Vitet 1877-1878 shënojnë një periudhë të rëndë dhe tejet të përgjakshme për popullin shqiptar. Pushtimi i Sanxhakut të Nishit nga forcat serbe nisi një kapitull të tmerrshëm të dhunës dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga trojet e tyre të lashta. Ata, me qëllim për të mbijetuar ishin të detyruar të lënin prapa gjithçka: shtëpitë, fshatrat, pasuritë e tyre. Megjithatë, në shenjë kujtimi dhe mos-harrimi për dëbimin e dhunshëm, derisa po largoheshin ata mbartnin me vete një pjesë të vendlindjes së tyre, duke ruajtur emrat e fshatrave dhe rajoneve ku kishin jetuar me shekuj. Për ato mijëra familje, emri i fshatit të braktisur me dhunë u bë një shenjë kujtimi, i të parëve, një lidhje e pamposhtur për ta ruajtur kujtimin për trojet e humbura…
Sot, kujtimet e asaj kohe të errët mbeten gjallë në historinë e familjeve të muhaxhirëve. Emrat e vendbanimeve si Berbatovci, Kurshumliu, Nishliu, Leskovci, Prokupja dhe qindra të tjerë, shënojnë rrugën e tyre nga Sanxhaku i Nishit, në vendet e strehimit, por gjithmonë duke ruajtur një lidhje të thellë me vendlindjen e tyre të humbur. Këto nuk janë vetëm emra, patronime por janë pllaka të ngulitura në memorien kolektive të një populli që përballi vështirësi të mëdha dhe u ngrit me forcë për të qëndruar gjallë, duke mbajtur shpresën për një ditë kthim në tokën e tyre të dashur.
Dëbimi i popullatës shqiptare të Sanxhakut të Nishit e kishte përfshirë edhe fshatin Berbatovc të Toplicës, në atë mes edhe familjen Bahtiri, e cila ashtu sikurse edhe banorët shqiptarë të viseve të ndryshme të Sanxhakut të Nishit edhe kjo familje gjeti strehim në Kosovë…
Pas pushtimit të tokave shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi në vjeshtën e vitit 1912, filluan vite të territ dhe dhunës për popullsinë shqiptare. Qëllimi ishte serbizimi i Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare. Popullsia shqiptare u detyrua t’ i nënshtrohet një faze të tmerrshme të spastrimit etnik dhe kolonizimit, të ndjekur me brutalitet të pamëshirshëm. Dhuna dhe terrori u përdorën si mjet për të shtyrë shqiptarët të shpërnguleshin nga trojet e tyre. Kjo valë e shpërnguljes e përfshiu edhe familjen Bahtiri, e cila fillimisht mori rrugën për në Turqi, ku u vendosën në vendin e quajtur, Bijtë e Çobanisë, jo larg Izmirit. Më pas kjo dhe shumë familje të tjera, nga Turqia u kthyen në Kosovë.
Mustafë Bahtiri, u lind në vitin 1925. Shkollën fillore e kreu në shkollën e fshatit në Dobrajë të Madhe, në gjuhën serbo-kroate e cila zgjati pesë vite, më vonë familjarët e dërgojnë në Medrese në Prizren ku shkollimi zhvillohej kryesisht në gjuhën arabe dhe turke. Mustafa e përfundoi shkollën më sukses shembullor. Më vonë regjistrohet në medresenë “Pirinazi” në Prishtinë në vitin 1939 – 1940. Në vitin 1942 së bashku me disa shokë dhe me përkrahjen e profesor Idriz Ajetit, regjistrohet në Gjimnazin e Prishtinës.
Në gjimnazin Real në kohën kur vijonte mësimet kishte mësimdhënës, profesorë si. Gjon Serreçin, Idriz Ajetin, Xheladin Hanën, Zekeria Rexhën dhe Mehmet Gjevorin, për të cilët kishte respekt dhe admirim.
Shovinistët serb bënin lloj-lloj përpjekje që ti ndalonin shqiptarët të shkolloheshin në gjuhen e tyre amtare, disa nga ta edhe përmes dhunës tentonin ti largonin nga objektet në të cilat banonin nxënësit shqiptarë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe u shtri jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra. Kjo kërkonte një ngritje profesionale të kuadrit arsimor, një kusht themelor për zgjerimin e rrjetit shkollor dhe për integrimin sa më të gjerë të nxënësve. Për të arritur këtë qëllim, u organizuan kurse dhe seminare të ndryshme. Fillimisht u hapën kurse të ndryshme pedagogjike, nga ato më të ulëtat deri te ato më të lartat, të cilat zgjasnin prej një muaji deri në një vit. Qëllimi i këtyre kurseve ishte të aftësonin sa më shpejtë kuadri arsimor, duke krijuar një bazë të nevojshme për shumë shkolla në Kosovë.
Në vitin shkollor 1946- 1947 Mustafë Bahtiri transferohet në shkollën e fshatit Broboniq të komunës së Mitrovicës, e cila në atë kohë ishte e hapur dhe punonte në një shtëpi private. Ajo shkollë punonte në kushte shumë të vështira. Mungonin bankat shkollore dhe në vend të tyre përdornin shkëmbin me tri këmbë, që e sillnin nxënësit me vete, nuk kishte dërrasë të zezë, por në vend të saj përdornin disa dërrasa të improvizuara, shkumësa nuk kishte, ndërsa nxënësve iu mungonin lapsat dhe fletoret. Nëse e kishte dikush një laps e ndanin në tri pjesë për tre nxënës.
Mësuesin Mustafë në vitin shkollor 1948=1949, e transferuan nga Brobaniqi i Mitrovicës në fshatin Rufc të Lipjanit. Në këtë shkollë përveç nxënësve shqiptarë, aty i vijonin mësimet edhe nxënësit serbë dhe malazezë, Këtu mësuesi Mustafë do të përballej me shumë sfida pasi që mësuesit nga minoriteti serbë e malazezë do ta pengonin në kryerjen e detyrave të tij.
Në vitin shkollor 1951-1952 Mustafa u caktua mësues në shkollën e fshatit Gadime. Në këtë shkollë Mustafa i gjeti edhe ish-shokët e tij nga medreseja si dhe mësuesit që kishin ndjekur kurset pedagogjike së bashku, ishte atmosferë shumë më e mirë për punë, raportet e mira kolegiale e miqësore, aty çdo gjë frymonte shqip. Mësuesit Mustafë iu caktua të ligjëronte lëndën e Matematikës- Gjeometrinë si dhe Edukatën Fizike, ndërsa një vit më vonë lëndën e Gjeografisë. Për dy vite sa punoi si mësues në Gadime, banoi dhe u ushqye në odën bujare të familjes së Shaban Demirit. gjithashtu, thuajse çdo natë u takonin edhe në odat e tjera të Gadimës.
Në Magurë gjatë viteve 1954- 1968, ishin vitet më të rënda për mësuesin Mustafë. Kolektivi i shkollës ishte i dominuar nga serbë e malazezë, të cilët kishin një qëndrim antishqiptar. Në shërbim të regjimit serb ishin disa mësues e arsimtarë serbë e malazezë, të cilëve iu pengonte shkollimi i kuadrove shqiptare dhe çdo gjë që kishte me ngritjen dhe përparimin e popullit shqiptarë. Ata përcillnin çdo lëvizje të Mustafës, por edhe të tjerëve.
Në vitin 1978, nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Lipjanit u zgjodh drejtor i shkollës fillore në Magurë, në kuadër të cilës ishin edhe paralelet e ndara në Dobrajë të Madhe, Poturovc, Qylagë, Vërshefc, Mirenë e Medvec. Sfidat me të cilat u përball me marrjen e detyrës ishte nevoja për ndërtimin, rregullimin e infrastukturës shkollore- objekte të reja dhe sfida e dytë ishte ngritja e nivelit të cilësisë në mësimdhënie.
Mustafë Bahtiri u pensionua në vitin 1989, pas 43 vitesh të shërbyerit me ditar në dorë në profesionin e tij. Megjithatë, pavarësisht këtij ndalimi formal të punës, ai nuk e ndali asnjëherë angazhimin e tij dhe punën për të mirën e të tjerëve. Ai vazhdoi të punojë dhe të vepronte me të njëjtin zell dhe pasion si më parë, duke qenë një burim frymëzimi dhe udhëheqës për të gjithë që ishin rreth tij.
Veterani i arsimit dhe liridashësi, Mustafë Bahtiri e priti me gëzim të madh daljen e UÇK-së në skenë, edhe në këtë kohë ai ka marrë pjesë në protesta e demonstrata në përkrahje të luftës së drejtë të popullit tonë.
Përveç kontributit të madh në arsim dhe aktivitetet tjera humanitare Mustafë Bahtiri dha kontribut edhe për çështjen fetare në Dobrajë të Madhe e sidomos në Lipjan, ku me aktivistët tjerë u angazhua në ndërtimin e xhamisë, ku edhe ia arriti qëllimit.
Veprimtarin, atdhetarin dhe veteranin e arsimit, Mustafë Bahtiri, e kam njohur nga gjyshi im Mulla Emin Miftari, pastaj edhe nga babai, Ali Emin Qeriqi. Gjyshi, qysh në vitet 30 të shekullit të 20-të ka qenë imam në fshatin Dobrajë, afër Magurës, me ç’ rast është njohur me xha Mustafën dhe me shumë nga të afërmit e tij. Edhe në periudhën e Luftës së Dytë Botërore e pas luftës nuk janë shkëputur lidhjet, vajtje-ardhjet, mikpritja dhe nderi e respekti i ndërsjellë.
Me veteranin e arsimit, xha Mustafën jemi takuar edhe nëpër aktivitete kulturore, por edhe politike e shoqërore, sidomos në vitet 90-të.
Ishte një intelektual i dalë nga bota patriarkale, por në qenien dhe botëkuptimet e tij kishte gërshetuar moralin tradicional dhe arsimimin e emancipimin bashkëkohor, ashtu si edhe disa intelektualë të tjerë të kohës. Ishte shumë i sinqertë, i dashur, i respektueshëm për këdo, i përmbajtur dhe gjithnjë i gatshëm për të dalë në ndihmë, për të kryer ndonjë punë apo aktivitet. Mbi të gjitha më ka bërë përshtypje afria e tij e jashtëzakonshme me njerëzit, mirëkuptimi, solidarësia, sinqeriteti, thjeshtësia, vetëpërmbajtja dhe gjykimi i thellë e kurdoherë realist.
Veterani i arsimit, Mustafë i ka dhënë kontribut të madh arsimimit të brezave, ka shkolluar e pajisur me dituri e njohuri, sa e sa breza, ka emancipuar jo vetëm familjen e tij por edhe të afërmve, miqve e dashamirëve. Të gjithë bijtë e tij kanë kryer shkolla të larta e fakultete dhe kanë qenë veprimtarë të çështjes kombëtare në të gjitha etapat e lëvizjeve të kohës.
Mustafë Bahtiri u përball me një sfidë të madhe kur u diagnostikua me kancer, Ai vazhdoi të luftonte me guxim dhe shpirtin e paçmueshëm për të jetuar.
Më 25 prill të vitit 2007, Mustaftë Bahtiri dha frymën e fundit pranë motrës së tij, Eminës. Ai u varros në varrezat e qytetit të Lipjanit. Pjesëmarrja e qytetarëve në varrim ishte masive, një karvan që i ngjasonte një lumi të pafund duke iu dhënë lamtumirën e fundit mësuesit, veprimtarit, humanistit, pajtimtarit që dha aq shumë për tokën e popullin e vet që e deshi aq shumë.
Mustafë Bahtiri ka qenë i martuar me Naxhije Mulakun, kishin dhjetë fëmijë, tre të vdekur dhe shtatë të tjerët jetojnë edhe sot, gjashtë djem dhe një vajzë: Musën, Isanë, Agimin, Naimin, Afrimin, Afërditën dhe Arsimin. Të gjithë fëmijët e tij kanë të mbaruar shkollimin e lartë, dhe vazhduan rrugën e babit të tyre…
Autorë:
Ahmet Qeriqi
Afrim Bahtiri