Në epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krahas Gllogjanit heroik, në Dukagjin shquhej edhe Jabllanica e Dushkajës, banorët liridashës e së cilës lirisë së Kosovës ia falën njëmbëdhjetë dëshmorë. Jo vetëm njëherë banorët e këtij fshati heroik ishin gjakosur nga formacionet banditeske të armatosuea shtetërore serbe.
Myrtë Zeneli u lind më 11 tetor të vitit 1962 në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë. Prindërit Rexhë dhe Fane Zeneli me mund e sakfirica, por edhe me krenari rritin fëmijët e tyre: Mehmetin, Beqirin, Ademin, Myrtën, Ruxhdiun dhe Hatmanen.
Myrta shkollën fillore e mbaron në fshatin Zhebel, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë. Rrjedh prej një familje me tradita të mirënjohura të qëndresës kundër pushtimit sllav. Gjyshi i tij Binak Zeneli, në shenjë hakmarrjeje kundër krimeve serbe në Dushkajë, në vitin 1923 vret një xhandar serb, i cili kishte marr pjesë në masakrimin e shqipëtarëve në Jabllanicë në vitin 1921, me ç’rast serbët kishin masakruar 60 shqiptarë në mesin e tyre edhe vëllanë e tij 14-vjeçar.
Familja Zeneli e Shqiponjes asnjëherë nuk e ndali e rezistencën kundër okupatorit.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Myrtë Zeneli zë punë në Gjakovë me qëllim për ta ndihmuar familjen.
Merr pjesë aktive në demonstratat që u zhvilluan në vitet 1989-1990, kurdoherë në ballë të tyre. Shpirti i tij luftarak tanimë ishte kalitur dhe ai projektonte në mendje kundërvënien e armatosur, si të vetmen formë e rezistencës për ta shporrur njëherë e përgjithmonë pushtetin okupator nga Kosova.
Qysh në tetor të vitit 1995, Myrtë Zeneli vë kontakt me radhët e grupeve të para ilegale të UÇK-së, për Dukagjinin. Ai së bashku me Agim Zenelin, Naser Brahimaj, Lahi Brahimaj e të tjerë marrin pjesë në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK-së sidomos në trevën e Dushkajës, në Lug të Baranit e në pika të tjera strategjike. Deri në daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kryen disa aksione të fshehta kundër forcave policore serbe.
Në prill të vitit 1998 komanda e zonës e emëron epror në njësitin sulmues të Dushkajës. Qysh prej asan kohe Myrtë Zeneli merr pjesë në luftimet e shumta kundër okupatorit në Sukë të Cërmjanit, në Kralan, Jabllanicë, Qeskovë e pika të tjera. Me tërë qenien i përkushtohet luftës çlirimtare dhe nuk ndalet hovi i tij luftarak në luftë kundër armikut.
Në Këpuz, në maj të vitit 1998 u zhvilluan luftime ballë për ballë me forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe. Në ato përleshje direkte marrin pjesë: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Naser Brahimaj, Alush Agushi nga Drenoci i Klinës dhe shumë luftëtarë të tjerë. Beteja kishte qenë vendimtare, ndërsa goditja e helikopterit ushtarak serb nga mitralozi kundërajror i komandantit Naser Brahimaj dhe rrethimi që iu bë forcave serbe në Qafë të Dollovës, shënojnë kulmin e furisë së luftëtarëve të Dukagjinit kundër barbarisë armike, ndërsa luftës çlirimtare i japin impulse jashtëzakonisht të fuqishme. Goditja e helikopterit ushtarak, e tipit ‘’Kobra’’, shënon fitorën e parë të këtij lloji të luftëtarëve të Dukagjinit kundër forcave ajrore të okupatorit.
Më 21 maj të po atij viti, në luftë kundër forcave të okupatorit, përveç Myrtë Zenelit, Naser Brahimajt e Agim Zenelit me shokë, marrin pjesë edhe Xhelal Hajda, Fadil Nimani, Alush Agushi e shumë trima të tjerë. Po atë ditë Myrtë Zeneli ishte pozicionuar rreth Qafës së Dollovës nga drejtimi i Bokshiqit. Ndërkohë forcave të rrethuara armiku iu vijnë përforcime nga të gjitha anët. Në luftë për të mos i lëshuar pozicionet e UÇK-së që granatoheshin me armë të rënda të artilerisë, në fushën e nderi bie dëshmor Myrtë Zeneli, njëri ndër luftëtarët më të paepur në trevën e Dukagjinit.
Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli, e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi Ramush Haradinaj.
Myrtë Zeneli ka qenë i martuar dhe ka lënë fëmijët Albulenën e Arianin. Fëmijëve të tij ua kushton kujdesin e duhur amtar, e ëma e tyre, Hava. Të cilët po rriten të lirë dhe krenarë në Kosovën e çliriar nga kthetrat e robërisë sllave.
Pas mbarimit të luftës, Shtabi i Përgjithshmëm i UÇK-së, dëshmorit Myrtë Zeneli post mortum e gradon me gradën e kolonelit.
Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje. Po ashtu mirënjohje për trimëri dhe përkushtim luftarak i ka ndarë edhe Zona Operative e Dukagjinit.
Ishte ndër luftëtarët e parë të Shqiponjës (ish- Jabllanicës), ndërsa edhe dëshmori i parë i saj. Gjatë luftës nga ky fshat i trimërisë tradicionale, ranë edhe dhjetë dëshmorë të tjerë. Trupi i tij, së bashku me kujtimin e paharrueshëm, pushon në varrezat e fshatit të lindjes, së bashku me dëshmorët e tjerë të rënë në luftën heroike të UÇK-së.
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …