leoni

Nasho Jorgaqi: Zërat e parë femërorë të letërsisë shqipe

Kur janë shfaqur për herë të parë emrat e krijueseve femra në analet e letërsisë shqipe?

Një pyetje kjo që më ka lindur e më ka ngacmuar prej vitesh. Në fillim u shtyva larg, u hodha në kohën e Rilindjes. I kërkova në letërsinë arbëreshe, si një letërsi e kultivuar më herët, por nuk i ndesha. Edhe një emër gruaje që hasa, siç ishte ajo e Kristina Xhentile Mandalas (1856-1919), më rezultoi mbledhëse e botuese përrallash arbëreshe. Vetëm nga fundi i Rilindjes u dukën emrat e dy intelektualeve të para në jetën shqiptare. Këto qenë motrat Qiriazi, Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) që ngritën shkolla shqipe, hartuan tekste shkollore, nxorën revistën “Ylli i mëngjesit” në SHBA. Prej tyre do të kemi vargjet e para, siç qe teksti i himnit të Kongresit të Manastirit, hartuar nga Parashqevi Qiriazi, apo tekstet e këngëve shkollore, të shkruara nga Sevasti Qiriazi. Ishin këto sprova premtuese, kryesisht shkrime me nota didaktike e frymë patriotike që i shërbyen shkollës shqipe në hapat e saj të para, por qenë dhe përpjekje fillestare për të shkruar letërsi modeste në vargje apo skica të thjeshta letrare. Një dukuri kjo jo vetëm atdhetare, por dhe kulturore dhe sociale. Përpjekje të tilla nga elementi femëror s’ka dyshim që janë bërë aso kohe në qytetet kryesore që kishin një farë zhvillimi ekonomik dhe tradita, si Korça, Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora. Por një veprimtari e kësaj natyre bëhej në fshehtësi jo vetëm për shkak të fanatizmit e analfabetizmit, por dhe të prapambetjes sociale. Në këto vite mund të flasim vetëm për një letërsi gojore anonime. Gruaja shqiptare, e njohur dhe e çmuar botërisht në rastet më të mira për bukurinë fizike dhe botën shpirtërore, për karakterin dhe personalitetin e veçantë, s’kish si të mos krijonte brenda mjedisit të saj të ngushtë, të thurte vargje në moshën e dashurisë, të këndonte këngë djepi si nënë, të vajtonte me ligje, të rrëfente përralla si gjyshe. Një realitet ky i mbyllur në vetvete, por që do të mëkonte e përcillte brezat në formimin e tyre.

 

Kjo letërsi që do të kthehej në objekt gjurmimi, mbledhjeje dhe studimi nga folkloristë dhe antropologë, do të ishte thjesht gojore dhe anonime dhe as që bëhej fjalë për individualitete letrare, për një letërsi të kultivuar që do të shihte dritën e shtypit. Shoqëria shqiptare, sidomos në dy dekadat e para të mëkëmbjes së shtetit shqiptar, me prapambetjen, padijen dhe varfërinë, nuk tregonte asnjë lloj interesi për botën kreative të femrës shqiptare, sidomos të letërsisë. Por nga kërkimet e bëra rishtazi në qarqet letrare të diasporës arbëreshe na rezulton se në Kalabri është botuar në vitin 1917 një përmbledhje modeste me vjersha arbërisht nën titullin “Canti” me autore Maria Antonia Braile. Një vepër që s’pati përhapje e as jehonë jo vetëm në atdheun e të parëve, por as në mjediset arbëreshe. Ajo ka mbetur kryesisht si një libër me vlerë dokumentare. Kurse në Shqipëri duhej të pritej mesi i viteve ‘30 të shekullit XX, kur shkolla shqiptare po arsimonte dhe edukonte brezat e rinj, ku përfshiheshin natyrisht dhe vajzat. Ishte koha kur në qytetet kryesore po ndjehej një lloj emancipimi dhe veçanërisht kur në vendin tonë po lindte lëvizja feministe dhe gruaja po përpiqej brenda mundësive të saj të kufizuara për të drejtat e veta. Tamam në këto vite do të kemi dhe manifestimin publik të zërave të parë femërorë në letërsinë shqipe. Është shumë e rëndësishme të themi që kjo dukuri qe shprehje e vetvetishme e vetë vajzave shqiptare, një nevojë e brendshme për të shprehur publikisht mendimet e tyre. Në këtë ndërmarrje të guximshme do të ndikonin elementët revolucionarë dhe demokratë, si dhe shtypi progresist, që i nxiti dhe i mirëpriti shkrimet e para të atyre pak talenteve që morën kurajën të ballafaqohen me lexuesin. Rrugën e tyre për te letërsia do ta hapte dhe sheshonte edhe publicistika që lëvronin disa gra të cilat militonin në përpjekjet emancipuese të femrës shqiptare me artikujt e tyre, siç qenë Ollga Plumbi, Milla Vangjeli, etj.

Kështu, në faqet e gazetës “Populli” të 28 nëntorit 1935, 80 vjet më parë, u botua vjersha “Vala gënjeshtare”, që nënshkruhej jo me emër të vërtetë, por me pseudonimin Kolombja. Publikimi i kësaj vjershe femërore u kthye menjëherë në ngjarje. Jo vetëm tërhoqi vëmendjen dhe u pëlqye, por ngjalli dhe habi, bile dhe skepticizëm. Nuk besohej se e kishte shkruar një vajzë, përkundrazi, mendohej se pas saj fshihej një lojë mashkulli. Por dolën menjëherë intelektualë që e morën në mbrojtje dhe e përshëndetën. Poeti Gjergj Bubani, në vjershën që shkruan me këtë rast, e quan “lule e vetme që sjell pranverë në shtypin tonë” dhe i bën thirrje: “Dil në shesh, moj motër. Dhe shpallu fare fora të të shohim.” Kurse gazetari Fiqiri Llagami do t’i drejtohej opinionit se “Kjo vajzë është flamurtarja e evolucionit tonë, që me punën e vet don me rrëxue nji shkamb, që ka tabelën e veseve të këqija shqiptare.”

Dhe nuk vonoi e u mor vesh se prapa Kolombes fshihej një vajzë 17-vjeçare nga Gjirokastra me emrin Selfixhe Ciu (1918-2003). Pas botimit të vjershës së parë, ajo do të ishte autore e një vargu vjershash e skicash letrare që publiku do të lexonte në organet e kohës, si “Shtypi”, “Java”, “Diana”, “Drita” e veçanërisht revista “Bota e re”. Kolombja do të bëhej zëdhënësja e gruas shqiptare, do të kërkonte të drejtat e saj, do të shprehte revoltën e saj, do të përcillte ëndrrat e saj. “Kjo kënga ime/ – këndonte ajo – /Do të këndojë hove lirije/Do të derdhet plot buçimë/Nëpër brenga njerëzie.”

Vetë titujt e vjershave dhe skicave të saj flasin për tematikën e mprehtë sociale që trajton, si “Shqetësim”, “Shpresa e zhdukur”, “Vajzëria”, “Mërgimtari”, “Ditë pazari”, “Vetmitari”, “Gabimi i të riut” etj. Në faqet e revistës “Bota e re” ajo do të shpallë me guxim kushtin që gruaja shqiptare i vë shoqërisë me fjalët: “Asgjë nga femra mos prisni, pa i falur lirinë e saj të plotë.”

 

Zërit poetik të vajzës gjirokastrite do t’i bashkohej ndërkaq zëri i vajzës shkodrane Luçie Sereqi (1910-1993), që nënshkruan vjershat e saj me pseudonimin Lux Secreta. Ajo bashkëpunon me revistat “Cirka”, “Shkëndija” e përgjithësisht me shtypin shkodran, si një zë vetmitar poetik ne mes korit të poezisë mashkullore të kryeqendrës së Veriut. Vargjet e saj pasqyrojnë botën shpirtërore të vashave shqiptare, aspiratat liridashëse, ëndrrat për një jetë të denjë, të dhëna këto nëpërmjet një fryme lirike dhe vargjesh delikate.

Një firmë tjetër femërore u shfaq në botën letrare shqiptare në vitet ‘30-40 të shekullit të kaluar. Ishte emri i Jolanda Kodrës (1912-1963), një vajzë italiane, që e bëri Shqipërinë atdheun e saj të dytë. Ajo do të shkruante poezi jo vetëm në gjuhën e Dantes, por dhe në gjuhën shqipe. Vargje me nivel, lirika me motive filozofike dhe të natyrës, por dhe poezi patriotike, siç janë vjershat “Shqipërisë” dhe “28 nëndori”. Veç poezisë, ajo u çmua dhe si kritike letrare, duke dhënë mendime me vlerë kryesisht për autorë e vepra të letërsisë shqipe, disa nga të cilat do t’i përkthente në gjuhën italiane. Poezitë dhe artikujt e saj letrarë i botoi në shtypin e kohës, si revistat “Njeriu”, “Shkëndija”, “Kultura islame”, “Hylli i dritës”, “Fryma” etj.

Por talenti letrar nga bota femërore shqiptare, që spikati përmbi të gjitha simotrat e saj dhe bëri emër në letërsinë shqipe, ishte ai i Musine Kokalarit (1917-1983). Një vajzë intelektuale e ditur dhe e zgjuar, me dhunti dhe interesa të gjera, nga të paktat që kreu studimet universitare. Edhe ajo debutoi në letërsi me vjersha dhe skica letrare të botuara në gazeta dhe revista, si “Shtypi”, “Diana”, “Java”, “Tomori i vogël” etj. Por ajo nuk u mjaftua me kaq, mbasi qe e vetmja nga shoqet që do të dilte para publikut shqiptar me libra. Kështu, brenda pak viteve, do të botonte veprat “Siç më thotë nënua plakë” (1939), “Sa u tunt bota” (1944) dhe “Rreth vatrës” (1944). Ishin këto vepra në prozë, me një vokacion krejt të veçantë, të frymëzuara e të ngritura me lëndë jetësore nga qyteti i vendlindjes. Qenë rrëfime folklorike mbi jetën dhe zakonet gjirokastrite, me psikologjinë dhe mendësinë e saj, me pasurinë gojore, shkruar me të folmen plot kolorit të qytetit të gurtë. Ky realitet është dhënë brenda kornizës familjare, ku në qendër vihet figura e gruas, me individualitetin e saj, sa e virtytshme aq dhe dinjitoze, sa e mençur aq dhe punëtore, një familjare e shkëlqyer. Të gjitha këto autorja i ka shkruar me dashuri e njohje të thellë, me vërtetësi që zgjojnë jo vetëm emocione, por përbëjnë shembullin e një proze folklorike dhe etnografike. Janë këto arsyet që veprat e Kokalarit u mirëpritën nga lexuesit dhe u vlerësuan nga autoritetet letrare si L. Poradeci e M. Kuteli.

 

Musine Kokalari lëvroi gjithashtu me sukses edhe poezinë, disa prej të cilave i botoi në shtypin e kohës. La në dorëshkrim përmbledhjen poetike “Kolla e vdekjes” që, siç e tregon dhe titulli, trajton kryesisht temën sociale të lidhur ngushtë me jetën dhe pozitën e rëndë të gruas në shoqërinë shqiptare. Me gjithë frymën pesimiste, ajo ka një gamë të gjerë motivesh që denoncojnë padrejtësinë dhe mjerimin, që shprehin revoltën dhe bëjnë thirrje për qëndresë. Ndihet trishtimi dhe pakënaqësia e një zemre mbushur plot mllef. Ajo bëhet zëri i motrave robëresha, duke e kthyer poezinë e saj në një akuzë kundër shoqërisë fanatike e të prapambetur.

 

Musine Kokalari është e vetmja nga katër zërat e parë femërorë që u dëgjua gjerësisht në letrat shqipe dhe që hyri dhe mbeti në historinë e saj. Një emër që mori vlera e fitoi respekt jo vetëm për veprat e çmuara që na la, por dhe për martirizimin që pësoi gjatë regjimit komunist.

Për fat të keq, krijimtaria e saj dhe e tre shoqeve në vitet e pasluftës u ndërpre. Ajo kohë s’ishte e tyre, por ato kanë meritën që i çelën së pari rrugën vajzave dhe grave shqiptare për në botën e bukur të artit të fjalës.

 

Një rrugë kjo historike, që me gjithë pjesëmarrjen aktive dhe masive të gruas shqiptare në Luftën Nacionalçlirimtare dhe emancipimin e madh që solli ajo, procesi i ardhjes dhe afirmimit të talenteve femra në letërsi fillimisht qe i ngadaltë dhe jo i lehtë. Sepse arti ka ligjësitë e veta që varen nga një kompleks kërkesash dhe faktorësh jo vetëm socialë e kulturorë, por dhe artistikë e psikologjikë. Sigurisht nuk do të mungonin në shtypin e viteve të para të çlirimit sprova interesante vjershash, tregimesh e skicash letrare, por këto qenë sporadike dhe kalimtare. Duhet të kalonte më se një dekadë, që të dilte në dritë libri i parë me emrin e një gruaje. Dhe ky qe vëllimi me tregime “Zemër e dëlirë” e Arsinoi Binos, botuar në vitin 1961. Dy vjet më vonë erdhi përmbledhja poetike “Ëndrra vashërie” e Adelina Mamaqit (1963), për t’u pasuar nga përmbledhja tjetër “Mos e këndo atë këngë” e Lavdie Lekës (1965). Proza e gjatë dha provën e parë me novelën “Shuaje dritën Vera” të Elena Kadaresë (1966), për të vijuar me vëllimin poetik “Era e revolucionit” të Klara Kodrës (1968), me prozat “Tregime për ty” të Eglantina Mandisë (1969) dhe “Telashet e emancipimit” të Rozi Theoharit (1969).

Vitet ‘70 do të sillnin prurje të tjera letrare femërore, autore të talentuara dhe vepra me vlera të reja artistike, si Vllasova Musta me përmbledhjen poetike “Pa kopertinë” (1970), Natasha Lako me “Marsi brenda nesh” (1972), Beatriçe Balliçi me “Kush m’i fali manushaqet (1972), Shpresa Vreto me “Ajo ishte këngë për mua” (1973), Feride Papleka me “Ëndrrat dhe fishekzjarrët” (1974), Vangjeli Çomora me “Balona” (1975), Vojsava Nelo me “Kur çelin ëndrrat” (1977), Dhurata Bozdo me romanin “Përballë dallgëve” (1979).

Në vitet ‘80 do të debutojnë të tjerë emra, si Diana Çuli me vëllimin “Jehonat e jetës” (1982), Elsa Ballauri me përmbledhjen poetike “Mëngjes” (1983), Mimoza Ahmeti me “Bëhu i bukur” (1986), Natasha Bega me “Lirika” (1988) etj.

 

Përmbysja social-politike e viteve ‘90 solli shpërthime talentesh të reja në fushën e letërsisë nga radhët e vajzave dhe grave shqiptare,. Ato do të lëvronin në të gjitha gjinitë letrare, nga poezia te romani. Në botën tonë letrare hynë poetesha dhe prozatore që krijuan vepra në kushtet e fjalës dhe mendimit të lirë, me praktika dhe mjete shprehëse novatore, që përbëjnë një kontribut shumë të çmuar të talenteve femërore në etapën e re të letërsisë shqipe.

Kjo letërsi u përfaqësua me emra të rinj, si Lindita Arapi me vëllimin “Prelude poetike” (1990), Luljeta Lleshanaku me përmbledhjen poetike “Sytë e sonambulës” (1992), Mira Meksi me “Planetin e ngrirë” (1992), Flutura Açkaj me “Tre vjeshta larg” (1993), Mimoza Erebara me “Për të shoqëruar një shpresë” (1993), Rita Petro me “Vargje të përfolura” (1994), Luljeta Danaj me “Sipas flokëve të plakave” (1994), Brunilda Zllami me romanin “Dashuri apo urrejtje” (1996), Meri Lalaj me “Kapërcyell” (1996), Ledia Dushi me “Ana Maria bahet lot” (1997), Elvira Dones me romanin “Dashuria e huaj” (1997), Albana Mlyshi me “Kafe Shkodra e Nju Jorkut” (1998). Në këtë kohë do të botojnë librat e tyre të parë dhe Besa Myftiu e Ornela Vorpsi.

 

Ky është në përgjithësi bilanci i krijimtarisë letrare të vajzave e grave shqiptare, zhvilluar kryesisht në shekullin e njëzetë. U ndalëm në kufijtë kohorë të këtij shekulli, duke marrë shkas nga 80-vjetori i botimit të vjershës së parë të një vajze shqiptare. Një ngjarje kjo e shënuar në letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, që po e përkujtojmë me nderim në ditën tradicionale të festës së gruas. (Tirana Observer)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …