Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani
Sa herë vinte nata, pasi hanim darkë, mbyllej dera e hekurt. Të burgosurit i nxirrnin telefonat të cilët i kishin fshehur nëpër biruca të dhomave, nën dysheme e në antenat e TV-së. Këto telefonata sa i dispononin aq dhe i nervozonin të burgosurit nga lajmet që i merrnin nga familjarët e tyre.
Ditën lexonim libra të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe serbe. Edhe ndonjë gazetë që vinte nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë. Dilnim për shëtitje për ajër të pastër dhe ndonjëherë luanim me top. Në katin tonë kishte vetëm shqiptarë nga Kosova dhe nga Lugina e Preshevës që ishin arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në UÇPMB.
Pasi kalonim kohën e programuar sipas rregullores, hynim brenda në katin tonë, nëpër dhoma dhe te salla e TV-së, duke shikuar mos ka ndonjë lajm të ri për gjendjen në Kosovë apo në rajon. Pasi ishte nënshkruar Marrëveshja e Ohrit, shtypi serb e komentonte me ton kërcënimi dhe humbje të Maqedonisë dhe nxiste ndarje me qëllim për ta mbajtur gjallë konfliktin në mes të shqiptarëve, duke përsëritur se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe kundër stabilitetit të Ballkanit. Në fakt, kjo marrëveshje ishte një hap i fillimit të mbarë të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni dhe krijimit të barazisë së popujve si dhe të drejtën që shqiptaret të jenë shtetndërtues në Maqedoni, që deri atëherë kishin qenë të shtypur, njëkohësisht ishin qytetarë të rendit të dytë e të tretë në Maqedoni. Ne me Naimin dhe Isakun e komentonim këtë gjendje, rezultatet si dhe dobitë e të arriturave me luftë të shqiptarëve në këto rrethana politike.
Pas darkës, kur mbyllej dera e hekurt, telefonat cingëronin sa te njëri sa te tjetri. Disa kujdeseshin në korridor për të parë mos vinte ndonjë gardian, edhe pse në shumicën e rasteve gardianët i kishin sjellë vetë telefonat në këmbim të një shpërblimi nga të burgosurit. Megjithatë, nëse zbulohej ndonjë telefon te ndonjëri nga të burgosurit, ai shkonte në vuajtje në “shtëpinë e bardhë”. Atje trajtohej me të mirat e mundshme të specialitetit human të gardianëve të pakorruptuar! Për këtë arsye, nën kujdes të rreptë nga të burgosurit bëheshin biseda me familjet në Kosovë.
Gjatë kësaj kohe pata disa biseda telefonike. Përveç Rexhep Selimit, me të cilën bisedën e patëm për gjendjen në Kosovë, përfundimin e luftës dhe rënien e shokëve të Mujë Krasniqit komandant ‘Kapuçit’, Myrtë Zenelit, nënës Azë Brahimaj, të Adem Jasharit e të tjerëve shokë e bashkëluftëtarë, kemi biseduar edhe për botimin e librit tim me poezi “Ende jam gjallë”.
Një ditë në telefon më merr Hashim Thaçi, bashkëluftëtari im dhe më pyet për shëndetin dhe gjendjen time në burg. Më tregon për gjendjen në Kosovë dhe për përpjekjet që po bëjnë për lirimin tonë. E falënderoj dhe i them se nuk dyshoj që ju po bëni punë për të na liruar, por kjo varet nga rrethanat dhe kushtëzimet që mund t’ia bëni faktorit ndërkombëtar e ai Serbisë. Uroj që kanë përfunduar me suksese proceset historike, çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe duhet të keni kujdes se si thotë një fjalë popullore “uji fle e hasmi (Serbia) nuk fle”. Thaçi më njoftoi se bëheshin përgatitjet për zgjedhjet e para lokale të pas luftës. Më tregon se po organizohen si subjekt i ri politik për zgjedhje. Shpresojmë në vullnetin e qytetareve që të fitojmë. Uroj të fitoni! Por, si do që të jetë, Kosova është çliruar tashmë, dhe kushdo që të fitojë, të punoj për Kosovën, i thashë unë.
Pas disa ditësh flas edhe me bashkëluftëtarin tjetër, Kadri Veselin. Edhe me Kadriun bashkëbiseduam për situatën politike dhe i tregova se çfarë po shkruan shtypi serb dhe çfarë lufte po bën për të nxitur konflikte në Kosovë. Kadri Veseli më thotë ruaje shëndetin, se me Serbinë e kemi kryer luftën. Në Kosovë mirë është situata, të dëbuarit janë duke u kthyer nëpër shtëpi. Janë duke u rindërtuar me të madhe shtëpitë e djegura. Ka shumë viktima të cilat po i kërkojnë familjarët e tyre. Po i mashtrojnë disa avokatë serbë se i kanë parë ose janë këtu e aty familjarët e tyre, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë lekë nga familjarët, por edhe t’i rritin sa më shumë vuajtjet shpirtërore te ta me premtime boshe. Me këso premtime këta, i thashë, duan t’i shkatërrojnë psikikisht familjet e tyre. Më pyeti a di gjë për Ukshin Hotin. I thashë se deri kur ka dalë nga burgu në Dubravë, kur u përshëndet me ne për herë të fundit, pra derisa ka dalë nga rrethoja e burgut, e dimë, më shumë askush nuk di. Të gjitha të tjerat, i thashë, janë fjalë. Në evidencat e Kryqit të Kuq nuk është i marrë peng.
Gjatë kësaj kohe më ka thirrur “Plaku” disa herë dhe më fliste me emocion dhe tregonte për gjendjen në Drenicë dhe Prishtinë, për Policinë e Kosovës e cila sapo ishte krijuar. Edhe ai ishte diku në polici në një departament të punës. Më tregonte për përpjekjet që po bën për familjet e dëshmorëve dhe fëmijët e tyre për t’i dërguar nëpër shkolla.
Më kanë thirrur edhe shokët që kemi qenë në burgje si Xhavit Bajraktari nga Mitrovica, vëllai nga Gjermania, familja, Fatmirja e shumë të tjerë. Të gjithë interesoheshin për shëndetin dhe kushtet e burgut. Tashmë burgu ishte më i lehtë. I lehtë sepse nuk kishte dhunë të drejtpërdrejtë si para rënies së Millosheviqit. Tashmë kishe dhunë psikike dhe torturë. Por, sa më shumë zgjateshin ditët në burg, aq më shumë te të burgosurit bëhej e padurueshme kjo gjendje dhe kjo kuptohej nga britmat e nervozizmi i tyre që dukej në sjellje, duke pirë duhan një pas një dhe kjo dukej në pamjen e tyre – fytyrë.
Ardhja e Albin Kurtit në burgun e Nishit
Në rutinën e përditshme, një pasdite erdhi një i burgosur i ri. Disa kishin marrë vesh më herët që ka mbërritur ai i burgosur dhe poshtë janë duke ia marrë të dhënat dhe tash po e sjellin në katin tonë. Një nga të burgosurit tha se është Albin Kurti. Të gjithë e pritnin se kur ngjitet shkallëve, ndërsa ne në dhomë bisedonim e diskutonim për çështje të ndryshme. U hap dera dhe hyri Albini. Gardiani tha këtu është një vend për mysafirin e ri dhe ai doli. Ne u përshëndetëm me të, u përshëndet edhe me të tjerët në dhomë dhe filluam të bisedojmë për gjendjen tonë nëpër burgje, për shëndetin, për familjet, për situatën në burg dhe situatën në Kosovë. Në biseda e sipër erdhi darka. Hëngrëm darkë dhe përsëri filluam të bisedojmë për rrethanat politike. Albini i mori gjërat e veta që i kishte me vete dhe nxori disa libra filozofikë në shqip dhe anglisht. Vinin ta përshëndesnin herë një e herë një tjetër në dhomë. Dikush pyeste ndonjë gjë dhe përpiqej ta shpjegonte situatën. Disa merrnin vesh, disa të tjerë bënin se kuptonin e kështu ecte nata.
Në mëngjes, sapo u zgjuam sipas orarit, dikush në dhomë tregonte ndonjë ëndërr që kishte parë, dikush fliste me nervoz, dikush ashtu e kështu, që e bënin dhe mëngjesin të zymtë, por dhe qesharak. Në mëngjes bëmë pastrimet, morëm mëngjesin dhe më pas prapë filluam të debatonim për situatën politike në Kosovë, në rajon të shqiptarëve dhe për mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Diskutonim për ata që na kishin mbështetur në histori dhe për ata që na kishin ndarë në të kaluarën. Në këto debate përmendeshin edhe dijetarë të ndryshëm që kanë studiuar rryma të ndryshme të filozofisë politike. Nga demokracia liberale deri te sistemet kapitaliste dhe socialiste. Edhe për Fromim që ka studiuar procesin e turmave dhe njerëzve që hiqnin dorë nga liria e vet dhe e bartnin lirinë te udhëheqësi i tij që ai bënte përfaqësimin e plotë të turmës, ku filozofë të ndryshëm kishin analizuar që nga Musolini e deri te Hitleri dhe turmat e sistemeve komuniste.
Ne debatonim në konteste të tilla për t’u kuptuar konceptet politike të liderëve e udhëheqësve të ndryshëm botërorë dhe të tanëve. Filozofia politike e drejtuesve tanë ishte filozofi e tërheqjes në vete, e mbylljes pa koncept e shprehur në një frazë me dëshira absolute, por pa veprim praktik.
Diskutonim për luftën, për dëshmorët, për fitoren e UÇK-së si koncept dhe praktikë më e mirë e kohës për realizimin e bashkimit të popullit dhe të krijimit të mundësive të rirregullimit të çështjes shqiptare në Ballkan. Vlerësonim veprimet pozitive të drejtuesve politikë të udhëheqësve, por edhe qëndresën e popullit në mbështetje të luftës për liri. Absolutisht ishin të arsyeshme bombardimet nga aleanca e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi për ta çliruar Kosovën nga Serbia. Por kishim frikë sepse faktori ndërkombëtar nuk i ka konceptet tona për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata kanë tjetër koncept të lirisë të të drejtave të njeriut e jo të lirisë kombëtare. Kështu që në këtë kontekst edhe shiheshin zhvillimet politike në Kosovë. Çarmatosja e UÇK-së, krijimi i policisë, krijimi i sistemit të drejtësisë me gjyqtarë e prokurorë që dikur kishin marrë pjesë në dënimet tona nëpër procese gjyqësore dhe na kishin dënuar si nacionalistë e separatistë me dënime të rënda. Sipas statistikave, në vitet tetëdhjetë rreth 700 mijë shqiptarë kishin kaluar nëpër duart e policisë sekrete në Kosovë, që i binte se çdo i dyti ka qenë pjesë e trajtimit të policisë dhe të dënuar mijëra të tillë nga këta gjykatës e policë. Këto tregonin se liria u fitua dhe çlirimi u arrit nga Serbia, megjithatë një të kaluar të brishtë të disave që janë futur në sistemin e drejtësisë dhe policisë, neve si popull tashmë na duhet një pajtim kombëtar për zhvillimin e vendit dhe drejtësia të merret me krijimin e kushteve për një jetë më të mirë.
Deklaratat që jepnin drejtues ndërkombëtarë dhe pikat e Hakerupit që i komentonim. Në këto pika shihej që një gjë e mirë nuk pritej si liri kombëtare, por si koncept qytetar, në një territor të caktuar. Diku pajtoheshim dhe nuk pajtoheshim në mes vete edhe me Albinin, por ne debatonim e diskutonim mbi ato gjëra që kishim informacion apo që kishim mundur të merrnim informata.
Të tjerët aty dëgjonin apo, ndonjëri bashkëngjitej në bisedë, por në diskutim merrnin pjesë edhe Naimi, Isaku, Vehbiu, sepse bisedonim secili në mënyrën tonë, pasi secili e donim vendin tonë deri në flijim, sepse këtë e dëshmonte dashuria për atdheun dhe lufta e qëndresa jonë ndaj dhunës që përdorej ndaj nesh.
Gjatë diskutimeve në korridor thërret gardiani për të dalë në shëtitje. U bëmë gati dhe dolëm. Morëm një top të basketbollit e një të futbollit, sepse në oborr ishte një fushë dhe kishim mundësi për të luajtur. Ne të burgosurit më herët luanim më shumë futboll gjatë orës së shëtitjes që e kishim, ndërsa të tjerët shëtitnin e bisedonin nëpër oborr rreth fushës. Pasi erdhi Albini ai e pëlqeu më shumë basketbollin dhe ne morëm topin e basketbollit dhe filluam të luanim së bashku. Luanim aq sa dinin, bënim humor dhe biseda të rinisë dhe kështu na iku koha e pauzës, më pastaj u kthyem nëpër dhomat tona.
Pasdite filluam t’i lexonim librat aty ku kishim mbetur. Unë lexoja Fromin, “Ikje nga liria”. Analizoja konceptet e tij mbi lirinë, tjetërsimin e lirisë, sistemet totalitare, udhëheqësit totalitarë në diktatura e demokraci, abuzimet me lirinë etj. Tjetërsimi i lirisë është kur turmat kanë dëshira, por ato nuk mund t’i realizojnë dhe mendojnë se udhëheqësi do t’i mbrojë e realizojë këto dëshira. Duke parë këtë, kuptojmë se turma e krijuar bëhet një me udhëheqësin dhe krijojnë diktaturat më të tmerrshme që bartë udhëheqësi në interes të egove të tij personale, duke shtypur lirinë në emër të lirisë. Këso turma kishim edhe në Serbi me Millosheviqin, kur popullata e tërë serbe hoqi dorë nga liria e vet dhe e barti lirinë te kryetari i tyre. Këto turma amorfe pastaj u bënë turma të rrezikshme që krijuan diktaturën e Millosheviqit dhe luftërat në Jugosllavi, duke shkatërruar si në mesjetë çdo gjë të huaj që nuk ishte e tyre, ose duke përvetësuar dhe bërë të vetën çdo gjë për të krijuar identitet politik. Në ballafaqime me këso situate kuptohej më lehtë edhe mendimi filozofik, duke parë vrazhdësinë e turmave edhe në burgje dhe egërsinë e gardianëve duke përdorur dhunën kundër atyre që nuk mendonin njëjtë, pra neve si shqiptarë që kërkonim liri e çlirim.
U dëgjuan dyert e hekurit e britmat e gardianit si dhe krisma e pjatave që mbanin të burgosurit duke marrë ushqimin e darkës. Morëm darkën dhe, duke hëngër darkë, bisedonim për ato që i kishim lexuar. Pas darkës, sapo u mbyllën dyert e hekurit dhe shkuan gardianët, të burgosurit nxorën telefonat nga vendet që i kishin fshehur. Ia filluan të bisedonin si në postë. Secili në këndet e qoshet që i nxinte. Në një çast na thërrasin në tel dhe na sjellin neve që të flasim. Tashmë në Prishtinë e Kosovë e dinin se unë dhe Albini ishim bashkë në burgun e Nishit. Atje kishin bërë edhe protesta dhe angazhime të ndryshme për lirimin tonë. Kur na sollën telefonin, dëgjohet një zë i njohur. Ishte baca Adem. Adem Demaçi.
E kërkoj Albinin dhe për disa minuta folën bashkë, pastaj fola edhe unë me bacën Adem për disa minuta. Me bacën Adem, përveç përshëndetjeve, diskutuam edhe për gjendjen dhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Po ashtu, folëm për kushtet e burgut dhe për shëndetin. Folëm për qëndrimin në burg, duke na dhënë këshilla për burgun dhe shfrytëzimin e kohës në burg për t’u përgatitur profesionalisht me dije. Na tha lexoni libra më shumë dhe mos humbni kohën kot. Këto ishin këshilla të mira të bacës Adem, sepse ai kishte një përvojë të gjatë nëpër burgje. Ai ishte simboli im! (Vijon)