MZHE me platformë online për përcjelljen e zbatimit të planeve të EE

Platforma për Monitorim dhe Vlerësim (PMV) është një instrument tejet i rëndësishëm që ne të përcjellim zbatimin e planit nacional dhe planeve  komunale për Efiçiencë të Energjisë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci me rastin e pranimit të kësaj platforme.

Kreu i MZHE-së ka falënderuar GIZ-in edhe Qeverinë Gjermane për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e energjisë, po me një theks të veçantë në fushën e efiçiencës, e cila tashmë sikurse në vendet tjera, ashtu edhe në Kosovë zë një vend meritorë në politikëbërjen institucionale.

Ministri Stavileci tha se Strategjia e Energjisë 2017-2026 është në fazën finale dhe pjesë e saj përveç burimeve tradicionale, një vend të rëndësishëm zënë dhe burimet e ripërtërishme të energjisë sidomos pjesa që lidhen me efiçiencën e energjisë.

“Ne tashmë në të dyja nivelet edhe me nivelin qendror edhe me nivelin lokal kemi projekte konkrete me institucione ndërkombëtare financiare siç është Banka Botërore por edhe me partnerë tjerë me të cilët jemi duke i zhvilluar projektet e Efiçiencës”, tha Stavileci, ndërsa shtoi se për herë të parë është buxhetuar pjesa e programit financiar për krijimin e Fondit për Energji Efiçiente.

Ministri Stavileci tha se, në këtë linjë shkojnë edhe përpjekjet e Kosovës në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ku sivjet Kosova ka Presidencën.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Henriette Koetter, tha se efiçienca e energjisë është një aspekt shumë i rëndësishëm për kursimin e energjisë. “Siç e theksoi Ministri, Gjermania ka energjinë si fushë fokusi, ku mbështesim Kosovën në përmbushjen e Strategjisë së ardhshme të Energjisë, por natyrisht edhe strategjinë aktuale, dhe kemi projekte të veçanta në efiçiencën e energjisë me komunat, që realizohen nga KfW. Me UAF, kemi kënaqësinë të punojmë së bashku në disa shtete në rajon në fushën e efiçiencës së energjisë, dhe po ashtu me projektin e ardhshëm të dedikuar të asistencës teknike që do të fillojë këtë vit në efiçiencë të energjisë në Kosovë.”, tha ajo.

Ottilie Mooshofer përfaqësuese e GIZ-it, ka ORF-në për këtë punë të suksesshme që kanë kryer në këtë platformë, duke i dëshiruar Kosovës dhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse suksese me këtë platformë, duke i siguruar që do kjo do të ketë ndikim të konsiderueshëm në monitorimin e efiçiencës së energjisë.

Ndërsa, Dubravka Bosnjak nga Fondi Rajonal i Hapur Efiçienca e Energjisë tha se nën ombrellën e Komunitetit të Energjisë (KE), projekti  rajonal i GIZ ORF EE ka mbështet Qeverinë e Kosovës si dhe qeveritë e shteteve tjera në rajon në zhvillimin e programit për monitorim dhe verifikim të zbatimit të politikave në fushën e efiçiencës së energjisë.

Ndryshe, qëllimi i dorëzimit të kësaj platforme për Kosovë, si shtet partner në projektin e Fondit të Hapur Rajonal për Evropën juglindore – Efiçienca e Energjisë (ORF EE), është në ofrimin e mbështetjes për hartimin me efikas të politikave në sektorin e efiçiencës së energjisë, gjithashtu edhe në arritjen e caqeve të BE-së 2020 për kursim të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …