Nasim Haradinaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje publike që qytetarët e Kosovës në muajt në vijim ta përqendrojnë vëmendjen te Gjykata Speciale. Sipas tij, në një kohë kur institucionet dhe përfaqësuesit politikë janë të zënë me luftëra të brendshme dhe bllokadë në Kuvend, është e domosdoshme që vetë qytetarët të ushtrojnë presion për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Meqë ata që e kanë detyrim ligjor janë të zënë me luftëra politike, i lus krejt qytetarët e Kosovës që në muajt e ardhshëm krejt fokusin ta kenë te Gjykata Speciale, u shpreh Haradinaj. Ai theksoi se presioni qytetar është i domosdoshëm për të siguruar një përfundim të shpejtë, korrekt dhe të drejtë të procesit që po zhvillohet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë.
