leoni

Mustafë Shaqiri: Në kujtim të 20 vjetorit të betejës së UÇPMB-së në fshatin Bukoc të Preshevës

Sot u bënë 20 vjet nga beteja e zhvilluar në mes të forcave të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe forcave militare serbe në fshatin Bukoc të Preshevës. Është e ditur se historia e rezistencës shqiptare kurrë nuk është ndërprerë, por ajo me daljen publike të UÇK-së, mori zhvillim masiv. Si i tillë, ky zhvillim masiv kaloi edhe kufijtë e Kosovës në përpjekje për liri dhe bashkim kombëtar. Andaj, sot me këtë datë, në shenjë respekti për dëshmorët, të plagosurit e luftës dhe luftëtarët e lirisë, po e sjell në kujtesë për lexuesin në mënyrë modeste betejën e parë në Zonën Operative të Preshevës, të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e njohur si beteja e Bukocit. Fshati Bukoc, ndonëse për nga hapësira dhe numri i banorëve është fshat shumë i vogël, por për nga kontributi atdhetarë, ai të kthen në histori me kontributin që ka dhënë ky fshat në lëvizjen çlirimtare. Në këtë fshat, që nga vitet 1980-ta kanë vepruar celula të organizatave të fshehta me karakter çlirimtar. Natyrisht, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky fshat, jo vetëm që kishte luftëtarë , por u bë një nga bazat më të rëndësishme qoftë për grumbullimin e teknikës luftarake me destinacion Kosovën, qoftë për strehimin e shumë luftëtarëve nga zonat e ndryshme të luftës së vitit 1997-1999. Natyrisht, për shkak të pozitës gjeografike, ky fshat u bë një pikë reference për të gjitha celulat e organizuara të Preshevës, në rast të ndonjë vendimi të caktuar për veprim luftarak.

Në këtë pikëpamje edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshëvë Bujanoc dhe Medvegjë, fshati Bukoc u bë një nga fortifikimet e pa tejkalueshme kundrejt forcave pushtuese serbe deri në përfundim të luftës në vitin 2001. Vlen të theksohet, nëse kthehemi në retrospektivë, fshati Bukocë, në mungesë të objektit shkollorë nga klasa e V-të deri në të VIII-të, vegjëlia e këtij fshati shkollimin e kanë kryer në fshatin Rahovicë. Kjo çështje dha rezultate të më vonshme ngase, për shkak të njohjeve gjatë shkollimit, u ndërlidhën raportet shoqërore në mes të këtyre fshatrave, të cilat gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, këto dy fshatra tani më i kishin njësitë e gatshme të veprimit. Natyrisht, dhe unë isha pjesë e këtyre celulave dhe fshati Bukoc me një fjalë u bë dhe fshati im. Por pa dashur të hyjë në histori, sot në ndërim dhe respekt për dëshmorët, të plagosurit e luftës dhe veteranët, dua ta sjellë në kujtesë një nga betejat e para të Zonës Operative të Preshevës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Vlen të theksohet se me datë 28 Nëntor të vitit 2000 dy njësi çlirimtare kemi hyrë në fshatin Maxhere. Ky fshat na priti me të gjitha nderimet dhe respektin e duhur duke hapur shtëpitë dhe duke na dhënë në dispozicion të gjithë kapacitetin e tyre si fshat për luftëtarët e UÇPMB-së. Për derisa në fshatin Maxhere ishim duke e sistemuar teknikën e luftës, sistemimin e luftëtarëve më datën 06 dhjetor të vitit 2000, në komandën e Brigadës 113 Ibrahim Fejzullahu vjen lajmi se forcat serbe kanë hyrë në fshatin Bukoc dhe kanë maltretuar banorët e fshatit. Nga ky zhvillim, Komanda e Brigadës merr vendim për hartimin e planit operativ në mbrojtje të fshatit Bukoc. Kështu që më datë 08 dhjetor 2000, njësitet tona lëshohen në drejtim të Bukocit. Përkundër asaj që ne ishim në fazën e grumbullimit të teknikës luftarake dhe sistemimit të luftëtarëve u vlerësua e domosdoshme zgjerimi i vijës mbrojtëse. Kjo ishte dita ku tani më na ndanin vetëm disa orë nga beteja e parë në këtë zonë kundër forcave serbe. Natyrisht, përkushtimi, si nga ana psikike dhe fizike e luftëtarëve ishte në çdo nivel të duhur dhe vullneti për ballafaqim me forcat serbe ishte i papërshkrueshëm. Çasti i shumë pritur erdhi.

Beteja nisi pikërisht të vendi i quajtur, “Kodra e Varenave”. Kjo ishte beteja e parë në Zonën Operative të Preshevës, në kuadër të Brigadës 113 Ibrahim Fejzullahu, ku forcat serbe pësuan disfatë dhe u detyruan të tërhiqen. Vlen të theksohet se në këtë betejë një kontribut të pashembullt e kanë dhënë njësiti nga Malisheva që ishte i integruar në kuadër të brigadës. Pas kësaj beteje, fshati Bukoc u shndërrua vija e parë mbrojtëse në këtë periudhë. Është për tu theksuar, se pas kësaj beteje, formohet dhe Batalioni II i Brigadës 113- “Ibrahim Fejzullahu”, nën komandën e Shaban Ukshinit- Komandant Terri, ku u integrua pak ditë më vonë dhe njësiti nga Suhareka në krye me Fatmir Guraziun. Andaj, në respektim të kësaj date iu qoftë lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Respekt të gjithë të plagosurve dhe veteranëve të luftës çlirimtare.

Me nderime: Mustafë Shaqiri- Shpëtimi, Zv. Komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandat i Zonës Operative të Preshevës së UÇPMB-së.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …