Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për kërkimin e paqes dhe lumturisë. Tërnava ka shprehur kënaqësinë për mundësinë e festimit të Bajramit dhe ka theksuar se ky është një moment shpirtëror për besimtarët, të cilët kanë përfunduar agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në mesazhin e tij, Tërnava theksoi se kjo festë përçon mesazhe të paqes, harmonisë, dashurisë, mirësisë dhe gëzimit, duke e cilësuar atë si një dhuratë të Zotit për përkushtimin dhe devotshmërinë e besimtarëve gjatë Ramazanit. Ai u bëri thirrje besimtarëve që të festojnë këtë ditë të bekuar në mjediset e ngrohta familjare dhe shoqërore. Manifestimi qendror për Festën e Fitër Bajramit do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku do të falet namazi i sabahut dhe namazi i Fitër Bajramit, i cili do të udhëhiqet nga Vedat efendi Sahiti, kryeimami i BIK-ut.
