leoni

Nasip Kaçi: Eqrem Çabej, figurë e shquar e gjuhës shqipe dhe gjuhësisë së re shqiptare

Eqrem Çabej është figurë e shquar e gjuhës, shkencës, arësimit dhe  kulturës  sonë  kombëtare,  krenaria e albanologjisë  shqiptare.  Ai ishte  anëtar  themelues i Akademisë  së  Shkencave të Shqipërisë dhe  i Presidiumit  të saj, Mësues i Popullit.  Lindi më 6 gusht  1908 në qytetin Eskishehir të Turqisë, ku i ati i tij punonte  Kadi (Gjykatës), i diplomuar në Stanboll për Drejtësi.  Me kthimin e familjes në Shqipëri, në Gjirokastër, ku kaloi fëmijërinë, Eqremi  i vogël  mbaroi  shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Në gjirin e familjes dhe në rrethin e bashkëqytetarëve të tij, të njohur për dashurinë e madhe për atdhe dhe për arsim, u mbrujt edhe karakteri i tij. Pas mbarimit të shkollës qytetëse, ai fitoi të drejtën e një burse, të dhënë nga prefektura e atëhershme e Gjirokastrës, për të vazhduar studimet e mesme dhe të larta jashtë shtetit. Dhe kështu ai nisi rrugën e mërgimit në kërkim të diturisë.

 

         Për  të  vazhduar studimet Eqrem Çabej, djalosh i ri,  u dërgua në Austri  dhe para se të hynte në universitet , i duhej të mësonte gjermanishten, prandaj qëndroi një vit  pranë familjes  Rainmyler. Në vitin akademik 1927-1928, Çabej, njëzet vjeçar, u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, ku ndoqi studimet për dy semestra.  Pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës, në degën e Gjuhësisë, ku punonte ndër të tjerë indoevropianisti P. Kreçmer, albanologu i dëgjuar Norbert Jokli  e të tjerë. Më shumë lidhje si gjatë kohës së studimeve universitare ashtu dhe pas mbarimit të tyre Çabej pati me Norbert Joklin, i cili mbeti albanologu më prodhimtar, ai  ishte njëkohësisht mik i Shqipërisë, që i përqendroi  po thuaj të gjitha energjitë e tij në hulumtime dhe studime kushtuar gjuhës shqipe dhe historisë së saj. Nga veprat e tij duhen përmendur sidomos : “ Ndihmesa për gramatikën shqipe (1912), “ Hulumtime gjuhësore-kulturore-historike nga fusha e shqipes “ (1923) etj. N. Jokli, duke çmuar talentin e studentit të ri shqiptar e mbajti afër  dhe e ndihmoi Çabejn e ri në studimin e thelluar shkencor të gjuhës shqipe. 

       Ende student, Çabej mbrojti disertacionin me temën “Studime italo-shqiptare”, 145 faqe,  materialet e të cilit i mblodhi  te arbëreshët e Siçilisë në vitin 1932. Më 7 tetor 1933 para prof. dr. Paul Kreçmerit, prof.dr. Norbert Joklit dhe prof.dr. Karl Paçit, Çabej mbrojti disertacionin dhe meritoi diplomën  me gradën Doktor, me vlerësimin Shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet ) nga Universiteti i Vjenës, e nënshkruar nga tre profesorët e lartpërmendur. Ky vlerësim nga tre profesorët e shquar të Universitetit të Vjenës ishte një dëshmi e qartë  e punës së këtij të riu të talentuar. Vlen të nënvizojmë se ai, që në vitet e para të universitetit, krahas punës së madhe si student , ka bërë edhe një punë të lavdërueshme kërkimore në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë, por mjerisht kjo punë ka mbetur e panjohur  mirë. Kryerja me sukses e studimeve të larta i nxiti autoritetet drejtuese të Universitetit të Vjenës që t’i propozonin të diplomuarit E. Çabej të qëndronte në atë universitet si asistent pranë Norbert Joklit, por një propozim i tillë nuk e joshi,  ai u kthye në Shyqipëri me dëshirën e zjarrtë për t’i vënë  dituritë dhe energjitë e tij në shërbim të atdheut. E emëruan në gjimnazin e Shkodrës ku dha letërsi, gjuhë shqipe dhe folklor. Në vitin shkollor 1935-1936 u transferua në Shkollën Normale të Elbasanit, ku punoi një vit, e transferuan në Ministrinë e Arsimit për t’u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm, pas pak kohe emërohet profesor i letërsisë në Liceun e Tiranës, por përfundoi në Shkollën e Plotësimit Ushtarak !!! Duke qënë se vuante nga një sëmundje mushkrish, ai kërkoi të lirohej nga një detyrë e tillë, që i solli jo pak kokëçarje. Këshilli i Ministrave të asaj kohe vendosi që Çabej të transferohej profesor në Gjirokastër.

        Gjatë viteve 1938-1939 e gjejmë pedagog në Gjirokastër, ku ish-nxënësit e tij Koço Mosko, Nasho Nathanaili, Niko Avrami etj,  e kujtojnë me nderim : “… na kënaqte  me shpjegimet e tij për letërsinë arbëreshe, na  këshillonte që në hartime të shkruajmë  shkurt e qartë dhe  në  40 nxënës që kishte klasa jonë lavdëronte Themo Vasin për hartimet e mira që bënte”. Ata  shkruajnë me nostalgji për mësuesin e tyre të dashur dhe fisnik Eqrem Çabej, për ndjenjat e tij patriotike. Në kujtimet e tij për  mësuesin e tyre Eqrem Çabej ja se çfarë shkruan  Nasho Nathanaili :” Ishte 12 ose 13 prilli i 1939-ës, pas pushtimit të atdheut tonë nga okupatorët fashistë italianë. Ai (profesor Çabej) erdhi në  mësim jo si herët e tjera i çelur e buzagaz, por i  vrejtur e i mërzitur. U ul në katedrën e tij dhe pasi na vërejti  të gjithëve me kujdes, na u drejtua me keto fjalë : 

“Nxënësit e mi!… Unë me ju zhvilloj dy lëndë, filizofi dhe gjuhë shqipe. Të parën, po të doni , ma mësoni, po të doni mos ma mësoni, unë do t’iu jap një notë kaluese. Por përsa i përket gjuhës shqipe, unë nuk iu lëshoj asnjë fije, sepse për të tani janë krijuar kondita të tjera, fillon periudha e luftës për eliminimin e saj. Unë jua them këtë si mësuesi juaj, si prindi juaj. Kush të dojë, le të vejë në karabinieri dhe le të informojë për këtë këshillë që iu dha mësuesi juaj “. Dhe autori i shënimit shton se midis një heshtjeje prej varri, që u krijua në ato çaste, u ngrit nxënësi Niko Avrami ( i cili ra dëshmor në Luftën  Nacionalçlirimtare) dhe tha : “ Midis nesh, profesor,  nuk ka të tillë njerëz, mos ki frikë. Të gjithë jemi me mendimin dhe kërkesën tuaj”. 

       Në vitin shkollor 1939-1940 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës drejtor shkolle. Autoritetet  pushtuese shpresonin ta bënin për vete këtë profesor me kulturë, që kish fituar emër të mirë me studimet dhe botimet e tij. Por u gabuan, ai nuk bëhej vegël e tyre.  Në një shkresë që Federata e Fashios  së Tiranës i dërgonte Drejtorisë Qendrore  të Partisë Fashiste Shqiptare më 29.7.1940, për Çabejn  thuhej : “ Eqrem Çabej deri më sot nuk ka treguar asnjë shënjë afrimi me politikën fashiste, prandaj duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masa për ta shkarkuar nga detyra që kryen tashti”  

        Veprimtaria  gjysmëshekullore  shkencore e  Çabejt të madh mund të ndahet në dy faza kryesore, e para  vazhdon deri në prag të Çlirimit të Shqipërisë dhe e dyta  nis  pas vitit 1945.  Në fazën e parë ai është marrë  edhe me studime thjesht shkencore edhe me botime  të nevojshme për shkollën e mesme. Në prodhimtarinë e tij të kësaj faze bie në sy një interesim i madh jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin e letërsinë artistike me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë. Nga studimet thjesht gjuhësore të asaj periudhe mund të përmendim:  Tekste italo-shqiptare (1935), Elemente dialektore nga Italia (1936), Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes (1936), Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike (1936 ), Atlasi gjuhësor shqiptar ( 1943 ). 

       Nga fusha e folklorit dhe letërsisë mund të përmendim ndër të tjera: Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare (1934), Zakone dhe doke të shqiptarëve (1936), Konstandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut (1937 ), Për gjenezën e literaturës  shqipe (1937 dhe 1959), Kulti dhe vijimi  i hyjneshës Diana në Ballkan (1941 ). Nga studimet me karakter të përzier gjuhësor, letrar dhe folklorik duhen përmendur sidomos: Studime italo-shqiptare dhe teksti për shkollat e mesme, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Në këtë tekst jepen disa njohuri të përmbledhura mbi gjuhën, mbi gjuhët e botës, mbi gjuhët indoevropiane dhe mbi gjuhën shqipe. Për gjuhën shqipe jepen njohuri për përhapjen e saj, për dialektet dhe ndryshimet midis tyre, për gjuhën e përbashkët, për burimin e shqipes dhe për emrin e shqiptarëve. Në pjesën e dytë jepen njohuri të përmbledhura për shkrimtarët  e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë. Këtu përfshihen Dokumentet e para, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Matrënga, Variboba, De Rada, Dara, Serembe etj., etj., si edhe për poezinë popullore shqiptare dhe arbëreshe, si edhe nga poezia popullore e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë dhe nga Shqipëria. Çabej ka bashkëpunuar në mjaft vepra kolektive dhe në redaksitë e revistave shkencore, në komisionet përgatitore të konferencave dhe sesioneve shkencore të organizuara nga Instituti i Gjuhesisë dhe i Letërsisë, si edhe në komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972.

       Veprimtaria shkencore e Çabejt mori një zhvillim shumë të madh  në fazën e dytë,   d.m.th.  pas Çlirimit, kur ai punoi  pranë  ish- Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të  Gjuhësisë  dhe të Letërsisë dhe njëkohësisht  edhe si pedagog i jashtëm në shkollat e larta, ku ai zhvilloi me studentët për shumë vjet lëndët  linguistikë  dhe  albanologji, ndërsa në Fakultetin Histori-Filologji jepte Gramatikën Historike, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe  dhe Fonetikën  historike të shqipes, si dhe hartoi, përgatiti  dhe bëri  tekstet përkatëse me 150 faqe secili,  që janë ende në përdorim, të ribotuara disa herë në universitetet e Tiranës dhe Prishtinës.

        Pas vitit 1945 Çabej iu përkushtua më fort gjuhësisë dhe veprimtaria e tij shkencore në këtë fushë ka qënë më e frytshme dhe më e rëndësishme se në fushat e tjera. Në këtë fazë Çabej anoi më shumë në gjuhësi, çështjeve  të rëndësishme të gjuhës shqipe që kërkonin zgjidhje sa më të argumentuara dhe që do të ndihmonin për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve gjuhësore.  Krahas thellimit të mëtejshëm të studimit sinkronik të shqipes, fillon në Shqipëri edhe studimi diakronik i kësaj gjuhe, është fjala sidomos për studime në rafshin historik, ku më parë fjalën e thoshin po thuaj vetëm studiuesit e huaj. Njeriu më i përshtatshëm në fushën e gjerë të studimit diakronik të shqipes ishte Çabej, i cili kishte mbështetjen e kolegëve të tij më të moshuar si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Çipo, Mahir Domi.  Vendosmëria e Çabejt për t’iu përkushtuar studimit diakronik të shqipes duhet të jetë nxitur edhe nga dëshira e tij për të ndriçuar më tej disa probleme të historisë së kësaj gjuhe të lashtë të Ballkanit, në një kohë  kur studimet albanologjike jashtë Shqipërisë po pësonin një rënie të dukshme. Norbert Jokli, albanologu më prodhimtar i viteve njëzet e tridhjet të këtij shekulli, u zhduk në mënyrë tragjike nga nazistët gjermanë në vitin 1942. H. Pedersen, tashmë i plakur, nuk merrej më prej kohësh me gjuhën shqipe. Disa studiues të tjerë të shqipes në vende të tjera të Evropës, nuk kishin as kushtet e nevojshme, as përgatitjen e duhur për të ndërmarrë studime të gjera nga fusha e historisë së gjuhës shqipe. Kjo zbrazëti e krijuar në këtë fushë studimesh  duhej mbushur dhe vendi ku mund të bëheshin përpjekje të suksesshme , ishte Shqipëria e porsa çliruar, e cila me gjithë hallet dhe problemet e mëdha që i la lufta, u tregua e gatshme për ta përballuar edhe këtë ndërmarrje të vështirë. Në këtë mënyrë, krahas thellimit të mëtejshëm të studimit  sinkronik të shqipes, filloi në Shqipëri  edhe  studimi  diakronik  i saj, i cili mori një hov të dukshëm  gjatë këtyre dyzet e pesë vjetëve të fundit sidomos me punën e palodhur dhe të frytshme të  Eqrem Çabejt  dhe të disa gjuhëtarëve të tjerë, që ecën në gjurmët e tij. Studimet diakronike  të shqipes gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit  nuk janë konceptuar të shkëputura  nga problemet e studimit sinkronik të saj. 

       Me interes është edhe rruga e metoda e ndjekur nga profesor Çabej në studimet  e tij diakronike. Si në studimet  etimologjike, ashtu dhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë historike, ai është mbështetur në parimin që, duke u nisur  nga faza e dokumentuar e shqipes dhe duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të hershme të saj. Pra, baza e metodës së tij hulumtuese është krahasimi i brendshëm, duke u nisur nga e njohura për të zbuluar të panjohurën. Për t’ia arritur sa më mirë këtij qëllimi, ai është mbështetur edhe në krahasimin me gjuhët e tjera indoevropiane, por krahasimin e jashtëm ai e ka shfrytëzuar si një mjet plotësues. 

       Një tjetër veçori e metodës së tij hulumtuese, sidomos në studimet etimologjike, ka qënë zbatimi me sukses i parimit të shkollës “Fjalët dhe sendet”, e themeluar në fillim të shekullit të njëzetë nga R.Meringer  dhe H. Shuhard. Sipas kësaj shkolle gjuhësore, duhen pasur parasysh lidhjet e ndërsjellta midis sendeve dhe fjalëve përkatëse, që ishte zbatuar edhe nga mësuesi i tij i shquar N. Jokli. Zbatimi i kësaj metode shkencore në mënyrë krijuese i dha mundësi profesor Çabejt që të mënjanojë disa nga gabimet, ku kishin rënë ca studiues të mëparshëm të gjuhës shqipe. 

       Interesat  e profesor Çabejt në fushën e historisë së gjuhës shqipe  kanë qënë të shumanshme, por ndihmesa më të rëndësishme ai ka dhënë sidomos në fushën e etimilogjisë, të fonetikës historike, të gramatikës historike e të dialektologjisë si dhe për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe. Atij i takon merita qe iu përvesh një pune të madhe shumëvjeçare për vjeljen sistematike të fjalëve dhe shprehjeve të gjuhës shqipe jo vetëm nga fjalorët e kësaj gjuhe por dhe nga burime të drejtpërdrejta, siç janë ndër të tjera veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, botimet me materiale dialektore nga arbëreshët e Greqisë, të Italisë dhe të ngulimmeve të vjetra shqiptare jashtë Atdheut, si dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. 

       Një tjetër temë që ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e ketij studiuesi gjenial ka qënë ajo e prejardhjes së gjuhës shqipe, së cilës i është kthyer disa herë me plotësime argumentesh. Për dijetarët e mëparshëm prejardhja e shqipes nga ilirishtja ishte një gjë e vetëkuptueshme, mirëpo qysh nga fundi i shekullit të kaluar e sidomos gjatë shekullit tonë disa gjuhëtarë e kanë kundërshtuar këtë mendim dhe kanë mbrojtur hipotezat, sipas të cilave shqipja është bijë e trakishtes, apo e së ashtuquajturës dakomizishte etj. Profesor Çabej në artikujt dhe kumtesat e tij me argumente gjuhësore, historike- gjeografike etj. i ka kundërshtuar ato hipoteza dhe ka mbrojtur  tezën  e burimit ilir të shqipes. Kjo tezë ka gjetur tashmë përkrahje në një numër gjithnjë e më të madh studiuesish të huaj.

       Por duhet thënë se kryet e vendit  në prodhimtarinë shkencore të profesor Eqrem Çabejt  e zënë “ Studimet etimologjike në fushë të shqipes,  që Kadarea i ka cilësuar  kurora e veprës së tij  shkencore të cilave ai arriti  t’u jepte formën përfundimtare dhe t’i botonte në revistën : Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, nga nr. 4 – 1964, si dhe janë ribotuar në Prishtinë në vëllimin 1 dhe 2 në vitin 1967, në Studime Gjuhësore.

        Ndihmesë të rëndësishme ka dhënë ky studiues i shquar edhe në fushën e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes. Nga fonetika historike ai në tekstin për shkollat e larta, (i ribotuar disa herë në Tiranë në formë dispense dhe i ribotuar si libër në Prishtinë më 1970)  dhe në studime  e artikuj të ndryshëm, të  botuar brenda dhe jashtë vendit, ka trajtuar çështje të rëndësishme të evolucionit të sistemit fonetik të gjuhës shqipe. 

       Profesor Çabej është marrë edhe me disa çështje të rëndësishme nga fusha e gramatikës historike të shqipes, siç janë: shumësi i singularizuar  në gjuhën shqipe, Problemi i nyjave të shqipes, Çështja e gjinisë asnjanëse etj.  Vëmendje të posaçme ai i kushtoi hulumtimit dhe studimit të dialekteve të shqipes. 

       Veprimtaria shkencore e tij ka  pasur jehonë të madhe në Kosovë, ku përveç  artikujve   të shumtë të ribotuar nëpër revista të ndryshme, është bërë një punë e mirë edhe me ribotimin e të gjitha shkrimeve të tij në disa vëllime. Deri sot janë botuar shtatë vëllime me titullin “Studime gjuhësore”. 

       Veprat dhe artikujt shkencorë të Çabejt janë botuar në vende të ndryshme të botës, që  dëshmon për interesimin e madh, që ka ngjallur veprimtaria shkencore e këtij gjuhëtari të shquar  edhe jashtë Shqipërisë si në  Austri,Gjermani, Rumani, Itali, Francë, Poloni etj.

      Për interesimin e madh që ka ngjallur në botën e jashtme vepra shkencore e tij, dëshmon edhe letërkëmbimi shumë i gjerë që ka pasur ai me një numër të madh gjuhëtarësh të huaj, nga të cilët mjafton të përmendim disa nga më të shquarit si: H.Pedersen, Paul Kreçmer, Norbert Jokli, Karl Paç, Maksimiljan Lamberc, Aleksandër Graur, Aleksandër Roseti, Vladimir Georgev, Vaclav Cimohovski, Haralambie  Mihëjesku, eti.,etj. 

Vitet e fëmijërisë që kaloi në Gjirokastër, lanë mbresa të pashlyeshme në vetëdijen e shkencëtarit të ardhshëm, i cili edhe në moshë të thyer, i kujtonte gjithnjë me mall ato vite. Në kujtimet e vitit 1967, të  nipit të tij Dragush Çabej, thuhet : “ Kishte shumë mall për Gjirokastrën. Shkonte me shumë dëshirë kur gjente kohë. Në prill të 1967-ës e prita sa erdhi. Zbriti te Sheshi i Çerçizit. Ishte vonë kur mbëriti. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij.Pastaj, si e brodhi me sy të gjithë qytetin, u kthye nga unë dhe më tha : “ Dua të rri pak vetëm, se kështu më duket sikur bisedoj me Gjirokastrën dhe çmallem me të. Ika këndej fëmijë fare, njëmbëdhjetë vjeç pa bërë”.Pas një çopë here  morëm Qafën e Pazarit. Ai, i heshtur gjithmonë, duke kaluar nëpër kalldrëmet,tani zuri të fliste e të fliste për bukuritë e Gjirokastrës. Qëndroi para shtëpisë së tij  “ Këtu u vra bimbashi turk.  Këtu përballë ka qënë fura e Kolës. Paskan ndërtuar një shtëpi të re në vend të furrës. Bahçeja jonë. Këtu me Fejziun, Tahsimin Feritin e të tjerë luanim me cingla, dollapet, top-gropën…Shtatë kronjet. Këtu, me vëllanë merrnim gjymat dhe mbushnim ujë. Hani i Stavros. Këtu vinin e bujtnin më shumë fshatarë nga Labëria. Hani i Zagories. Këtu bujtnin nga Zagoria, Sopiku…Ja libraria e Nimet Karagjozit.  Këtu nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrangës, Samiut, Naimit,  letërsi  klasike frënge…” Desha t’i thosha ndonjë fjalë tjetër, po, kur  vura re se as po më shikonte fare, e kuptova  që donte të bisedonte me veten dhe nuk fola. Mos e nga,  Dragush, i thashë vetes, ka mall e nuk do trazuar”.

        Studimet e larta filologjike, siç e thamë më lartë, i bëri në Austri, ku dhe u specializua për gjuhësi  krahasuese  indoeuropiane.  Për afër  një  gjysmë shekulli  punoi sistematikisht  për shkollën e studimet  shqiptare, duke  i dhënë ndihmesa të rëndësishme  veçanërisht arsimit të lartë dhe gjuhësisë shqiptare.Veprimtaria  e tij kërkimore  me kohën  mori përmasa të gjera  dhe u ngrit në një shkallë të lartë. Në vitin 1946 profesor Çabej  dha  mësim në Institutin e  Lartë Pedagogjik,  më pas  në  në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë  dhe në  Fakultetin e Histori-Filologjisë. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore, ishte  bashkautor në një varg veprash kolektive. Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qënë historia e gjuhës e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj. Vendin qendror  e zënë  studimet etimologjike dhe leksikologjike  historike, por mjaft peshë kanë  edhe fonetika e gramatika historike e shqipes, historia e përgjithshme e shqipes  me problemet e prejardhjes së saj, të marrëdhënieve me gjuhët motra indoevropiane, me gjuhët ballkanike  e me gjuhë të tjera, po ashtu edhe gjuha e autorëve të vjetër  e botimi filologjik i veprave të tyre. Ndihmesa me rëndësi ka dhënë profesor Çabej  edhe për dialektologjinë e onomastikën, si edhe për kodifikimin e gjuhës letrare. Ndër veprat më kryesore të tij janë : Studime  etimologjike  në fushë të shqipes : 1-2-3,  Hyrja në historinë e gjuhës shqipe (1947, 1958), Fonetika  historike e shqipes (1958), botimi kritik i veprës “ Meshari “  i Gjon  Buzukut,(1958), bashkë me Aleksandër Xhuvanin hartoi dy trajtesat “Parashtesat”  dhe “ Prapashtesat” e gjuhës shqipe” (1956, 1962). Profesor Çabej është bashkautor i “Fjalorit të gjuhës shqipe” ( 1954), po ashtu ndër  hartuesit e udhëzuesve drejtshkrimorë,që u punuan pas Çlirimit deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” (1973). Mori pjesë gjallërisht në përpunimin e terminologjive të shumë degëve të shkencës e teknikës. I ndrituri Çabej argumentoi në mënyrë bindëse prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare.  Profesor Eqrem Çabej, si përfaqësues i shquar i gjuhësisë shqiptare, u njoh si autoritet shkencor edhe në rafshin ndërkombëtar dhe u çmua  lart për meritat e tij veçanërisht në gjuhësi dhe albanologji.   

       Poeti dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare për Eqrem Çabejn shkruan si më poshtë : “ Jeta dhe vepra e Çabejt  është një ngjitje në ngrehinën e madhe të universit të gjuhëve, që është një lartësi e vështirë e shkencës dhe një bastion i vërtetë i  qytetërimit shqiptar. Kam patur fatin ta njoh e ta takoj shumë herë Eqrem Çabejn. Më shumë se i njëjti qytet ku kishim lindur, na bashkonte  mbarë gjuha shqipe, ajo që flitej nga jugu në veri, e përtej kufijve e përtej detit e përtej oqeanit Atlantik. Njohja me të më  erdhi  nëpërmjet një drejtimi të lumtur : poezisë. Ai u mor tërë jetën me një nga përmasat më të gjera, më madhështore e më misterioze të jetës sonë:  gjuhën. Ai punoi tërë jetën me mund prej titani për gjuhën tonë shqipe, atë gjuhë që e mbajti gjallë unitetin e kombit  e  u mbajt edhe vetë  gjallë prej tij. Të lidhura kështu me këtë materie të pavdekshme, emri dhe vdekja e Eqrem Çabejt e kanë të natyrshme, si një cilësi të racës, pavdekësinë.”

       Ky dijetar  i shquar  më 17 gusht 1980 u përcoll për në banesën e përjetshme,   në dheun mëmë që aq shumë e donte nga përfaqësuesit më të lartë të Partisë, të shtetit dhe të shkencës e kulturës shqiptare. Me vdekjen e tij shkenca dhe kultura shqiptare humbën një nga përfaqësuesit e tyre  më të talentuar dhe më prodhimtarë.  Në ceremoninë e varrimit të tij, Profesor Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë tha: “Vepra e Eqrem Çabejt  nuk ka të vdekur, ajo do të mbetet kurdoherë si një shembull, si një thesar i vyer  në duart e studiuesve, të shkencëtarëve të sotëm e të ardhshëm të vendit tonë.” 

                                                                              

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …