Mustafë Gashi: Arsimin e kam dashur dhe e dua më shumë se çdo profesion tjetër

Mustafë Gashi: Arsimin e kam dashur dhe e dua më shumë se çdo profesion tjetër

Mustafë Gashi është veteran i Arsimit. Pas më pak se një vit, ai del në pension, pas më shumë se  dyzet vjet punë me ditar në dorë. Sa e sa gjenerata i ka edukuar, ua ka mësuar shkrim- leximin e gjuhës shqipe, i ka arsimuar dhe i ka ngritur, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë mijëra arsimtarë kudo në vendin tonë dhe kudo në botë. Veterani i arsimit,  arsimtari, Mustafë Gashi ka punuar në shkollat e vendit në periudhat më të rënda dhe më të vështira të shkollës shqipe, sidomos në vitet ‘80 e ’90-të, por edhe pas luftës e deri në ditët e sotme. Fati i tij jetësor ka qenë dhe ka mbetur arsimimi i gjeneratave të shqiptarëve, të cilët kanë përjetuar një histori të rëndë të vuajtjeve, burgosjeve, izolimeve e maltretimeve fizike e psikike. Në këtë rrugëtim të gjatë, dyzetvjeçar, ai me kolegët e koleget e  tij ka përballuar të gjitha sfidat, i vetëdijshëm se pa arsimin kombëtar, nuk do të mund të realizoheshin aspiratat tona historike për çlirim dhe bashkim. Ai ndihet krenar për punën në arsim dhe thotë: “Arsimin e kam dashur më shumë se çdo profesion, dhe nuk kam bërë asnjë përpjekje për ndonjë veprimtari tjetër. Ata që e kanë lidhur jetën, punën dhe angazhimin  me këtë profesion të shenjtë  më kuptojnë më mirë se  gjithë të tjerët”.

RKL: Zotëri Mustafë, për fillim të bisedës na thoni ku keni lindur dhe ku e keni kryer shkollimin?

Mustafë Gashi: Jam lindur me 11 gusht të vitit 1952 në fshatin, Busi të Prishtinës. Shkollimin fillor, 6 klasat e para  i kam kryer në shkollën fillore “Isa Boletini”, në vendlindje,  ndërsa dy të tjera, klasën e shtatë dhe të tetë i kam mbaruar  në shkollën fillore “Avni Rrustemi” në Mramur. Mësues të parë kisha Bajram Aliun, nga fshati Slivovë. Shkollën e mesme normale “Milladin Popoviq” e kam kryer në Prishtinë, pastaj edhe shkollën e lartë pedagogjike, po kështu, në Prishtinë, ku dhe jetoj. Aktualisht punoj në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.

RKL: Kur keni filluar punën në arsim dhe si iu ka ngelur në kujtesë ajo kohë e para dyzet viteve?

Mustafë Gashi: Me 1 shtator të vitit 1973, pasi paraprakisht kisha  kryer Shkollën Normale në Prishtinë, e cila ka përgatitur  kryesisht kuadro për arsim, kam filluar punën me ditar në dorë,  në shkollën fillore “Avni Rrustemi”,  në fshatin Mramur, ku edhe kisha përfunduar arsimin tetëvjeçar. Ishte kjo  një ndjesi e veçantë, vështirë e përshkueshme për kohën, moshën dhe fillet e punës. E prisja me padurim atë ditë të shkoja dhe të takoja nxënësit, të cilët do t’i mësoja dhe  do t’i edukoja, meqë edhe isha përgatitur për profesionin e mësuesit. Asokohe, në përgjithësi  kishte një përkushtim të veçantë për punë,  meqë arsimi në Kosovë dhe përgjithësisht të trevat shqiptare kishte marrë hov drejt dijes, përparimit dhe emancipimit.

RKL: Cilat kanë qenë kushtet dhe vështirësitë, me të cilat jeni përballur në vitet e para të punës?

Mustafë Gashi: Puna në arsim, në kohën kur kam filluar të punoj  ka qenë përplot me vështirësi, shumë më të mëdha sesa ka tani, sidomos me hapësirën dhe kushtet materiale e fizike në  shkolla, mungesën e shprehur të mjeteve të punës, mungesë edhe të teksteve shkollore. Po ashtu kanë munguar mjetet metodike konkretizuese për punë, të mos flasim për kabinete e forma të tjera të mësimit. Megjithatë ne kemi bërë çmos që brenda mundësive të arsimojmë dhe të edukojmë brezat e nxënësve duke ditur rëndësinë e shkollimit. Mendoj,  jo vetëm unë, por besoj edhe krejt gjenerata ime e mësimdhënësve, kudo në vendin tonë,  kemi punuar me vetëmohim e sakrificë. Atëherë dhe tani, mësuesi para vetes ka një qëllim: edukimin dhe arsimimin e brezave.  Për ne, asokohe, ky ishte mbi të gjitha një idealizëm i veçantë, me qëllim  për t’i  arsimuar gjeneratat e reja,  meqë me shekuj të tërë shqiptarët kishin qenë të privuar nga  drita e diturisë dhe arsimimit kombëtar.

 RKL: Cili ka qenë interesimi i nxënësve dhe i prindërve për mësim?

Mustafë Gashi: Interesimi i prindërve, marrë në përgjithësi nëpër fshatrat e vendit,   në atë kohë ka qenë më i vogël, për të regjistruar fëmijët, në shkollë. Jo sepse ata nuk e dinin rëndësinë e shkollimit, dhe nuk dëshironin që fëmijët e tyre të shkolloheshin, por nuk kishin kushte, madje disa nga ata nuk kishin kushte elementare për jetesë. Fëmijët, edhe pse të rinj në moshë, u nevojiteshin prindërve të tyre për punë, për ta ruajtur  bagëtinë, për të prerë dru, për të bërë punë në shtëpi.  Më kujtohet dhe do ta veçoj një klasë, e cila  ka pasur 25 nxënës. Të gjithë kanë pasur kushte tejet të vështira, sepse ata  krahas mësimit kanë pasur edhe angazhime të ndryshme në shtëpi, por me kalimin e kohës ka ardhur duke u rritur interesimi edhe i prindërve, të cilët me kohë e kanë kuptuar se fëmijët duhet doemos të shkollohen e të arsimohen.

RKL: Na thoni emrat e disa kolegëve, apo edhe të drejtorëve me të cilët keni punuar më shumë kohë. Ku janë ata sot, a janë pensionuar apo ende punojnë?

Mustafë Gashi: Koleget e mi në periudha të ndryshme kohore në shkollën e  Mramurit kanë qenë: Rifat Gashi mësues i parë i Gollakut. Ai a qenë edhe drejtor për shumë vite. Në kohën kur ai ishte drejtor, Mramuri ka qenë vatër e veçantë e punës dhe angazhimit për edukimin dhe arsimimin e nxënësve. Në atë kohë pasi për kushte të rënda ishin mbyllur disa  shkolla të asaj ane, atëherë nxënësit vinin nga fshatrat e largëta ta kryenin shkollën  tetë-vjeçare në Marmur. Gjatë punës sime në arsim prej vitit 1973 e deri tani, kam pasur shumë kolegë e kolege. Prej tyre nga filli i punës më kujtohen Bajram Aliu,  Feti Gashi, Nezir Gashi, Nuhi Gashi, Agim Gashi, Idriz Gashi, Shekfi Gashi, Xhemajl Gashi e të tjerë. Më vonë në shkollën, “Hasan Prishtina” kam pasur disa drejtorë, meqë kam punuar një kohë të gjatë. Në mesin e tyre kanë qenë: Ali Gashi, Rasim Berdynaj, Nezir Gashi, Shyqeri Obertinca dhe Milaim Berisha. Kolegët e punës me të cilët kam punuar më gjatë kanë në pune, kanë qenë: Muharrem Berisha, Hazbije Gojani, Drita Nixha, Myrvete Duraku Ramiz Kadriu, Zymer Cakolli, Iqrane Jashari, Afërditë Hoda e të tjerë, mbase kam lëshuar emrin e ndonjërit prej tyre dhe u kërkoj ndjesë me këtë rast.

 RKL: Ju i takoni gjeneratave të mësuesve e arsimtarëve, të cilët kanë qenë halë në sy të regjimit, për shkak të angazhimit kombëtar dhe mospajtimit me masat represive të Komitetit. 

Mustafë Gashi: Po kjo është shumë e vërtetë. Ka qenë një kohë mjaftë e vështirë sidomos për neve mësimdhënësve, në vitet e 80-ta. Unë asokohe ka rastisur të kem qenë drejtor në shkollën fillore, “Avni Rrustemi”,  në Mramur. Gjatë viteve të 80-ta të shekullit të kaluar,  shkolla jonë  ka qenë strehë për të gjithë të përndjekurit politikë. Një numër prej atyre të burgosurve politik, si: Beqir Gjonbalaj, Bejtush Jashari, Tefik Latifi, e disa të tjerë edhe pas vuajtjes së  dënimit ne prapë u kemi krijuam kushte dhe sërish i kemi pranuar në punë, edhe pse zyrtarët e arsimit dhe “Komiteti”, nuk e mirëprisnin kthimin e tyre.

RKL: Si i keni përballuar represionit në shkollë pas demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981, kur po thuajse çdo kund ishte popullarizuar kërkesa për Kosovën Republikë dhe ndiqeshin arsimtarët, të cilët hapur apo fshehtas e përkrahnin një kërkesë të tillë, të natyrshme dhe të drejtë?

Mustafë Gashi: Qysh prej pranverës  së vitit 1981 dhe në vazhdim, prej vitit në vit, nuk kishte pushuar i ashtuquajturi diferencim ideopolitik, që kishte për qëllim, ndjekjen dhe largimin nga puna e të gjithë mësuesve dhe arsimtarëve liridashës, sidomos të atyre që kishin marrë pjesë në demonstrata, por edhe të atyre që i përkrahnin.  Po ne, në kolektivin ku punoja, meqë edhe ishim kompakt dhe kishin përkrahur kërkesat e demonstruesve, patëm marrë qëndrim  që të mos diferencojmë asnjë mësimdhënës, edhe pse ndonjëri prej tyre, u kishte rënë në sy autoriteteve apo inspektorëve të Sigurimit, për ndonjë aktivitet që binte ndesh me Lidhjen Socialiste apo Lidhjen komuniste të kohës.

Ishim një kolektiv mjaft kompakt dhe në asnjë rast nuk u zbulua aktiviteti ilegal, apo pjesëmarrja në protesta e asnjë arsimtari, nga pushteti okupator serb. Te secili ka qenë i pranishëm parimi për qëndresën dhe pathyeshmërinë. Ishim të bindur se rruga ku synohej të arrihej kishte plot sfida e sakrifica, por po ashtu  ishim shumë të sigurt se pengesat do t’i kapërcenim, duke qenë unikë dhe duke i besuar fortë njëri-tjetrit, sepse të gjithë ishim të bindur se rruga e lirisë sado me sakrifica, nuk do të ndalonte deri në arritjen e qëllimit, të çlirimit të Kosovës nga robëria shekullore serbe. Brezit të liridashësve të vitit 1981, i takon nderi më i lartë që bënë aq shumë çështjen kombëtare. Përpjekjet dhe kontributi i tyre kanë një rëndësi të veçantë.

RKL: Në vitin e ardhshëm shkollor dilni në pension. Si e ndieni veten për kontributin që i keni dhënë  dhe ende po i jepni arsimit?

Mustafë Gashi: Unë ruaj kujtime nga më të ndryshmet gjatë gjithë karrierës sime, ashtu sikur besoj se ruajnë të gjithë mësimdhënësit, kudo, jo vetëm në Kosovë. Me të drejtë konsideroj se kam  arsye të ndjehem i lumtur dhe krenar që për gjithë këto vite që kam edukuar e arsimuar breza të tërë nxënësish. Arsimin e kam dashur më shumë se asnjë profesion tjetër dhe nuk kam bërë asnjë përpjekje për ndonjë veprimtari tjetër. Ata që e kanë lidhur jetën punën dhe angazhimin  me këtë profesion të shenjtë,  më kuptojnë më mirë se të gjithë të tjerët.

RKL: Ju falënderojmë për intervistën dhe ju urojmë shëndet e jetë të mbarë.

 Mustafë Gashi: Faleminderit juve që më dhatë mundësinë të jem pjesë e kësaj interviste në “Radion Kosova  e Lirë”. Ju uroj  për punën e vlefshme që keni bërë dhe po  bëni për vendin e kombin tonë. Nëpërmjet emisioneve tuaja ju po përhapni dashurinë për atdheun, për të kaluarën e të sotmen.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …