Myrvete Hoti-Kasumi: Kurrë nuk do të ndalem së kërkuari fatin e vëllait tim, Ukshin Hoti

Myrvete Hoti-Kasumi: Kurrë nuk do të ndalem së kërkuari fatin e vëllait tim, Ukshin Hoti

Gjatë një bisede në studion e TV-Diellit, veprimtarja, Myrvete Hoti-Kasumi, motra e Ukshin Hotit, veprimtarit të mirënjohur të kombit, ka rrëfyer për familjen, dhunën që në mënyrë sistematike kishin ushtruar në atë familje regjimet pushtuese antishqiptare, për rëniet e ngritjet, sidomos për  jetën e kolosit të mendimit politik e filozofik  shqiptar, Ukshin Hoti, vëllanë Afrim Hoti, luftëtar i lirisë dhe dëshmor i kombit, për ndikimin që kishte ushtruar Ukshini në ngritjen e shkollimin e familjarëve dhe shumë kujtime të tjera që hedhin dritë në aktivitetin atdhetar të kësaj familjeje, në veçanti për jetën, veprën dhe ndikimin që ka ushtruar Ukshin Hoti jo vetëm në familje por edhe shoqërinë shqiptare, në Kosovë e më gjerë.

Ajo ka folur në hollësi për odisejaden e saj 20-vjeçare në kërkim të fatit të vëllait, për të cilin familja,  por as opinionin liridashës i vendit e më gjerë, deri tani nuk ka fakte konkrete që dëshmojnë se ai është vrarë. “Përderisa nuk është gjetur asnjë gjurmë, ndërsa regjimi në Beograd nuk ka dhënë asnjë version zyrtar, përveç faktit të njohur  se është liruar nga burgu më 16 maj të vitit 1999,  ne nuk mund të pajtohemi as mund të heqim dorë nga kërkimin e tij apo i trupit të tij, nëse është gjallë apo vdekur”, ka saktësuar ajo gjatë bisedës.

Myrvete Hoti Kasumaj ka rrëfyer se me sa vështirësi dhe rrezik ajo me burrin e saj, Hakiun, e kishin vizituar gjatë kohës kur ndodhej në burg, në dënimin e tretë, prej vitit 1994 e deri në kohën e luftës.

Po ashtu ajo ka rrëfyer një histori të trishtueshme që i ka ndodhur në kërkim të fatit të vëllait, duke kontaktuar me njerëz, shumica syresh mashtrues e matrapazë, të cilët e kanë mbajtur me shpresa se ai është gjallë, diku në një izolim special, se regjimi i Beogradit e ruan si peng për statusin e Kosovës, për kthimin e serbëve në Kosovë  dhe kushtëzime të tjera.

 Të gjitha ata mashtrues i ka përmendur me emra e mbiemra, por të gjithë më në fund janë tërhequr, në pamundësi për të vërtetuar supozimet apo paragjykimet e tyre. Ka përmendur edhe të tillë që kishin kërkuar qindra mijëra marka gjermane për ta zbuluar vendin ku ndodhet, apo edhe për ta liruar nga burgu.

Mashtrime të tilla, sidomos të avokatëve serbë kanë qenë aktuale,  në vitet e para të pasluftës, në Kosovë, kur mungonin të dhënat për më shumë se katër  mijë shqiptarë që mbaheshin nëpër burgje dhe të tjerë të cilët i kishin likuiduar dhe i kishin varrosur në varreza masive nëpër Serbi.

Myrvete Hoti Kasumaj shprehet e pakënaqur me shumicën dërrmuese të politikanëve e zyrtarëve të pas luftës në Kosovë, të cilët nuk kanë marrë hapa konkretë, në zbulimin e fatit të Ukshin Hotit, por edhe të gjithë të tjerëve, që konsiderohen të zhdukur, ndërsa Serbia nuk jep të dhëna zyrtare  dhe vazhdon të injorojë fatin e tyre.

Ajo ka kërkuar që dialogu me Serbinë të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të gjithë atyre shqiptarëve nga Kosova, të cilët ishin kidnapuar nga ushtarët dhe policët serbë dhe i kishin dërguar në burgjet dhe kampet e luftës në Serbi dhe për të cilët, që janë rreth 1650, ende nuk dihet asgjë.

( Bisedën në studion e TV-Diellit me veprimtaren, Myrvete Hoti-Kasumi e zhvilloi Arbanë Qeriqi-Gashi).

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …