorëve të tjerë nuk iu vlen asgjë jo vetëm pasuria por as vetja e tyre.

Prandaj duhet menduar ndryshe, duhet ndalur këtë proces të vetëvrasjes së ngadalshme të vendit. Duhet kthyer kokën se çka bëjnë të tjerët për vendet e tyre dhe për veten. Duhet rigjeneruar sistemin e arsimit, sistemin shëndetësor, sistemin juridik dhe rendin kushtetues. Kosova duhet të ndërrojë dhe të shndërrohet nga një vend jofunksional dhe gjysmë i ndërtuar, në një vend funksional me shtetësi të plotë. Kjo mund të bëhet edhe nëse nuk kemi njohje nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së apo edhe pa disa qindra milionë dollarë që mund të vijnë në Kosovë si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit.

Kosova duhet të bëhet një vend i mundësive të barabarta për të gjithë që jetojnë këtu. Kosova duhet ta aplikojë principin e meritokracisë dhe të garës së vlerave dhe aftësive. Kosova duhet të ndalojë me trendet e shndërrimit të saj në një vend karikaturë  dhe në një vend ku njerëzorja dhe fisnikja kanë vdekur kaherë. Ajo duhet të ndalojë të kthehet në një vend ku gjërat bëhen ‘sa për t’u bërë’ dhe ku bërthama shtet formuese e shtetit shkatërrohet çdo ditë e më shumë.

Për Kosovën nuk ka kohë të mjaftueshme dhe, mund të themi, se koha është në zgripcin e saj.  Kosova s’mund t’ju qëndrojë më improvizimeve të bëra nga pushtetet e kaluara dhe se duron më zhvatjen dhe shkatërrimin e resurseve të saj. Kosova nuk e duron as avashllëkun dhe mos bërjen asgjë të pushteteve aktuale.

Nëse në Kosovë nuk ndërrohet qasja e të gjithë neve ndaj shtetit, nga ky vend i bukur për të cilin u sakrifikuan gjenerata e gjenerata, vdiqën mijëra e mijëra djem e vajza të reja, u burgosen dhe vuajtën për të mijëra e mijëra të tjerë, do të mbetet vetëm skeleti i mjeruar i një shteti të ëndërruar. Në një vend ku nuk ndihesh i lirë, në një vend ku nuk realizon të drejtat tua dhe lirinë tënde, në një vend ku të mbyllën ët gjitha mundësitë për jetë e prosperim nuk është ‘igjagj’ të jetohet do të thoshin më të moçmit. Ai vend është në rrugën e zhdukjes dhe vetëvrasjes së ngadalshme, sidomos në këto kohëra kur gjithçka, edhe ikja nga atdheu, është liri dhe proces global.

Në këtë shkrim me qëllim  nuk fola për përqeshjet që na i bëjnë të huajt e fqinjët. Në këtë shkrim fola vetëm për sjelljen bizare tonën që e bëjmë ndaj shtetit tonë dhe atdheut tonë. Dua ta mbyll me thënien e një hoxhe të njohur të Kosovës i cili nën një rast pat thënë ‘Ta jap dinin(fenë) po s’ta jap Drinin’. Ne mund të japim gjithçka por s’mundemi dhe s’guxojmë ta japim Lirinë dhe Atdheun. As për hatër të ‘çlirimtarëve’ tanë as për hatër të asgjëje mbi këtë dhe. Përndryshe, do të bëhemi një shtet i paqenë. Një flluskë sapuni në historinë e shteteve.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …