Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, u ka tërhequr vërejtjen politikanëve shqiptarë për qëndrimin që po mbajnë për përballjen e ish-krerëve të UÇK me drejtësinë ndërkombëtare për krime lufte. Hasani u bëri thirrje, që të heqin dorë nga akuzat dhe të bashkohen për të mbrojtur luftën e UÇK-së. “Fushata të ndryshme që merren sot në Kosovë apo në Shqipëri në raport me UÇK kërkoj që të mos bëhet gjyqi përmes mediave, por të kërkojmë mbrojtjen e tyre. Ata kanë luftuar për çlirimin e vendit. Duhet të jemi si komb në mbrojtje të tyre. Po u bëhet gjyqi përmes mediave e partive politike, duke akuzuar njëra tjetrën. Unë kërkoj që sot të ndalen këto”, ka thënë ndër të tjera ai. Sipas tij, opozita në Kosovë po tregon pjekuri politike dhe kërkoi që në këtë grup të bashkohet edhe politika shqiptare, që të dalin me një qëndrim të unifikuar.
