Copëtimi i shumëfishtë i hapësirës etnike shqiptare, gjatë shekujve XIX dhe XX, nuk ka qenë dimensioni i vetëm tragjik i përimtimit dhe i fragmentimit tonë kombëtar. Krahas largimit nga gjeografia shqiptare të krahinave të tëra, ka vijuar pandërprerë rruga e mërgimit, e cila në tragjicitetin e saj, në të shumtën e herëve, ka qenë rrugë njëkahëshe. Kjo fjalë imja nuk mëton të thotë pse ndodhi dje e pse edhe sot vijon kjo dukuri rrënuese. Ndoshta një ditë do të gjejmë shkaktarët dhe formën se si ta ndalojmë hemorragjinë tonë më të madhe kombëtare.
Megjithatë, largimi i vazhdueshëm, veçmas migrimi për arsye politike gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX nga trojet shqiptare, të mbetura padrejtësisht nën thundrën sllave, i një numri të konsiderueshëm intelektualësh atdhedashës, ka bërë që në tokën e huaj të krijohet një realitet i ri kulturor shqiptar. Tani jo në Lindje të Shqipërisë, sikundër ndodhi në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, por Perëndim të saj, në ato vende ku u vendos emigracioni ynë politik. Kuptohet, pas viteve 90, harta e shtrirjes së mërgatës sonë në Perëndim u plotësua edhe me të larguarit nga Republika e Shqipërisë. Mërgata jonë kombëtare, përgjithësisht, është shumë heterogjene. Po kështu, e tillë është edhe në planin kulturor, veçmas në atë letrar. Autorët janë me formime të ndryshme profesionale, në vendet pritëse bëjnë punë të ndryshme, në të shumtën e herëve jashtë gamës së pasionit të tyre letrar-artistik, nuk kanë mundësi të duhura komunikimi e të ngritjes së strukturave të përbashkëta funksionale kulturore. Gjithçka, në këtë plan, bazohet në vullnetin e madh, në synimin që t’iu përkasin rrënjëve të tyre kulturore. Megjithatë, këta autorë kanë një të përbashkët: është malli dhe dashuria e pamasë për Atdheun. Me ndonjë përjashtim të vogël, është gati e pamundur që të gjesh autor të mërgatës sonë, poet a prozator, që të përçmojë ndonjërin nga shtresimet e identitetit të kombit, që të mohojë në çfarëdo trajte atdheun, apo vendin e origjinës. Përkundrazi, Atdheu, kombi, identiteti, bëhen paradigmat e preokupimeve të tyre letrare e përgjithësisht jetësore, pavarësisht konteksteve kulturore, sociale e shtetërore, në të cilat kanë pasur fatin a fatkeqësinë të jetojnë e të veprojnë.
E nisa këtë fjalë me një përgjithësim të këtillë, i bindur se autori i librit “Vështrime kritike për krijimtarinë letrare në diasporë”, miku im e shoku im i bankave të shkollës së mesme, Mustafë Krasniqi, do të më mirëkuptojë pse një pjesë të kumtimit nuk ia kushtova drejtpërdrejt librit të tij. Fundja, ai është vetë “fajtori” me faktin se ka shkruar një libër në të cilin prezanton një numër të konsiderueshëm poetësh e prozatorësh të mërgatës sonë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Gjermani e në Zvicër. Këto vështrime, në krye të herës, janë kontribute të një poeti, të një autori që ka botuar disa përmbledhje poetike, por edhe kontribute të çmueshme publicistike e historiografike, punë intelektuale e një emri mjaft të pranishëm në jetën tonë të sotme, i dalluar veçmas për reagimet e dendura lidhur me realitetin e Kosovës dhe me realitetin shqiptar përgjithësisht. Duke qëndruar larg prej koncepteve lartpurlartiste, që afirmojnë vetëmjaftueshmërinë e artit dhe duke e kuptuar krijimtarinë letrare si pjesë të dimensionit të përgjithshëm njerëzor, e veçanërisht kombëtar, Mustafë Krasniqi nuk e ndërton një qark të mbyllur vetjak të egos narcisite as kur është fjala për interpretimin e artit letrar. Numri i madh i autorëve dhe veprave të trajtuara, shtrirja e tyre gjeografike dëshmojnë për një qasje të hapur. Mbase kriteri i vetëm i tij është që të trajtojë poetë bashkëmendimtarë dhe bashkëveprimtarë të sendërtimit të idealeve kombëtare të rilindësve tanë.
Në disa raste autori i librit bën përpjekje që të prezantojë krijimtarinë tërësore të ndonjërit prej poetëve tanë të mërgatës, gjithsesi duke e vënë theksin tek veçoritë ideore, por në raste më të rralla edhe tek aspekte karakteristike shprehëse, gjithnjë duke u përpjekur t’i argumentojë konstatimet me shembuj të nxjerrë nga teksti burimor poetik. Autorët e këtij krahu të letërsisë shqipe, të cilët kanë gjetur vend trajtimi në këtë vepër, janë: Martin Çuni, Lebit Murtishi, Mehmet Bislimi, Fran Tanushi, Hasan Qyqalla, Isuf Ismaili, Ali Berisha, Zeqir Gërvalla, Sylejman Qyqalla, Sadete Zhitia, Sadik Krasniqi, Kadri Gërvalla etj. E përbashkëta e të gjithë këtyre autorëve të letërsisë shqipe, poetika e tyre si parimësi krijuese, sipas Mustafë Krasniqit, identifikohet në këtë formulim: “Këta krijues vihet re se në varg i shquajnë mallin, dhimbjen, dashurinë për familjen, heroin dhe kështu ngultas, ajo që mbizotëron në vargjet e tyre është atdhedashuria, ndërtuar nëpërmjet një shprehësie të ilustruar me një larmi figurash të goditura dhe duke i dhënë një ngjyrë emocionuese krijimeve të tyre, qoftë kur shprehin dhimbjen, mallin, apo dashurinë.”
Ashtu si në krijimtarinë poetike, edhe në punën e kritikut letrar, Mustafë Krasniqi shfaqet me përcaktimin e qartë për të vlerësuar më shumë përbërësit ideorë të veprës a të krijimit letrar, kundruall atyre që sajojnë formën dhe gjedhen e shprehjes. Etikja i paraprin estetikes në secilën pikëpamje. Domethënia e veprave letrare është pika nisëse e interpretimeve të shumta, e analizës tekstore që u bëhet shkrimeve të autorëve tanë të mërgatës.
Mustafë Krasniqi ka zgjedhur të trajtojë një varg autorësh tanë letrarë që jetojnë në mërgim, duke u nisur nga premisat përafruese programatike që ka me ta, duke u nisur nga fakti se si e kuptojnë rolin e artit në rrjedhën e përgjithshme kombëtare të përpjekjeve për çlirim. Pra, kryesisht është fjala për autorë të angazhuar në planin etik, të cilët poetikën e tyre letrare e kanë brenda poetikës së tyre jetësore, që konsiston në dashurinë dhe në mallin e njëkohshëm për Atdheun e munguar, pastaj në brengën për kombin që ndodhet në udhëkryqet historike, në vlerat identitare të kombit, të kaluarën e lavdishme historike, por edhe aktualitetin heroik, që përjetësohet në krijimet poetike për dëshmorët e jehut të fundit të lirisë. Në këto interpretime, poezia, përgjithësisht letërsia e autorëve tanë të mërgatës, gjëllin, por në disa raste edhe lulëzon, brenda rrezes vepruese të përpjekjes mërgimtare për lirinë. Lexuesi nuk do të gjejë analiza përimtuese të mjeteve shprehëse, sepse kritiku ynë, më parë se nga gjetjet e përsosura tingullore dhe nga figuracioni, mahnitet dhe rrëmbehet nga konceptet e përmbajtjet ideore, të cilat i zbulon në veprat e autorëve dhe, le të themi, se vazhdimisht, nëpërmjet tyre, i rizbulon edhe në veten e tij.
Shumëçka në interpretimet e autorit del vetvetiu, është e përcaktuar nga vetë përmbajtja dhe motivi mbizotërues i këtyre veprave lirike, nga dashuria, e cila më fuqishëm se kudo buron jashtë atdheut dhe në zemrën e përvëluar e pasionante të mërgimtarit poet.
E shkruar me një gjuhë të qartë, konkretizuese, pa pretendime për ta përmbytur tekstin me teorizime përgjithësuese dhe pa formulime të tepruara terminologjike, kjo vepër mund të lexohet dhe të kuptohet pa ndonjë vështirësi të madhe. Ajo u flet lexuesve shqiptarë për një kategori të krijuesve të letërsisë shqipe, tek të cilët do thënë se nuk është përqendruar vëmendja e duhur e kritikës dhe e shkencës sonë të letërsisë. Një antologji, por edhe një leksikon i shkrimtarëve shqiptarë në mërgim, do të ishin projekte të denja, të cilat do ta përplotësonin pamjen e letërsisë shqipe. Mustafë Krasniqi ka bërë hapin e parë, le të themi provues, por shumë të suksesshëm, drejt identifikimit të nevojës për një gjë të tillë. Dua të theksoj se hapat e parë po i bëjnë në këtë drejtim edhe institucionet e Kosovës, veçmas Ministria e Diasporës, e cila me mbështetjen e këtij botimi dhe të botimeve të tjera të autorëve tanë mërgimtarë, por edhe me aktivitet në rritje që, për vëllezërit tanë, u bënë këto ditë, po dëshmon se është në rrugën e duhur, ndonëse krahasuar me nevojat dhe meritat madhore të mërgatës shqiptare kjo mbështetje është ende e pamjaftueshme.
Gjithsesi, duke e përmbyllur këtë fjalë timen, dua edhe njëherë t’i përgëzoj të gjithë poetët e prozatorët e trajtuar në këtë vepër me shkrime kritike letrare. Veçmas do ta përgëzoj autorin, Mustafë Krasniqi, për punën e palodhshme, duke uruar që të ketë edhe shumë suksese si në veprimtarinë shkrimore, ashtu edhe në atë atdhetare dhe, mbi të gjitha, të gëzojë shëndet të mirë.
Prishtinë, më 4 gusht 2015 Hysen Matoshi