Nasuf Çerkin Gashani (30.10.1951- 30.4.1999)

Nasuf Çerkin Gashani (30.10.1951- 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i Drenasit ka një histori të lavdishme të rezistencës kundër pushtuesve të ndryshëm. Përveç pjesëmarrjes masive në kryengritjet shqiptare për çlirim nga robëria turke, trimat e këtij fshati kanë luftuar edhe përkrah Azem Galicës, përkrah komandantit të Drenicës, Shaban Palluzha, në vitin 1945 dhe në luftën e fundit të UÇK-së përkrah luftëtarëve të komandantit, Adem Jashari.

Historia e martirizimeve e masakrave të shqiptarëve  nga pushtuesit serbë, si në shumë familje të Drenicës e të mbarë Kosovës, ishte përsëritur edhe në familjet Gashani dhe Tiku të fshatit Terstenik dhe Verbovc të Drenasit. Këtyre familjeve, në vitin 1945, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, çetnikët serbë ia kishin vrarë disa burra, si bashkë kryengritës të Shaban Polluzhës. Këtij cikli historik të vrasjeve i dha fund lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe gjaku i pastër i luftëtarëve e luftëtareve të kësaj ushtrie, në mesin e të cilëve edhe i stërnipërve të familjes Gashani Nasuf e Tahir Gashani, dhe familjes Tiku Besim e Naim Tiku.

Nasuf Gashani u lind më  30 shtator të vitit 1951, në fshatin Qëndresë (ish-Terstenik) të komunës së Drenasit nga prindërit Çerkin e Emine Gashani.

Arsimin fillor e kishte kryer në shkollën fillore në Terstenik, tetëvjeçaren në shkollën “Zenel Hajdini” të Drenasit, kurse të mesëm, në  Gjimnazin e Drenasit. Ndërsa shkollimin e lartë, drejtimin e Metalurgjisë në fabrikën e Feronikelit në Drenas, ku pastaj edhe ka punuar për një kohë.

Ndërkohë ai ishte martuar me Azeminen, të cilëve u lindën tetë bijë e bija: Sokoli, Tahiri, Bajrami, Xhylferija, Lumnija, Lendita, Afërdita dhe  Alberina, të cilët sot jetojnë me krenari për babanë e tyre dëshmor.

Nasufi ka qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, po ashtu ishte përkrahës i protestave të minatorëve në vitin 1989.

Kontaktet e para me Lëvizjen e fshehtë atdhetare  i ka pasur qysh në vitin 1981, duke kontribuar dhe duke iu bërë krahë lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare i ka vendosur qysh në vitin 1996, ndërsa është bërë pjesëtar në vitin 1997. Fillimisht në pranverë të vitit 1998 ishte vendosur pikën e parë të luftës, në Gryken e Llapushnikut. Së bashku me pjesëtarë të tjerë të luftës ka marrë pjesë në stërvitjet që bëheshin në Shkollën për stërvitje  Ushtarake, në Gradicë.

Ishte inkuadruar në brigadën 114 Fehmi Lladrovci, të Zonës Operative të Drenicës nën Komandën e luftëtarët të lirisë,  komandantit, Ilaz Kodra. Bashkëluftëtaret e tij ishin: Nazmi Istogu, Skënder Prokshi, Alush Cakaj, Hazir Balaj  e luftëtarë të tjerë, nga Zona e Drenicës

Përveç në betejën e Grykës së Llapushnikut, në verë të vitit 1998 ka marrë pjesë edhe në luftimet e zhvilluara kundër forcave ushtarake e policore serbe në Bardh të Madh pastaj  në vijën e frontit të Marinë, në Rezallë dhe në vend-luftime të tjera.

Në fund të prillit të vitit 1999, kur forcat ushtarake e policore serbe kishin depërtuar te popullata civile në Vërboc, shumë luftëtarë të lirisë kishin bërë përpjekje që ta shpëtonin popullatën nga masakrimi dhe barbaria serbe. Në mesin e tyre ishte edhe Nasuf Gashani.

Më 30 prill kur forcat serbe kishin depërtuar nëpër fshatra, luftëtari i lirisë, Nasuf Gashani ka rënë dëshmorë në fshatin Kodër, ish-Shtutice. Në mbrojtje të popullatës civile, ka rënë trimërisht bashkë me nipin  e tij,  Fatmir Isuf Gashani dhe  me kushëririn,  Hajrullah Gashani.

Bashkëluftëtarët e tyre, trupat e Nasufit, Isufit dhe Hajrullahut, fillimisht  i kanë  varrosur në fshatin Shtutice, Ndërsa tre muaj më vonë, në korrik të vitit 1999   janë ri varrosur në Kodrën e Trimave, në Polac. Në vitin 2018 me datë 22 qershor të vitit 2018  trupat e Nasuf Isuf dhe Hajrullah Gashanit është  ri varrosur në Memorialin e dëshmoreve në fshatin  Morinë të Drenicës.

Nasufi, në radhët e UÇK-së kishte edhe djalin e tij,  Tahirin i cili po ashtu ka rënë dëshmor,  ndërsa martir të luftës  kishte edhe nipin e tij,  Fatmirin.

Përmendoren  për dëshmorin e kombit, Nasuf Çerkin Gashani, në fshatin Terstenik, e kanë ngritur  familjaret  e tij.

Është graduar me shumë mirënjohje e shumë dekorata pas rënies. Është graduar “ Hero i Kombit” me urdhrin e kryetarit të Kosovës Hashim Thaci .

Janë botuar për të shkrime e poezi janë kënduar po ashtu edhe shumë këngë.

Martiri,  Fatmir Gashani, nipi i Nasufit,  është i lindur në fshatin Qëndresë (ish-Terstenik) të komunës së Drenasit nga prindërit Isuf e Fatime Gashani. Arsimin fillor e kishte kryer në fshatin Qëndresë të Drenasit, kurse  Shkollën Teknike “Leonik Tomeu” dega e Makinerisë e ka kryer  në Drenas. Për shkak të luftës e ndërpreu shkollimin në përfundim të maturës, në moshën 17 vjeçare. Ishte një djalë i urtë i sjellshëm dhe shtatë lartë. Ai  iu nda axhës së tij, Nasufit deri në rënien e tij, kur edhe ishte martirizuar.

Ndërkohë Fatmiri, i cili ishte ndarë dhunshëm nga jeta në kohën e rinisë ka lënë  një portret dhe kujtimet e tij. Ai ka lënë pas prindërit: Isufin dhe Shehiden, vëllezërit: Ilirin dhe Arianitin, motrat: Mirlindën, Edonën, Jehonën  dhe Eminen,  e lindur pas luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …