Naum Veqilharxhi (1767 – 1846)

Naum Veqilharxhi ishte ideologu i parë i periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. Shqiptari i parë sipas dokumenteve personale zyrtare në Rumani.

Ai u lind në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës, më datën 6 dhjetor 1767. Kjo zonë gjendet shumë pranë qendrës mesjetare të kulturës në Voskopojë. Bijat e tij quheshin Saranda, Miranda dhe Luljeta.

Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion për t u vendosur me familje në  njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).

Por që në rini, Naumi, i frymëzuar  nga idetë atdhetare arriti të bëhej njëri nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me  Ipsilantin e njohur të kohës. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit.

Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve zyrtare  rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçar për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me alfabetin grek dhe arab.

Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.

Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita”në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.

Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi. Sot mund të themi që këto dy shtete, Shqipëria dhe Rumania, nuk ia lanë harresës, njeriun që bëri urën e miqësisë mes tyre. Ata i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Për shembull shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është kthyer në muze dhe ajo ruhet me shumë përkushtim nga shteti rumun. Ndërsa shteti shqiptar dhe akademikët e tij konsiderojnë se Naum Veqilharxhi është figura më e spikatur e diasporës shqiptare për sa i përket gjysmës së parë të shekullit të XIX.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, Ëvetarin. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më 1845 me titullin Fare i ri ëvetar shqip, të shoqëruar me një E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi të vet, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare.

Parathënia e abetares, qarkorja dhe letra e vitit 1846 janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Në to formulohen kërkesat kulturore të lëvizjes. Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara. Pa çlirimin kulturor nuk mund të arrihej as çlirimi politik. Duke u nisur nga pikëpamjet racionaliste, i shihte shqiptarët si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. U bëri thirrje shqiptarëve të hapin sytë, duke kërkuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Kishte besim te aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkollave të huaja dhe punoi për një shkollë shqipe, me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. Dha ndihmesë e shfaqi mendime të reja edhe për lëvrimin e gjuhës. U mbështet te gjuha e popullit, përdori fjalë të vjetra e të rralla dhe u shpreh për pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq edhe të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar. Vdiq në vitin 1846, në vitin kur kishte lindur Naim Frashëri.

Nga punimet e tij, tekstet që na kanë mbërritur neve sot janë Evëtari (Abetarja), e botuar në vitin 1844 dhe ribotuar në vitin 1845, kësaj radhe shoqëruar me një parathënie të titulluar E parathënme mbi djelmt e rij shqiptarë, një letër në greqisht drejtuar të nipit, Jani Calit, dhe një letër qarkore po greqisht drejtuar ortodoksëve shqiptarë (më poshtë gjatë citimeve do t’i referohemi këtyre teksteve duke u shkurtuar titujt, përkatësisht: Evëtari, Parathënie, Jani Calit dhe Enciklika). Leximi i këtyre teksteve na paraqet një mendimtar të formuar tashmë dhe me synim të qartë për misionin që i ka vënë vetes: zgjimin dhe ndriçimin e kombit të tij.

Enis Sulstarova: Veqilharxhi, shkakun e prapambetjes së shqiptarëve, krahasuar me kombet e tjerë, e kërkon te pushtimet e shumta, ndryshimet politike dhe fetare që sollën ato

 Në përfytyrimin nacionalist, njerëzimi ndahet në kombe që janë secili të ndryshëm nga të tjerët, por me të drejta dhe aspirata të barabarta. Për veçimin e kombit shqiptar prej kombeve të përparuar të Evropës, Veqilharxhi çuditet se si “ne shqiptarët jemi kaqë të ndarë e të pangjajmë farëvet të tjera pa pasur fare të shkruar e të kënduar mbë gjuhën tënë. Si ka duruar kjo dora (fara) e Shqiptarit të jetë mbetur ndënë të qeshurit e botës huaj” (Parathënie). Pra, shqiptarët dallohen qartë prej kombeve të tjerë, por janë mbrapa atyre ngaqë nuk kanë të zhvilluar shkrimin e gjuhës amtare dhe, për pasojë, janë mbrapa edhe për sa i përket diturive, sepse “farët e çdo njerëzve mundohen pa reshtuar si të mundënjënë të ndërtojnë e të shtojnë gjuhën e tyre dhe të mësuarit” (po aty). Nipi i tij, Jani Cali, e akuzon Veqilharxhin se është duke shpikur një bashkësi njerëzore që nuk ekziston, ngase i duket e pamundur që myslimanë, ortodoksë e katolikë të lidhen në një ndërgjegje të përbashkët e të formojnë një njësi politike të vetme. Kundërargumenti që paraqet Veqilharxhi në këtë rast na ndihmon të kuptojmë konceptin e tij për natyrën e kombeve. Zoti, sipas tij, i ka krijuar njerëzit të pajisur me arsye. Njerëzit për të plotësuar nevojat e veta komunikojnë me njëri-tjetrin dhe me anë të komunikimit në një gjuhë të përbashkët, arrijnë një nivel të caktuar njësimi të mendimeve e të ndërgjegjes, duke formuar bashkësi njerëzore: “Këta vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta mund të lidhen e të bashkohen dhe të formojnë mbi tokë shoqëritë njerëzore të vogla dhe të mëdha: d.m.th. racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha” (Jani Calit). Kombet që nga lindja e tyre i nënshtrohen një procesi evoluimi të vazhdueshëm prej gjendjes së barbarisë drejt qytetërimit: “dhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot” (po aty). Veqilharxhi misionin e tij e kupton në frymën iluministe si të atij të ndriçimit mendor të kombit: “Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e kombit” (po aty).

Duke dashur të ruajë funksionin përbashkues të gjuhës shqipe prej të gjithave ndarjeve brendashqiptare, Veqilharxhi mendonte se alfabeti më i përshtatshëm do të ishte një me simbole origjinale që të dallohet nga alfabetet arabe, greke, cirilike apo latine në përdorim në Ballkan. Por abetarja është veçse fillimi. Siç rrëfen vetë, Veqilharxhi iu fut punës për të shkruar tekste në gjuhën shqipe, të cilat do të shërbenin për të hedhur bazat e arsimimit dhe shkollës shqipe. Me mësimin e shkrimit dhe leximit në gjuhën amtare, mundësohej jo vetëm përparimi individual, por edhe ai i kombit: “Fare lehtë mund secili të njohë lehsinë (lehtësinë) që ka çdo farë (komb, racë) e njerëzve të mësojnë të mësuarit mbi gjuhë të vet” (Parathënie). Shkollat në gjuhën amtare janë një domosdoshmëri e çdo programi nacionalist, sepse në to mësohet jo vetëm gjuha, por u jepet brezave të rinj ndërgjegjja kombëtare me anë të njohjes së historisë, gjeografisë dhe kulturës së kombit, apo siç i thotë Veqilharxhi të nipit, kombi shqiptar mëson për “shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij” (Jani Calit). Paralajmërimet e të nipit grekoman për të hequr dorë nga misioni i shqiptarisë nuk kishin kurrfarë ndikimi tek Veqilharxhi: “nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet” (Jani Calit).

Veqilharxhi, shkakun e prapambetjes së shqiptarëve, krahasuar me kombet e tjerë, e kërkon tek pushtimet e shumta, ndryshimet politike dhe fetare që sollën ato, por më të rëndësishmen ai quan moskultivimin e gjuhës dhe të kulturës kombëtare. Moskokëçarja me të cilën shqiptarët në shekuj kanë trajtuar çështjen e shkrimit të gjuhës së tyre dhe të arsimit i ka lënë ata mbrapa jo vetëm nga pikëpamja materiale, për shkak të privimit nga zhvillimet shkencore, por edhe nga pikëpamja e vetëdijes kombëtare. Veqilharxhi u jep lexuesve të qarkores argumentin se mungesa e vetëdijesimit kombëtar te shqiptarët ka bërë që ata të punojnë jo për vete, por për të mirën e kombeve të tjerë: “ato kombe që mbetën në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve, duke punuar çdo ditë për begatinë e kombeve më të qytetëruara dhe më të fuqishme” (Enciklika). Gjendja e mjeruar e kombit në fillimet e shek. XIX përballohej me optimizëm nga Veqilharxhi. Këtë optimizëm ai e bazonte edhe në njohuritë e historisë së kombeve të tjerë që ishin ringritur pas periudhave të tyre të errësirës. Ja si i shkruan ai të nipit: “Duket se nuk e ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njëri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky. Kur shikon përparimin e kombeve të tjera dhe gjendjen e kombit tonë shqiptar sot, mos vallë dëshpërohesh? Dhe përse? Cili Komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur, i lavdishëm?” ( Jani Calit).

Përgjithësisht, nga tekstet e tij kuptojmë se Veqilharxhi e konsideronte kombin shqiptar plot gjallëri e me virtyte që kishin bërë të mundur mbijetesën e tij në shekuj. Por për të shkuar më tej se sa mbijetesa, ajo që nevojitej sipas tij ishte një shtytës shpirtëror, një moral i ri udhëheqës për shqiptarët: vetëdija kombëtare. Arsyeja pse ai i mëshon kaq shumë arsimimit është sepse nëpërmjet tij do të fitohej morali kombëtar, do të përsoseshin cilësitë e shqiptarëve e mundi i tyre nuk do të shkonte dëm për të tjerët: “Shtrëngohi të mësoni e të shtoni (shtoni dijen) se është e ditur që frymët e Shqiptarëvet, veç që mendjen e kanë të hollë e të mprehtë nga të lerturit (lindja, natyra) e tyre, që mund pa frikë të them se, nukë vetëm arrijnë, po edhe shkojnë shumë farë njerëzve (kombeve) të tjerë” (Parathënie). Hendeku që i ndante shqiptarët nga kombet e tjerë të Evropës Perëndimore dukej shumë i madh, por Veqilharxhi nuk dëshpërohej “duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por bile duhet të mbushemi me hov dhe guxim” (Enciklika). Me entuziazëm iu përvesh ai idealit të shqiptarisë, si pak shqiptarë të kohës së tij, dhe ata që e patën frikë këtë entuziazëm e helmuan, por nuk mundën të helmojnë frymën e tij që i dha jetë Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …