Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk e sheh të mundshëm një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa flet për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje.“Ne kemi qëndrimin që të mos përkrahim një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Do të bisedojmë me Vetëvendosje!-n se a mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët, argumente të përbashkëta dhe po ashtu interes të përbashkët të vendit, që ta bëjmë një qeveri të përbashkët. Do të shohim programin qeveritar, por edhe çështje të cilat kanë mbetur si zotime tonat para komunitetit ndërkombëtar, sidomos ajo që ka të bëjë me liberalizimin e vizave dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kadri Veseli nuk do të votohet nga partia ime. Do të ishte mirë që të propozohej një deputet, i cili do të ishte më konsensual, sa i përket subjekteve të tjera”, ka thënë Mustafa për “Top Channel”.
Lajmet ora 8.00 28 gusht
Në një letër, të cilën ua ka drejtuar Shoqatave të Luftës Çlirimtare, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se derisa dikush, përmes devalvimit të UÇK-së, synon t’i krijoj vetes vend të pamerituar në rrëfimin për lirinë e Kosovës, dikush tjetër, në emër të saj, përpiqet të përmbushë egon personale për pushtet dhe favore të tjera materiale. “Për të parët UÇK-ja, si institucion moral, është pengesë, për të dytët është instrument personal”. Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës”, shkruan mes tjerash në letrën e tij Kadri Veseli.
Agim Çeku, ish-Kryetar i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të UÇK-së, u ka bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve të denoncojnë në Prokurori gjithë keqpërodoruesit e mundshëm të statusit të veteranit. Ai ka saktësuar se Prokuroria disa herë ka qenë në Zyrën e tij për të marrë materiale. Beson se shpejt do të ketë rezultatet. Megjithëkëtë, ai thotë se nuk është i madh numri i atyre që kanë keqpërdorur statusin e veteranit. Kushdo që ka përfituar statusin e veteranit merr një pagë mujore prej 170 euro. Pas uftës është raportuar se numri i veteranëve nuk ka shkuar në 20 mijë, ndërsa, kur janë regjistruar kanë dalë më shumë 40 mijë.
Nga dita e sotme Qeveria e re e Shqipërisë, “Rama 2” do të nisë zyrtarisht punën. Kryeministri Rama shpalli nga Asambleja Parlamentare e PS-së emrat e kabinetit të tij të ri qeveritar, me 9 ministri më pak nga mandati i parë qeverisës, ku disa dikastere shkrihen me njëra-tjetrën e disa të tjera që nuk do të ekzistojnë më, si Ministria e Integrimit, me emra të rinj që i bashkohen në këtë mandat të ri, por edhe ministrat besnikë, të cilët vet kreu socialist i cilësoi të suksesshëm në 4 vitet e shkuara. Qeveria e re përbëhet nga 11 ministri, në barazi të plotë gjinore 50% burra e 50% gra, si dhe dy ministra të Shtetit. Numrin dy të qeverisë së tij të re, Edi Rama prezantoi deputeten shkodrane, ekonomisten 40-vjeçare, Senida Mesi. Detyrën e Ministrit të Shtetit për Diasporën, kryeministri ia besoi Pandeli Majkos.
Menjëherë pas shpalljes së kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri Edi Rama, kanë ardhur reagimet e para nga dy liderët kryesorë opozitarë në vend, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, deri dje kundërshtarë të fortë kundër njëri tjetrit Si asgjë të re dhe vetëm si vazhdim dhe thëllim i të keqes e ka vlerësuar Basha kabinetin e ri qeveritar. Për Lulin janë të papranueshëm, Fatmir Xhafaj, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë. Ka reaguar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila e ka vënë në diskutim, forcën e re qeverisëse, sepse sipas saj kjo qenka ‘Qeveria e re’ e kryeministrit të vjetër, duke anashkaluar faktin se në bashkëqeverisje me të, ajo me burrin e saj, Ilir Meta, kanë ngitur piramida të fitimeve përrallore nga paraja e korrupsionit. Duke qenë se ka mbetur në opozitë, zonja Kryemadhi çirret kundër Ramës, pavarësisht se burrit të saj pikërisht Edi Rama me socialistët e tij ia kanë siguruar postin e kryetarit të vendit.
Situatën aktuale në Kosovë e ka komentuar edhe albanologu dhe politologu i njohur bullgar, Anton Panchev, sipas të cilit zvarritja e formimit të institucioneve po i kushton shumë vendit. Panchev në një intervistë për “KosovaPress” është shprehur se politika në Kosovë nuk ndryshon shumë nga ajo e vendeve tjera të Ballkanit, pasi që të gjitha kanë dukuri të përbashkëta. “Në shtetet tona këtu në Ballkan, ka shumë dukuri të përbashkëta. Proceset politike kanë shumë ngjashmëri dhe vuajnë nga të njëjtat sëmundje. Është problem se Kosova disa muaj pas zgjedhjeve të parakohshme ende nuk i ka krijuar institucionet, Kuvendi ende nuk funksionon, nuk e keni qeverinë e re… Me revokimin e punës së institucioneve, Kosova pëson humbje edhe në politikën rajonale, edhe në integrimet evropiane dhe euroatlantike, por edhe në fushën e ekonomisë. Kanë ngecur projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës, në fushën e buxhetit e kështu me radhë”, tha ai. I pyetur se si e sheh Kosovën në të ardhmen, si shtet që duhet forcuar apo të bashkuar me Shqipërinë, Panchev shprehet se mbështet bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, por nuk është optimist se kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se është obligim moral, politik e njerëzor që Lëvizja Vetëvendosje të dalë dhe të sqarojë të gjitha sulmet, kërcënimet, dosjet e dërguara në prokurori dhe shumë çështje tjera që janë ndërmarrë kundër tij. Megjithatë, ai thekson se nuk dëshiron ta lidhë fatin e shtetit dhe funksionimit të institucioneve të vendit me rastet individuale, prandaj ka autorizuar përfaqësuesit e LDK-së që të flasin me ata të Vetëvendosjes për të shikuar mundësinë e një bashkëpunimi nëse arrihet të harmonizohen programet për shumë çështje të rëndësishme.
Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka konfirmuar për mediet se Selim Pacolli, është zgjedhur kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re. Selim Pacolli e ka përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë Bahtiri me këtë rast. Deri tani për postin e kryetarit të ardhshëm të kryetarit të komunës së Prishtinës kanë konkurruar: Shpend Ahmeti nga Vetëvendosja, Arban Abrashi nga LDK-ja, Lirak Çelaj nga PDK-ja, Arbër Vllahiu nga AAK, Shyqeri Bytyçi nga NISMA dhe tani Selim Pacolli nga AKR-ja. Konkurrenca për komunën e Prishtinës në zgjedhjet vendore të 22 tetorit do të jetë shumë e fortë.