Dhoma numër 22 në burgun e Beogradit dhe historia e saj.

Nait Hasani: Si i vizituan Flora Brovina e Fatmire Zogu të burgosurit në Beograd dhe si u lirua i burgosuri Xhevat Podvorica?

Dhoma numër 22 në burgun e Beogradit dhe historia e saj.

Mëngjeset na çelnin njëjte në burg. Asgjë nuk ndryshonte. Çdo gjë dukej rutinë. Në dhomë ishte gjendje e rëndë. Kishim frikën se çdo moment mund të ndryshonte situata, disa më të vjetër luteshin dhe pëshpëriteshin me vete, që të kishim një qetësi, sepse ishim lodhur nga presionet dhe dhuna.

Një ditë, pasdite ende pa bërë javën në këtë burg, para se të vjen darka hapet dera kryesore e korridorit tonë dhe gardiani bërtet në serbishte, Nait Hasani në cilën dhomë është. Këtu në dhomë 22 jam, lajmërohem unë. Dhe deri sa vjen ai me hapë derën në mendje më shkojnë të gjitha gjërat, të gjitha mundësitë se çka ka ndodhur dhe çka do të ndodhë. Të gjithë u prenë, asnjeri asnjë fjalë nuk e fliste. Vetëm Hamdiu e Ismeti folën ndërsa Xhevati si i ri që ishte, mbeti i zbehtë nga frika se çka do të më ndodh tani. Unë mendoja se tashmë do të fillojnë torturat përsëri ndaj meje dhe shokëve.

Tashme ishim dhe më afër këtu, dhe janë mbledh të gjithë kriminelët dhe do të shfryjnë mllefin e tyre mbi ne e në mua. U hap dera, dil jashtë, ishte urdhri i gardianit. Dola. Ec para dhe duart prapa. Unë para e ai pas meje duke komanduar drejtimin. Shkallëve poshtë duke ecur deri në katin e parë. Pritë këtu, urdhëri tjetër. Aty ishte një mbikëqyrës me grada. Më shikojë këmbë e kokë, me sy, me një vështrim të rreptë e të egër. Isha i përgatitur për çdo sfidë. Dhe vdekja ishte më e mirë se kjo jetë në këto tortura fizike e shpirtërore. Megjithatë vdekja nuk vinte, na kishte harruar nëpër burgje.

Në ato çaste koka ime bluante çdo gjë deri në fillimin e përballjes me situatën, që e prisja nga gjela tët. Kur e mendoja sa shqiptari ka kaluar këtu, sa shokët tanë i kanë torturuar. Sa i kanë vrarë etj. Por të gjitha këto që i mendoja, jeta ime ishte në shërbim të lirisë. Këtë e kisha thënë edhe në gjykim në Prishtinë, atëherë pata thënë: Më vjen keq që jam në burg e nuk kam mundësi të u bashkohem shokëve në luftë për liri. Po sot në këtë situatë pasi Kosova ishte çliruar, pasi sistemi politik i Millosheviqit ishte rrënuar nga vet serbet, pasi vetëm kishin ndodhur ndryshimet politike ne Serbi, ne ishin në burgje si peng që na kishin marr që nga 10 qershori 1999 e na kishin sjellë në burgjet serbe, e kisha më lehtë të flisja e të kundërshtoja.

Por duke i kujtuar ato kohëra e rrethana, më thërret gardiani për të hyrë brenda: Eja këtu. Hapet dera dhe nisem për të hyrë aty brenda, sipas urdhrit. Kur e ngriti kokën lartë dhe shikoj, mbes i mpirë. Mbes pa frymë. Mbesë i shtangur. Shoh, Fatmire Zogun. Shoh atë vajzën e ilegales. Shoh atë personin që Prishtinës i dha zë. Shoh atë femrën e ilegales së UÇK-së, shoh ushtaren e UÇK-së që Kosovës e UÇK –së me angazhimin e saj në çdo vend dhe thuaja në çdo aksion, i dha mbështetje e i krijoi mundësi veprimi. Shoh atë studenten e mjekësisë. Shoh përball atë që ishte me mua në Prekaz për t’i dhënë ndihmë Sahit Jasharit, që ishte plagosur në këmbë para vitit të ri me 30 dhjetor 1996. Shoh atë që me 15 janar 1997 në Polac së bashku takohemi me Adem Jasharin e Rexhep Selimin.

Shoh atë Fatmiren që na mbante kontaktet mes Plakut (Xheladin Gashit) e meje, Rexhës e meje, Sokolit po ashtu e mua dhe në çdo vend ku duhej e mund te kryente pune. Vepronte me lehtë si femër kudo. Pra tani shohë në rrethana tjera Fatmiren. Fatmirja ishte ulur dhe kur unë hyra brenda ajo ngrihet në këmbë dhe ma zgjatë dorën e më përshëndet. Po këtu kush të solli, pse erdhe, e pyeta, ndërsa mendja me shkoj e paskan zënë e kanë sjellë si dëshmitare, tash fillojnë procese tjera etj etj. Dhe me kapluan mendimet. Sa nuk bërtita, kush je ti që ke erdhe këtu. Me pa që më kanë kapluar mendimet dhe foli: Erdhëm me Flora Brovinen dhe me mbështetjen e shteteve të QUINT-it, me i vizituar të burgosurit.

Kam ardhur me insistimin e Rexhes, Rexhep Selimit dhe ai ka insistuar që të vijë dhe me të pa. Pas këtyre fjalëve, sikur u qetësova por përsëri dyshoja. Në këtë gjendje, as isha mu u gëzua që pas gati pesë viteve të takoja dhe po e shoh njeriun që kishim luftuar bashkë, ishim në organizim bashkë dhe kishim lidh bashkë dhe jetën, kishim bë plane bashkë për luftën, për çlirimin, lirinë e jetën pas lirisë, ndërtimin e zhvillimin e vendit. Dhe kjo në momentet e fundit ka qenë me mua deri te banesa e saj, dhe kur Fatmirja ka hy në banesë me marr gjërat tona që me u larguar nga qyteti dhe me dal në ilegalitet, mua më kanë sulmuar policia sekrete serbe te makina e më kanë arrestuar.

Fatmirja kur ka dalë për me ardh te makina, i ka pa që janë duke më marrë policia. Ashtu sipas marrëveshjes që e kishim bërë më herët që në kësi raste duhet të lajmërohen shokët, kjo i ka lajmëruar shokët, e ka lajmëruar ‘Plakun’, Plaku shokët tjerë e kështu me radhë. Dhe tash vjen në burg në vizitë me më pa, e pa besueshme, por e vërtetë. Fatmirja kishte ardhur në Beograd se bashku me Florën e kishte shfrytëzuar mundësinë dhe momentin e duhur. Isha nën stres dhe nën këtë presion kemi biseduar për gjëra me kode që i kishim, në prezencën e gardianëve.

Më tha që janë mirë të gjithë sipas kodeve. Më tha që Flora Brovina është në takim dhe po kërkon me marr (me e liruar) një të burgosur të ri Xhevat Podvoricën. Po shpresojmë që do ta lirojnë. Xhevat Podvorica ishte i burgosuri më i riu që mbahej në burgjet e Serbisë. Po ashtu më njoftoj se kishin qenë nëpër burgje tjera dhe i kanë vizituar të burgosurit. Tha gjithë mirë janë, por si nëpër burgje, me ankesa, dhe me stres, si dhe më tha që u kemi dhënë shpresë e premtuar se shpejtë do të lirohen të gjithë. Nuk di sa ka zgjatë takimi. Diku nja dhjetë minuta apo më shumë, por nuk besoj. Ishte takim pas pesë vitesh dhe aq i gjatë sa nuk ka kohë që e matë. Ama ishte takim nen presion psikik.

U përshëndetëm për dore dhe më tha të fala të gjithëve, edhe unë ashtu ia ktheva. Asnjë shenjë nuk ua dhashë gardianeve e askujt që njiheshim. Vizita ishte lejuar pas presionit ndërkombëtar, pas djegieve të burgjeve në Serbi, kështu me tha, Fatmirja. U ndamë. Në dalje e shikova edhe njëherë dhe eca si pas urdhrit të gardianit. Unë para ai pas, u ngjitëm shkallëve, u hap dera e korridorit. U hap dera e dhomës 22 ku isha unë. Dhe hyra në dhomë. Të gjithë në këmbë u ngritën dhe më shikonin. Nuk isha i vrenjtur. Isha akoma në tronditje psikike për mirë.

Por me dyshime. Ju thash isha në vizitë poshtë, ka ardhë Flora Brovina në vizitë të të burgosurve me një tjetër. Xhevatit i thash Ti sot po shkon në shtëpi, kështu më thanë poshtë një zonjë që ishte me Florën. Ai nuk besonte dhe mbet si i mpirë. Hamdiu dhe Ismeti, thanë mirë tek është dhe tash kanë me u vizituar edhe juve u thash. Në këto biseda në dhomë. U hap dera e korridorit dhe bërtiti prap gardiani, Podvorica.

U përgjigjëm edhe ne me zërin lartë; këtu është në dhomën 22. E hapi derën dhe tha merri teshat dhe gjërat tuaja e dil jashtë. U përshëndet me krejt edhe me mua dhe doli nga dera. U gëzova shumë që doli. Ishte i ri. Kishte kaluar sfida si fëmijë. Por ishte më i pjekur më shumë se disa aty të vjetër që ishin. Ishte i durueshëm dhe i dashur për të gjithë. Dalja e tij ishte një shpresë e mire. Ai doli dhe ne e filluam rutinën dhe heshtjen. Nuk vonoi disa minuta dhe përsëri dera e korridorit u hap. U hap dera jone përsëri. Të gjithë një nga një në rresht dilni dhe ecni para, ishte urdhri i gardianit. Vazhduam duke ecur shkallëve dhe shkuam poshtë në një korridor më të gjerë dhe aty u ndalem më një dhomë të gjithë.

Pas nja dy minutave para nesh u shfaqën Flora Brovina dhe Fatmire Zogu. Na përshëndetën përdore dhe më përqafoi Flora, po ashtu edhe Fatmirja na përshëndeti për dore të gjithëve. Ne në rresht Flora me Fatmiren para nesh. Flora foli dhe tregoj për gjendjen në Kosovë, për situatën dhe protestat që janë bërë për lirimin e tonë. Krejt janë me juve tha Flora, dhe ndajnë shqetësimin me gjendjen e juve dhe burgjet që janë kallë.

I kemi vizituar të gjithë e do te bëjmë çdo gjë për lirimin e juaj. Pas këtyre u përshëndet me ne, na shtrëngoi dorën duke na dhënë mbështetje morale. Më pas gardiani dha urdhër të ecnim përpjetë shkallëve e drejtë në dhomë. Rrugës e pamë Xhevatin duke pritë në korridor në këmbë i kthyer me fytyrë nga muri. Pasi hymë në dhomë filluan komentet për vizitën e dy grave të guximshme të ardhura nga Prishtina. Disa nuk i njihnin dhe flisnin koti e disa më përgëzuan për guxim e ardhjes së Fatmirës. Me Ismetin e Hamdiun filluam të diskutonim për vizitën e Florës dhe situatën atje.

Dhe ato qe kisha folur me herët me Fatmiren. Disa copëza të bisedës i tregoja. Pas asaj vizite thuaja se në këtë burg nuk kem pas dhunë e tortura. Ramë me fjete dhe e gjithë vizita e gjithë koha me doli para syve që kur ishim njohur me Fatmirën dhe peripecitë e angazhimeve tona të përbashkëta për liri dhe për jetën tonë. I shihja të gjitha në imazhin e memories, ashtu si atëherë, vetëm se tani Fatmirja ishte më e dobët në shëndet, por e qëndrueshme dhe gatshme për çdo sfidë. Xhevati iku, doli nga burgu, la kujtimet e bukura te një të riu të pjekur, i cili e donte jetën që e kishte përpara. (vazhdon)…

Si i vizituan Flora Brovina e Fatmire Zogu të burgosurit në Beograd dhe si u lirua i burgosuri Xhevat Podvorica?

Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

Dhoma numër 22 në burgun e Beogradit dhe historia e saj.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …