Nasim Haradinaj

Nasim Haradinaj i ka drejtuar kritika, për punë joprofesionale Prokurorisë dhe për njëanshmëri, trupit gjykues

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj ka folur para Panelit të Apelit në Hagë dhe ka kërkuar lirim nga aktakuza si dhe kërkim-falje nga prokuroria e Speciales. Haradinaj ka thënë se ai dhe Hysni Gucati kanë sinjalizuar për rrjedhje të dokumenteve që pretendohet të jenë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar derisa ka kërkuar zbardhje të tërësishme të rastit për arritjen e tyre në zyrat e organizatës. Ai ka kërkuar që asgjë në këtë çështje të mos mbetet mister por të sqarohet se si rrodhën dokumentet, kush e nxori dokumentacionin dhe kush i dërgoi ato në zyrat e organizatës.

“Zotëri Holing(prokuror), nëse jeni i sinqertë e pranoni që eprori juaj Whiting pak më parë tha një gënjeshtër të madhe, që nuk ka pikëpyetje, këtu ka shumë pikëpyetje e disa pika habitore. Ne duam patjetër të zbardhet këtu sepse kur të zbardhen ne personalisht nuk na lidhë asgjë me kryesit e kësaj vepre, andaj ne duhet të lirohemi tërësisht nga aktakuza dhe prokurori të kërkojë falje për sjelljet abuzive, poshtëruese, të pamoralshme dhe të pajustifikuara në baza juridike e njerëzore”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë fjalimit të tij, Haradinaj ka drejtuar kritika, sipas tij, për punë joprofesionale të prokurorisë si dhe për njëanshmëri të trupit gjykues.

“Fuqishëm besoj se ne kemi kryer detyrën më të devotshme si qytetar të Kosovës, në aspektin e interesit publik, por edhe të atij ndërkombëtar ku duke sinjalizuar për rrjedhjet e pakuptimta nga kjo prokuroi e ku pos mediave ne kemi informuar edhe zyrat e ZPS-së dhe hetuesit e tyre në Kosovë duke e ruajtur edhe një kopje për ta, ZPS i dha vetës afat 24 orësh për të marrë atë material sepse nuk u ngutej t’i merrnim më herët”, ka thënë ai.

Procesin gjyqësor ndaj tyre ai e ka vlerësuar si shembullin tipik të një prokurorie politike dhe fyese.

“Ky proces si i tillë do të jetë shembulli më tipik i një prokurorie politike dhe fyes për vet drejtësinë në këtë shekull të ri por edhe një shembull tipik se si nuk duhet të bëhet drejtësia. Të nderuar trupë apeli, po e them hipotetikisht se ne nuk do e lajmëronim se çfarë na ka ardhur apo fare nuk do të merreshim me të thjesht do të zhduknim atë material, cila do të ishte dobia e asaj, a do të ndryshonin rrjedhën gënjeshtrat strategjike të Millosheviqit, pra kjo kishte me i shku për shtati pikërisht atyre dhe këtyre që nuk po duan ta zbardhin rastin. Pra ne ishim në pozicionin para aktit të kryer”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se gjatë gjithë këtij procesi ka parë tendencën nga prokuroria për të ikur nga përgjegjësia dhe sipas tij të fsheh gabimet dhe mungesat e profesionalizmit të tyre.

Sipas Haradinajt, trupi gjykues që shqiptoi dënimin ndaj tij dhe Gucatit, ishte palë me prokurorinë.

“Ai trup gjykues haptazi ishte palë me prokurorinë dhe gatuante brumin për një vendim të tillë arbitrar, vërehej qëllimi që ishte apriori të dënohemi ne. Pasi që ishte thënë qysh herët, fill pas arrestimit tonë, pra në një konferencë ambasadorësh është thënë se jemi fajtor, atëherë trupi gjykues ka qenë i detyruar që dënimin ta bëjë fakt të kryer sepse për hesapet e ZPS-së është dashur një vendim i tillë. Prandaj jam i bindur që ky proces është kryer sipas porosisë duke pasur forcën e njëanshmërisë dhe të drejtën e mosdhënies llogari askujt”, ka thënë ai.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK ka thënë se ky proces duhet të përfundojë me zbardhjen e së vërtetës që sipas tij është zbulimi se si rrodhën dokumentet dhe u dërguan në zyrat e organizatës.

“Unë jetën time këso gjykimesh të porositura i kam përjetuar në vitet e ’80 në ish Jugosllavinë komuniste. Unë jam treguar shumë i sinqertë dhe asnjëherë nuk e kam fshehur mendimin tim, për këtë lloj prokurorie, dhe kjo është e drejtë e imja qoftë edhe nëse mund të jetë ndonjë paragjykim pro po ua them sinqerisht se të gjitha ato që kam menduar për këtë prokuroi deri në ditën e arrestimit e duka ja shtuar atë që kam thënë edhe gjatë proceseve gjyqësore, me veprimet që kjo prokurori i ka bërë dhe po vazhdon t’i bëjë gjatë kësaj kohe sa jam këtu arriti që të mi vërtetoj pikë për pikë ato që kam thënë për të”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë ka përfunduar seanca përmes së cilës ish-krerët e OVL-UÇK kanë apeluar aktgjykimin fajësues të shqiptuar në maj të këtij viti ku u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Ata kanë kërkuar lirim nga të gjitha akuzat apo ulje të dënimit.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar për pengim të personave zyrtarë nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Në fund të seancës, kryetarja e Panelit të Apelit ka thënë se vendimi do të jepet në kohën e duhur. (Kosovapress)

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …