(Fjalimi i Mustafë Krasniqit në promovimin e monografisë “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën
-Përshëndetje të pranishëm,
përfaqësues konsullor, i nderuar autori i librit, z. Nuhi Bytyçi!
Të jesh i pranishëm në promovimin e një libri kaq të rëndësishëm, jo vetëm se është kënaqësi, por edhe privilegj, sidomos, aty ku autorit është pjesë e një historie dhe shkruan me ndjenja, qoftë si publicist apo autor i librit.
Kur flasim për autorin e librit, konkretisht për Nuhi Bytyçin, nuk mund të mos na kujtohet puna e tij me përvojë të gjatë si publicist e veprimtar i çështjes kombëtare, i cili me një modesti, qoftë si gazetar apo si krijues librash e ka përfitua lexuesin apo më mirë të themi se lexuesit i ka dhuruar vlera të çmuara krijuese.
Autori i dy librave „Libri i luftës“ dhe monografia “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën”, i sjell në memorien e kombit, përmes kronikave apo personazheve, qëndrueshmërinë, guximin e përgjithshëm apo atë individuale të shqiptarit veprimtar dhe të sakrificës, nëpër periudha të ndryshme. Po ashtu me përgjegjësi krijuesi iu ka qasur ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur e përjetuar, nga autori. Qofshin ato të krenarisë, lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që më tej të bëhej realitet ëndrra e kamotshme për bashkimin e kombit, apo duke prekur skenat e dhimbshme, të vrasjeve dhe gjenocidit që ka përjetuar populli shqiptar nën okupimin e pushteti pushtues Serb.
Përmes librit të parë, që është një librin voluminoz me titullin “Libri i luftës“ i botuar në vitin 2019, na flet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ushtri që mbeti figura më sublime për realizimin e Pavarësisë së Kosovës. Libër që përshkruan historinë e luftës, nderon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, heronjtë, martirët dhe të gjithë ata që i kontribuuan luftës për liri.
Kur flasim për autorin nuk mund të i ikim nga një realitet, i cili ishte dhe mbeti një zë i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare. Atëherë kur disa kërkonin të fshiheshin, zotëri Nuhi Bytyçin e shohim kudo në zona të rrezikshme, bashkë me dhimbjen, luftën, gëzimin, krenarinë.
Ky promovim i librit “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën”, që kemi nderin ta kemi në dorë për lexim, është një vlerë e shtuar e histografisë shqiptare, që përmes kësaj figure të rëndësishme kombëtare na paraqet tërë historinë e periudhës së profesor Gazmend Zajmit, e cila ishte vu nën thundrat e çelikta të pushtetit të asaj kohe, të ishe-Federatës Jugosllave.
Sipas autorit, Gazmend Zajmi, përveç se ishte një intelektual i rangut të lartë, ai ishte një intelektual largpamës e vizionar i çështjes kombëtare, themelues i Universitetit të Prishtinës, pjesëmarrës në nxjerrjen e Kushtetutës së vitit 1974 dhe të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Duke iu referuar njërit nga titujve e librit në fjalë “Gazmend Zajmi dhe kushtetuta e 1974 – Autonomia e Kosovës”, autori thekson se roli i Gazmend Zajmit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka qenë i rëndësishëm edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974.
Për figurën e profesor Zajmit, autori na jep tablo të rëndësishme, duke nxjerrë në sipërfaqe pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, që kësaj pjese të historisë i takon edhe vet prof. Zajmi.
Ishte fat atë kohë edhe për Universitetin e Prishtinës, sepse në fund të viteve shtatëdhjetë Akademik Zajmi ishte në krye të saj. Në këtë periudhë filloi bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, si ekspertë shkencorë vinin nga Shqipëria profesorë që ligjëronin në Prishtinë: albanologë, artistë, shkrimtarë dhe ekspertë të shkencave ekzakte.
Ky bashkëpunim me Tiranën e trembi ish-Federatën Jugosllave, kurse ngjarjet e vitit 1981, që atë kohë shpërthyen demonstratat studentore, me parullën dhe kërkesën Kosova Republikë. Periudhë, që i tërë populli iu bashkua kësaj kërkese dhe shqetësoi politikën hegjemoniste Serbe-Jugosllave, e cila zhvilloi një luftë speciale kundër masës së gjerë të shqiptarëve, intelektualëve dhe atyre që flisnin për të drejtën, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ndër këta të përndjekur ishte edhe Akademik Gazmend Zajmi, njeriu i pathyeshëm, i cili mbronte të drejtën e Kosovës, duke vu në pah vendimet e konferencës së Bujanit, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Gazmend Zajmi, pa frikë e thoshte mendimin e tij për të drejtën e vetëvendosjes dhe për bashkimit të Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë.
Në të gjithë kapitujt e librit, që nga kapitulli i parë e deri tek i XXII, autori na e paraqet realisht kontributin e madh të Gazmend Zajmit, duke marrë edhe mendimin e shumë të intervistuarave, të cilët flisnin me admirim për një njeri të sakrificën dhe i guximshëm kur ishte në pyetje çështja kombëtare.
Profesor Zajmi, kur shumë politikaj të asaj kohe i akuzonin demonstratat studentore, ky guximshëm u doli në mbrojtje kërkesave të demonstratave të vitit 1981, duke shtuar: “unë jam sikur ju, jam i rrezikuar sikur ju, por duhet të qëndrojmë dinjitetshëm….”, duke shtuar tutje “Ne do të marshojmë nëpër qytet, por duhet të jemi të kujdesshëm që me veprimet tona joakademike mos ta dëmtojmë vendin tonë – Kosovën….”.
Përpos shkencës, Akademik Zajmi u mor edhe me muzikë, i cili përpos që ishte kompozitor, ai ishte edhe tekst-shkrues i këngëve, i cili realizoi mbi 200 këngë të zhanreve të ndryshme të muzikës për fëmijë, të asaj popullores dhe argëtuese. Po ashtu u mor edhe me baletin „Vallja pranverore“ që ishte vepër e rangut të lartë në fushën e muzikës. Shkroi këngën “Martesa e lumtur” që deri vonë ka qenë anonime, që është menduar se është këngë popullore, e krijuar dekada më herët. Mirëpo, autor i muzikës dhe i tekstit ishe i prof. Gazmend Zajmi, i cili kishte lindur në Krumë të Shqipërisë, por që nga femëria e deri në vdekje veproi dhe jetoi në Kosovë.
Profesioni i tij ishte jurist – doktor i shkencave juridike, Rektor i Universitetit të Prishtinës, personalitet i respektuar, aktiv në jetën politike e kulturore të Kosovës. Por, që për shkak të kësaj veprimtarie dhe qëndrimeve të tija kombëtare, në vitin 1981 diktatura e pushtuesit Serb e shkarkoi nga detyra e rektorit dhe e izoloi nga të gjitha funksionet publike.
Akademik Zajmi si jurist, profesor, politikolog dhe politikan, publicist e kompozitor, polemisti e stilist i shquar, pas gjitha atyre peripecive që përjetoi, asnjëherë nuk e ndali veprimtarinë e tij krijuese në fushën e shkencës, të mendjes, të dijes, të artit etj., duke mos lenë anash edhe fushën e historisë sonë më të re, që ishte sa tragjike, aq edhe madhështore në qëndrimet, përpjekjet për liri dhe për ta larguar përgjithmonë nga trojet tona armikut shekullor, okupatorin serb.
Në fund të fjalës sime, sinqerisht jua them se pata nderin të flas për monografinë “Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën” të publicistit dhe veprimtarit të shquar, Nuhi B, i cili me të drejtë e thotë: “Gazmend Zajmit si shumë shokë tjerë të tij, ndër ta edhe Ali Hadri e Fehmi Agani janë veprimtarë intelektualë, ideorë e shpirtërorë i rëndësishëm të këtyre ngjarjeve, të cilat patjetër do të hyjnë në historinë e kombit dhe do të paraqesin një faqe të ndritshme të historisë më të re shqiptare.”
(https://uraebashkuar.com/gazmend-zajmi-nje-jete-per-kosoven/ – në këtë link keni mundësi ta përcillni në video)