Nakije Dakaj: Duhet të përkulemi para Varreve të Dëshmorëve, sepse falë gjakut të tyre ne sot e gëzojmë këtë liri

Nakije Dakaj: Duhet të përkulemi para Varreve të Dëshmorëve, sepse falë gjakut të tyre ne sot e gëzojmë këtë liri

(Intervistë me Nakije Dakajn, motra e dëshmorit të Kombit, Mirush Dakaj, luftëtar  çlirimtar në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë)

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Nakije Dakaj, motër e dëshmorit të Kombit, Mirush Dakaj

Nakije Dakaj: E nderuara Redaksi e RKL, si fillim me lejoni që të iu falënderojë për përkrahjen tuaj ndaj Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, duke i përkujtuar ata si në këngë që iu kushtohen atyre, në dokumentarë dhe çka është më e rëndësishmja ju në çdo ditë të rënies i përkujtoni ata me historinë e tyre. Dhe për këtë si motër dëshmori iu falënderoj në mënyrë të veçantë duke ndjerë një respekt të madh për RKL.

RKL: Mirush Dakaj i takon plejadës së luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, gardës së liridashësve e liri bërësve jo vetëm të Kosovës por edhe popujve të tjerë të shtypur e të robëruar të ish-Jugosllavisë. Për dëgjuesit e RKL, a mund të përshkruani cili ishte komunikimi i Mirushit me Ju, sa ishte ushtarë në Kroaci e Bosnje e Hercegovinë?

Nakije Dakaj:  Lufta në Kroaci dhe në Bosnjë, kishte mbledhë edhe shumë djem nga Kosova. Të gjithë ata që nuk e duronin regjimin serbo – sllav ishin bashkuar për të larguar nga të gjitha vendet ku ata tashmë ishin si pushtues. Edhe vëllai im, Mirushi i njohur si Komandant Korbi nuk mundi të duronte këtë pushtues dhe u bashkua në radhët e Ushtrisë Kroate e më pas të radhëve çlirimtare të boshnjakëve myslimanë, Komunikimi me të ishte i vështirë, mirëpo vëllai i madh, Abedini komunikonte dhe nga ai njoftoheshim disa nga pjesëtarët e familjes sonë. Gjatë kohës sa zhvillohej lufta në këto dy shtete, policia serbe, e cila në Kosovë ushtronte një dhunë të tmerrshme.  Asaj dhune nuk i shpëtoi as familja jone, e pjesë e kësaj dhune ishte edhe vëllai i madh Abedini me shkakun  se vëllai juaj po lufton kundër nesh, në Kroaci dhe në Bosnjë.

RKL: Kur erdhi Mirushi në radhët e UÇK-së në Kosovë dhe a erdhi fillimisht në familje?

 Nakije Dakaj:  Ardhja e tij në Kosovë nuk ishte një ardhje e befasishme për mua dhe dy vëllezërit Abedinin dhe Nuredinin, sepse ne ishim në dijeni për ardhjen e tij. Fillimisht ata  si grup që ishin shkuan në Likovc, e pas disa orëve erdhi në familje. Pasi u çmallë me ne, e gjitha që është e shkruar në mendjen time është biseda që ai zhvilloi me nënën. Pyetja e nënës : Sikur të vdiste nëna ose babai a do vije në varrimin tonë si erdhe sot ?. Ai siç ishte i qetë dhe i mendueshëm për fjalën e mençur që thoshte, e pa nënën me dashuri dhe ia ktheu, po citoj ” Nëse rrugët do më mbylleshin, me keqardhje po ta them ndoshta nuk do isha i pranishëm në momentet përshëndetëse të fundit me ju, po kjo që më thirri ishte edhe është një dashuri më e madhe se gjithçka tjetër, e kësaj nuk munda ti them jo, kjo tokë për mua është më shumë se dashuria nënë e baba “. Po sikur të më vritesh vazhdoi nëna me pyetjen e radhës ?. Ai prapë e pa me dashuri dhe iu përgjigj : ” Nënë, kur nuk ka mundur të më vrasë plumbi i shkaut në Kroaci e në Bosnjë, as këtu nuk mundet të më vrasë, se ua di taktikat e luftës së tyre se kjo është lufta e tretë që e bëj kundër tyre, këtu mundet të më vrasë vetëm plumbi i shqiptarit, edhe atë pas shpine siç kanë bërë kundër  shumë heronjëve që i takojnë plejadave të ndryshme. Këto fjalë janë të skalitura në mendjen time, nga takimi im i parë pas gjashtë vite e gjysmë që kishim pa u parë me të.

RKL: Cili ishte takimi i fundit me vëllanë Tuaj?

 Nakije Dakaj: Unë isha gjithnjë afër tij pasi që siç ishin edhe dy vëllezërit Abedini dhe Nuredini së bashku me Komandant Korbin, edhe unë isha pjesë e UÇK-së. Në ditën kur ai u vra nuk isha pranë tij, sepse nënën e kishim të sëmurë dhe me lejen e tij isha në vizitë te ajo. E  ndjera ishte duke u shëruar në spitalin e UÇK-së, në Gradicë. Vrasjen e Mirushit dhe plagosjen e Nuradinit shumë rëndë e kam përjetuar, sepse nuk e prisnim një gjë nga askush, sepse ne armikun e vetëm që kishim ishte vetëm shkau, e vrasja e tij na mori edhe një pjesë të trupit dhe jetës sonë. Mirëpo jam dhe ndihem krenare që jam motra e tij.

RKL: Rënia dëshmor e Komandant Mirush Dakajt ishte humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për UÇK-në, por para se gjithash për familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

 Nakije Dakaj: Vlerat dhe trimëritë e tij shumë pak njerëz mund ti kenë, e kjo më bënë të ndihem mirë, ballë hapur dhe krenare kur takohem me shokët dhe ushtarët e tij, edhe pse tash pas lufte shumë pak po kanë kohë shokët e tij të na vizitojnë sepse shumica prej tyre janë dhënë pas punëve të tyre, dhe kanë harruar se ata për ta nuk kursyen edhe jetën e tyre, mirëpo kjo le të mbetet në ndërgjegjeje e tyre.

 

RKL: E nderuara Nakije,  cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës pa dallim?

Nakije Dakaj: Të flasësh për luftën e UÇK-së, ne duhet të përkulemi para varreve të Dëshmorëve, sepse falë gjakut të tyre ne sot e gëzojmë këtë ” liri “. Nga të gjitha Qeveritë e pasluftës, të themi shumë pak është bërë, apo thënë më shkurt asgjë nuk është bërë për këto kategori e as për familjet e tyre, ndërsa pakënaqësia më e madhe sepse këtu po bëhen shumë ndasi duke bërë dallime, se për dikë po bëhet shumë e për dikë asgjë, duke harruar se të gjithë në kohe lufte ishin të barabartë duke mos pasur parti, as asnjë qellim përçarje, e që qëllimi i tyre i vetëm ishte çlirimi i vendit dhe të gjithë ishin një, pa ndarje partish ose postesh, e sot më duket që po ngritën në grada vetëm ata që i propozon kjo apo ajo parti.

RKL: Po nga OVL e UCK, dhe nga Presidenca po shpalljen e titujt për dëshmorët, ata po selektohen kush dëshmor e martir e dikush hero, cili është komenti i Juaj?

Nakije Dakaj: Mendoj se edhe ne vet si familjarë shumë pak e kemi ngritur zërin për këtë gjë. Por një gjë mos e harroni sepse ne presim që të jemi të barabartë ashtu siç ishin ata për këtë tokë duke mos kursyer as jetën e tyre, e neve nuk na takon të trokasim në dyert e asnjë institucioni, sepse ata që ishin shokë lufte të tyre sot janë pjesë e këtyre institucioneve ku gjaku i tyre i ka vendosur aty, dhe duhet ata mos të bëjnë këso shkelje, mos ti lëndojnë ata që gjakun e tyre e derdhën pa e kursyer as me te shtrenjtën gjë JETËN.

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Nakije Dakaj: Ne si familje që kemi kontribuar pa kursyer gra, as fëmijë të jemi në krahë të luftës së UÇK-së. Aspak nuk kemi përkrahje nga institucionet e as nga ata që i udhëheqin ato. Jo, kjo nuk mjafton,  aspak sepse askush nuk ka ardhur asnjëherë të na shoh ose të na përkrahë moralisht.

 RKL: Dëshmorët Jetën,luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?

Nakije Dakaj:  Të them të drejtën, kjo është e vetmja gjë që më brenë nga brenda, sepse në këtë drejtim janë bërë shumë shkelje mbi gjakun e tyre, dallimi dhe ngritja në emra është shumë e rëndë për të gjitha familjet e Dëshmorëve, në veçanti e familjes së Komandant Korbit. Në luftë nuk kishte ndarje i madh ose i vogël, me apo atë parti, qëllimi i tyre ishte të gjithë ishin një.

 RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Nakije Dakaj:  Jo aspak nuk janë duke bërë për amanetin e tyre. Mëkat edhe turp që po shkelin çdo ditë e më shumë në gjakun e Dëshmorëve. Porosia ime për ta është, kujdes sepse një ditë gjaku i tyre do iu errësojë sytë.

RKL: E nderuar Nakije, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet?

Nakije Dakaj: Si përfundim iu falënderojë qe keni gjetur kohë të merrni në intervistë dhe të dëgjoni hallet e familjarëve të Dëshmorëve. E vetmja gjë që kërkojë në emër të të gjithë familjeve të Dëshmoreve është edhe me shumë se lutje, mos i harroni ata që për ju nuk kursyen më të shtrenjtën JETEN.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …