Naim Ismajli shpalos programin për Shtimen: Ne kemi arritur ta zhvillojmë Shtimen, në mandatin e ri do t'ia ndryshojmë fizionominë (VIDEO)

Naim Ismajli shpalos programin për Shtimen: Ne kemi arritur ta zhvillojmë Shtimen, në mandatin e ri do t’ia ndryshojmë fizionominë (VIDEO)

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Shtimes, Naim Ismajli përmes një video-adresimi ka shpalosur programin e tij për katër vitet e ardhshme për transformimin e Shtimes.

Duke iu drejtuar virtualisht qytetarëve të Shtimes me të cilët Ismajli ka qenë bashkë në çdo etapë të udhëheqjes dhe zhvillimit të Shtimes, ai tha se do të vazhdojë t’i ketë në fokus të qeverisjes së tij qytetarët, pa dallim.

“Në hartën politike të Kosovës, Shtimja  gjithmonë ka pasur vend të veçantë për PDK-në. Ka besuar në PDK dhe në vizionin e saj. Këtë besim të qytetarëve të Shtimes, do ta përdorim ekskluzivisht për ta, e në dobi të tyre. Jemi më të vendosur se kurrë që në Shtime, jo veç të fitojmë një mandat të ri, por të marrim përgjegjësitë e këtij mandati, për t’ia ndryshuar fizionominë Shtimes, e për t’ua përmirësuar jetën e mirëqenien qytetarëve.

Prandaj, mbështetja e qytetarëve është shumë e rëndësishme për ne, sepse ky mandat i dedikohet atyre e është mandat për ta.”, tha ai.

Ismajli i ftoi qytetarët e Shtimes ta votojnë përsëri PDK-në dhe numrin 177, duke u zotuar për avancimin e shërbimeve shëndetësore në mandatin e ardhshëm, themelimin e Qendrës Komunale për Zhvillim të Projekteve Shkollore dhe Qendrës Këshillimore Komunale për Karrierë, digjitalizimin e shkollave, ofrimin e bursave për vajzat që regjistrohen në drejtimet deficitare në shkollën e mesme, si dhe finalizimin e Zonës Ekonomike në Gllavicë.

“Do të ofrojmë grante për gratë dhe të rinjtë në biznes. Do të rregullojmë infrastrukturën për tokat bujqësore. Do t’i mbështesim fermerët dhe bujqit me grante dhe subvencione. Ju siguroj se siç jemi përpjekur deri më tani, edhe nga 17 tetori, vlerësimin tonë si PDK për Shtimen, do ta shndërrojmë në vepër të qeverisjes së mirë, transparente, efikase dhe transformuese. Për Shtimen e gjelbër. Për Shtimen e pastër. Për Shtimen me hapësira rekreative. Administrata e Komunës së Shtimes në katërvjeçarin e ardhshëm do të modernizohet edhe më shumë duke ofruar shërbime edhe më cilësore për qytetarët tanë. Në mandatin e ardhshëm kemi paraparë mbështetje direkte për fushat e kulturës, rinisë dhe sportit nga thirrjet publike për subvencionim.”, theksoi ai.

Ismajli ka në plan që të ndërtoje Muzeun “Masakra e Reçakut ” në Reçak, të funksionalizoj Qendrën Rinore në Shtime, të krijoj Qendrën Rekreative Sportive, të rregulloj shtegun e atletikës, çiklizmit dhe motokrosëve, për ta nxjerrë Shtimen në një tjetër nivel qeverisës, përtej ofrimit të shërbimeve cilësore dhe qeverisjes së organizuar, të cilat janë finalizuar tashmë.

“Për tërë programin e kemi të specifikuar edhe buxhetin, kemi ekip profesional dhe të dëshmuar. Andaj, me 17 tetor votoni PDK me numër 177, mua si kandidat për Kryetar, dhe listën tonë të kandidatëve për këshilltarë të Kuvendit Komunal. E kemi borxh ndaj votuesve, dhe këtë borxh do t’ua shpërblejmë qytetarëve, ndërmarrësve, bujqve, mësimdhënësve, mjekëve, sportistëve, artistëve, studentëve e punëtorëve, të rinjve e të rejave që duan perspektivë në Shtime.”, përfundoi Ismajli.

Linku i video-adresimit në Facebook:

https://fb.watch/8w97WrLHqA/

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …