Naim Xhafer Gashi (15.8.1978 - 29.1.1999)

Naim Xhafer Gashi (15.8.1978 – 29.1.1999)

Gjeneratës së djelmoshave të Vraniqit, të Shqiponjës, të Smolicës, të Rashiqit, të Lumnishtës, të Bajës së Pejës, të Ruhotit, të Buçanit, të Drenocit, të Anadrinit, të Burimit, të Kleçkës, të Ratishit e të Sverkës së Gashit, pra prej Malësie e prej Dukagjini, sipas vargjeve të rapsodive tona, i ra një provë e rëndë për hise, i ra një barrë, të cilën e mbanin mbi supet e lodhura e të kërrusura, që prej ditës kur nëpër fshatrat e Hasit e të Rrafshit të Dukagjinit u hapën themelet për shtëpitë e amshueshme të Përjetësisë e të Pavdekësisë, ku hynë: Agim Zeneli i Shqiponjës me Agron Ramën e Smolicës, Agush Gjocaj i Rashiqit me Bahtjar Morinën e Lumnishtës, Daut Kelmendi – Zagragja i Bajës me Emrush Çetën e Trubuhovcit, Kasim Shala me Hamdi Berishën e Ruhotit, Gëzim Ademaj i Ratishës me Haxhi Lipjanin e Kleçkës, Gaspër Karaçi i Ujzit me Ilir Merturin e Gjurgjevikut të Madh, Luan Islami i Shqiponjës me Naim Gashin e Sverkës, Naim Dreshaj i Prigodës me Memë Lleshin e Vraniqit, Pren Lleshi i Vraniqit me Sahit Krasniqin e Drinasit, Sejdi Rama i Smolicës me Valon Gashin e Buçanit e me Vesel Abdylin e Drenocit, kurse hasjanëve të Rogovës u ra të murosin themeleve kurbanët për urën: Brahim Kryeziun, Rrustem Morinën me të bijtë, Nysretin, Selmanin dhe Muhametin, Adem Shalën me Rifatin, Zyber Shalën e me Xhevdet Berishën e Rogovës së Haxhi Hotit – komandant Lleshit. Prandaj, edhe sot, per hir të kësaj burrërie e krenarie që hasjanët mbajnë në zemrat e tyre, në Has e Rogovë, nuk po bëhet gjamë as vaj qyqesh për Ata që rrugëtojnë pash më pash nëpër Parajsë, por qahen hallet me Agim Zenelin se ku jemi, nga duhet të shkojmë, e ku e kemi cakun. Dëshmori i kombit, Naim Gashi, i biri i Xhaferit të Haxhi Gashit të Svërkës së Gashit, është i lindur më 15 gusht të vitit 1978. Shkollën fillore Naimi e kreu në vendlindje e të mesmen teknike, Dega e makinerisë, në Klinë.

Familja e Xhafer Gashit, e shembur disa herë ekonomikisht, pas burgosjeve të njëpasnjëshme të të parëve, e pas persekutimeve dhe vrasjeve të shpeshta, nuk kishte mundësi që t’i shkollojë fëmijët: Enverin, Xhevatin, Flurimin, Bekimin, Naimin, Florinë dhe Zelfinë, prandaj nëna Azër, edhe sot mban një guri në zemër sepse Naimin, jo vetëm që e donte më së shumti, por edhe ëndërronte dëshirat më të mira që Ai t’i vazhdojë studimet në ndonjë fakultet, t’i bëhet inxhinier dhe t’u ndihmojë vëllezërve e veçanërisht motrave, të cilat aq shumë e donin.

Mirëpo, familja Gashi e Svërkës, vatër e shumë atdhetarëve luftëtarë, që moti e kishte kuptuar se liria e Kosovës është mbi të gjitha, prandaj, e kaluara patriotike e të parëve të Naimit, në njërën anë, dhe dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në anën tjetër, e bënë të veten dhe Naim Gashi radhitet në grupin e djemve më të guximshëm që i pati fshati Sverkë.

Këtu, në këtë fshat, i cili me kohë e pati kuptuar se të gjitha opcionet e politikës paqësore ishin shterrur, luftëtarët e lirisë i kishin nisur ushtrimet taktike dhe operative, prandaj edhe Naim Gashi, këto stërvitje i mbaroi në vendlindje e në fshatrat: Llapçevë, Mrasor, Rudë, Panorc, Valljakë e Dush, e meqë ishte mekanik armatimi dhe mirëmbajtja e teknikës i flenin më shumë.

Ofensiva e parë serbe dhe luftimet në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit e kishin lodhur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në rrafshin logjistik, por një pjesë e luftëtarëve të lirisë u gjend edhe duarthatë, sektorit të logjistikës i mbeti që të forcohet, prandaj Naimi kalon në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, sistemohet në rajonin e Dushkajës, pikërisht në Shqiponjë dhe më 15 tetor 1998 është në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”. Naimi kishte një krenari të veçantë, se i takonte brigadës që mbante emrin e luftëtarit të cilin e kishte idol, jo vetëm ai, por edhe të gjithë luftëtarët e lirisë që kishin dëgjuar për plejadën e Zenelajve, Brahimajve, Nimanëve e Agushëve. Këtu Naimi është së bashku me luftëtarët më emblematikë të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Por, pasi që korridori logjistik i Gllogjanit ishte itinerari më i frekuentuar, Naim Gashi u takua me luftëtarët e zonave të ndryshme operative, që vinin në Shqiponjë. Meqë të vëllain, Enverin e kishte lënë në Sverkë, në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naimi, më 15 tetor 1998 fillon një jetë më dinamike, sepse zjarri i luftës në Dukagjin gjatë muajve qershor, korrik, gusht e shtator, ishte më i madh. Prandaj, dëshmorit Naim Gashi i ra që të gjendet në zjarret më të mëdha të luftimeve, veçanërisht në Dashinoc, në Ratish, në Shqiponjë e Gllogjan. Këtu e në këto luftime, Naim Gashi është së bashku me Daut Haradinajn, Shkëlzenin, Bujarin, Maliq Ndrecën, Lulëzim Morinën, Fadil Nimanin, Xhelal Hajdën, Idriz Balajn, Lahi Brahimajn, Alush Agushin, Rasim Agushin, Daut Kelmendin – Zagragja, Bahtjar Morinën, Sinan Morinën, Vesel Abdylin, Faruk Agushin, Agim Zenelin, Asllan Lezin e Mevledin Morinën, sot të gjithë dëshmorë të kombit, veteranë të plagosur e të burgosur.

Dhe, atë ditë të 26 janarit 1999, kur Agim Zeneli me Agron Ramën u priu djelmoshave që do ta bartnin “Zjarrin e Lirisë”, në krye të kolonës u gjend edhe Naim Xhafer Gashi me vetëm njëzetë pranvera; kishte zjarr në gji e shpresë se në pranverë do ta rrezojë dielli i lirisë. Me këto shpresa, në atë fund janari u thye Rakovina me punktin më famëkeq policor, me kasapë, të cilët më 24 janar kishin vrarë e maskuar gra e pleq edhe fëmijë. Por, nuk u ndalën petritat e Agim Zenelit, që si shqipe fluturuan deri te “Ura e Terzive”, ku do të shkatërrohen përfundimisht forcat serbe; atë ditë kur morën Përjetësinë Kasim Shala e Hamdi Berisha, djemtë e pendës e të pushkës, të lindur e të rritur buzë Drinit të Bardhë, në Ruhot. E Naim Gashi, marshon e çan acarin drejt “Gurit të Madh” e drejt Godenit për të depërtuar deri në Dobrunë. Në faqet e ditarit shënonte beteja, luftime e lavdi, por shënonte edhe turpin e “argatëve të shkaut” që vepronin si “Polici lokale” dhe shtinin mbi çdo njeri që truponte aksin rrugor Gjakovë – Prizren, veçanërisht prej “Urës së Tabakëve” e deri te “Ura e Landavicës”. Në afërsi të fshatit Goden, rajon famëkeq që ndante Shqipërinë prej Shqipërie, “Guri i Madh” i kishte gllabëruar: Astrit Prushin, Besnik Bratin, Naim Cemën e Dinë Kolecin, e në “Stuhinë e Godenit” përjetësohen vëllezërit Lleshi, Preni e Mema, e riplagoset komandanti i madh i Shqiponjës legjendare, Agim Bardh Zeneli, ndërsa plagosen Sejdi Rama i Smolicës, i njohur si “CIA”, e Sahit Krasniqi i Drinasit.

Menjëherë pas kësaj stuhie, eshaloni i Agim Zenelit, thyen shtegun për të zbritur duke mbajtur krahun e majtë nëpër shtigjet nga kishte trupuar sa e sa herë. Kështu edhe Naim Xhafer Gashi, duke ndjekur këmba – këmbës komandantin e riplagosur, kapton Gërçinën, duke u përgatitur që me shokë të paplagosur të kthehet në kërkim të vëllezërve Lleshi. Çdo përpjekje ishte e kotë, sepse dëbora e atij janari nuk kishte lënë shteg e dhijare pa mbuluar. I vetmi shteg që u kishte mbetur bartësve të “Zjarrit të lirisë” ishin prozhmet prej Blinishti (ish – Lipaveci), kah Smaçi e Ujzi në Rogovë, e së andejmi në Krushë të Madhe, për ta shpërthyer korridorin Rogovë – Romajë – Kushnin, e kah “Lugu i Zi”. Por, atë të premte, edhe hasjanët këndej e andej kufirit kurrënjëherë në jetën e tyre nuk kishin parë një mëngjes aq të kobshëm, madje as që kishin dëgjuar e as që kishin pritur, sepse sarra nuk kishte krrokatur, as qyqja nuk kishte kukuar, e as zogu i zi nuk kishte vajtuar.

Por, qe! Kobi e mbuloi edhe Shqipërinë, sepse askush nuk kishte njohuri se kush krejt mund të kishte qëlluar atë ditë tregu në Rogovën e Hasit dhe nuk mund të dihej e as të merrej me mend se kush ishte gjetur atë ditë të premte në Bregun e Drinit të Bardhë nën Majën e zezë të Pashtrikut Plak me Has andej e Has këndej.

Por, plakat e fshatit thonë se qyqja ato ditë dimri paska vajtuar tri herë mbi oxhaqet mikpritëse të xha Rrustës, për t’i treguar nënëlokes se nuk do t’i ketë më të bijtë; as Selmanin, as Muhametin e as Nysretin, e se nuk do ta ketë më as xha Rrustën, se nënëlokja do t’i bashkohet qyqes, e se do të bëjë kukamën nëpër Breg të Drinit, bash si dikur motra e atij Sylejman Brahimit të baladave tona, e se nënëlokja do të vajtojë për Selmanin e vet, për Muhametin e për Nysretin e lokes, e se nënë Zarifja e xha Rrustës do të bëjë gjëmë e pingërimë, që do të dridhen edhe harqet e urës së Bregut të Drinit të Bardhë për këtë të zezë që i ra.

Dhe po! Në këtë ditë kobi, duhej që Drinin e Bardhë ta kalonin luftëtarët e lirisë, që vinin nga Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit, të cilëve u printe Agim Zeneli – “Çergashi”, i përcjellur prej bashkëluftëtarëve: Gëzim Ademaj, Sejdi e Agron Rama, Agush Gjocaj, Sahit Krasniqi, Daut Kelmendi-Zagragja, Naim Gashi, Bahtjar Morina, Haxhi Lipjani, Valon Gashi, Vesel Abdyli, Emrush çetta, Luan Islami, Naim Dreshaj, Ilir Merturi, Kasim Shala e Hamdi Berisha me shumë luftëtarë të tjerë. E kaluan Drinin e Bardhë, por mbetën mbi atë anë të Drinit, sepse i mashtroi janari i tërbuar me dëborën e vet, i mashtroi dëbora e bardhë në Breg të Drinit. Dhe kështu u gënjyen luftëtarët e lirisë, burrat që tërë rrugën e thyen me këngë e me legjenda për secilin gur dhe për çdo pëllëmbë të kësaj toke të njomur me gjak shqiptari, tash e një shekull dhe kështu zuri fillin e vet edhe një legjendë për Urën e Rogovës, legjenda për Betejën Heroike të 29 janarit të vitit 1999, buzë kësaj ure, nën të cilën, kësaj radhe, në vend të grave, kurbanë u bënë burrat, madje burra të zgjedhur në mal e vrri, dhe kështu zuri fill epopeja që flet se sa e dashur është Kosova e sa e ëmbël është jeta, që edhe sot flet se sa e shtrenjtë është liria e këtyre trojeve të Naim Xhafer Gashit të Sverkës. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …