Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se nuk është penduar për koalicionin me PDK-në në vitin 2014. Ai ka thënë se për këtë koalicion është penduar PDK-ja. “Prandaj gënjejnë ata që hapjen e rrugës për njerëz të rinj për kryeministër dhe vendimin tim të mos kandidoj për deputet e shpjegojnë si akt moral për shkak të dështimit të koalicionit me PDK-në. Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kryetari i saj e jo unë që respektova marrëveshjen”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”. “Unë nuk jam penduar për koalicionin e vitit 2014 me PDK-në. Prandaj gënjejnë ata që hapjen e rrugës për njerëz të rinj për kryeministër dhe vendimin tim të mos kandidoj për deputet e shpjegojnë si akt moral për shkak të dështimit të koalicionit me PDK-në. Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kryetari i saj e jo unë që respektova marrëveshjen. Qeveria, të cilën e drejtova, arriti suksese të jashtëzakonshme në ekonomi, në punësim, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në integrimet evropiane. Qeveri e pa korruptuar dhe e aftë. E vetmja çështje që nuk u përfundua është liberalizimi i vizave, për të cilën përgjegjësinë e kanë ata që e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi. Ata i lanë qytetarët pa liberalizim! Për kandidat për kryeministër, me iniciativën time, është diskutuar një listë më e gjerë, përfshirë nënkryetarët e LDK-së dhe z. Hoti dhe të gjitha strukturat janë pajtuar që kandidat yni në këto zgjedhje të jetë prof. Avdullah Hoti. Personalisht kam vlerësuar se kandidati për kryeministër duhet t’i prij listës së deputetëve, prandaj si Kryetar i LDK-së kam konsideruar të mos garoj për deputet. Opinionet tjera në debate televizive i konsideroj si nënshtrim para njerëzve që janë pjesë e ekipeve të koalicionit tjetër”, ka shkruar Mustafa.