leoni

Musa Rexhep Qerimi (2.8.1981 – 26.5.1999)

Musa Rexhep Qerimi (2.8.1981 – 26.5.1999)

Musa Qerimi u lind më 2 gusht 1981, në fshatin Repë të Besianës (ish-Podujevë). Nga represioni serb, familja e tij ishte detyruar t’i braktisë vatrat stërgjyshore dhe të marrë rrugën për në Anadoll, ku nuk arrin të shkojë. Ajo mori këtë rrugë tri herë me radhë dhe pas secilës herë u detyruat ta blejë tokën e vet të cilën e kishte shitur për t’i siguruar të hollat e rrugës.
Musa shkollën fillore e kreu në Pollatë me sukses të shkëlqyeshëm. Pastaj vijoi mësimet në Podujevë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”. Edhe pse i ri, në shpirt ndiente dhembjen dhe vuajtjen e familjes së tij të varfër, por edhe të mbar popullit që nën thundrën serbe.
Me organizimin dhe lindjen e UÇK-së filloi interesimi i tij për t’u radhitur në radhët e saj dhe kontaktet para i pati në gusht të vitit 1998. Në tetor të atij viti ai la shkollën dhe hyri në radhët e UÇK –së.
Musa ushtrimet ushtarake i filloi më 17.10.1998, në Sylevicë, te komandanti Faik Durmishi, në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Gjatë gjithë kohës në vazhdim ai kreu detyra ushtarake me përgjegjësi, deri në ditën e rënies. Mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në këtë zonë. Në këto beteja ishte i pandarë nga kushëriri i tij, Milaim Qerimi dhe nga Ilaz Selimi, që të dy dëshmorë të kombit. Këta tre luftëtarë, siç qëndruan bashkë në beteja, ashtu edhe ranë bashkë që të tre në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë. Gjatë luftimeve të muajve mars – maj 1999, Musa ishte në pozicionet e Repës, ne vendin e quajtur Bregu i Lamës.
Më 25 maj të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër në shumë drejtime, në mënyrë që ta detyrojnë të dorëzohet atë pjesë të popullatës, e cila kishte mbetur nëpër malet e Grykës së Llapit. Forcat ushtarake e policore serbe sulmuan nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Më 26 maj 1999, derisa ishte duke qëndruar në pozicionet e UÇK –së, në fshatin Repë, te vendi i quajtur “Llaze” te “Bregu i Lamës”, Musa bie heroikisht, bashkë me Ilaz Selimin dhe Milaim Qerimin. Pasi forcat serbe ishin shumë afër dhe çdo lëvizje vërehej, bashkëluftëtarët Aziz Qerimi, Xhevat Selimi, Salih Sejdiu, Naser Sejdiu, nga Repa dhe Blerimi nga Sibofci i varrosën trupat e tre dëshmorëve, në fshatin Repë, gjatë natës ndërmjet 28 e 29 majit të vitit 1999.
Në hyrje të fshatit Repë e Epërme, në vendin e quajtur “Te lëndinat”, aty ku ishte hapur pika e parë e UÇK – së në këtë fshat është vënë pllaka përkujtimore për dëshmorin Musa Qerimi. Aty është skalitur emri dhe fotografia e Musë Qerimit dhe katër dëshmorëve të tjerë të këtij fshati, të cilët ranë në luftën e UÇK – së për lirinë e Kosovës. Emri i Musë Qerimit është përjetësuar edhe në lapidarin e fshatit Pollatë, së bashku me dëshmorët e Kompanisë së UÇK – së të këtij fshati dhe dëshmorëve të tjerë që ranë në betejat e kësaj ane. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …