Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa shkruan se “për individët me prirje dhe anësi të ndryshme politike, më së lehti është që rezultati të zgjedhjeve parlamentare të lexohet ashtu si ata e dëshirojnë dhe unë si kryetar i LDK-së të akuzohem si njeri i zemëruar dhe intatçor. E vërteta e këtyre zgjedhjeve është se asnjë subjekt politik shqiptar nuk mund të krijojë qeverinë vet me këto vota, dhe as me komunitetet joshumicë. E vërteta tjetër e hidhët është se qeverisja e vendit rrezikon të jetë e varur shumë nga vullneti i Listës Serbe, përkatësisht nga Serbia, në qoftë se ne nuk gjejmë konsensus shqiptar. Dhe një e vërtetë tjetër është se qëndrimet e LDK-së që mos të vazhdohen mandatet e rezervuara për komunitetet joshumicë, e minimizojnë këtë rrezik nga lista serbe, sepse duke analizuar pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje, me vende të rezervuara ata do të arrinin të kenë deri afër 20 deputetë në Kuvend, që do të ishte krejtësisht e padrejtë”.
“Qytetarët nuk kanë vendosur kështu. Asnjëri nga subjektet konkurruese në këto zgjedhje nuk e ka marrë besimin e plotë të qytetarëve për të qeverisur. Është në vullnetin tonë të vlerësojmë, natyrisht pa inate dhe pa zemërime por edhe pa i pranuar animet e jashtme, se çfarë është në interes të vendit”, ka thënë Mustafa.