Nazim Xhemshir Terziu (8.9.1977 - 28.9.1998)

Nazim Xhemshir Terziu (8.9.1977 – 28.9.1998)

Nazim Terziu lindi më 8 tetor të viti 1977, në fshatin e quajtur Sllatina e Lepencit. Kjo familje ashtu si edhe shumë familje të tjera shqiptare liridashëse, ishte e varfër ekonomikisht. Përveç kësaj familja Tërziu, për shkak të qëndresës dhe kundërshtimit që i kishte bërë pushtetit okupator ishte në shënjestër të regjimit dhe të përkrahësve të tij.
Shkollën fillore Nazimi e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Kaçanik. Kishte trup atleti dhe shquhej në sport. Së bashku me shokun e tij të pandashëm, Bashkim Vishi, merr pjesë në protestat gjithëpopullore që u zhvilluan në mars dhe në prill të vitit 1998, me moton Drenicë jemi me Ty. Shkëndijat çlirimtare të Drenicës heroike ishin shpërndarë gjithandej Kosovës, ndërsa gryka legjendare e Kaçanikut i ftonte bijtë dhe bijat për të bashkuar armët me çlirimtarët e Adem Jasharit.
Në pranverë të vitit 1998, Nazim Terziu së bashku me Bashikim Vishin kontaktojnë me luftëtarët e lirisë. Më 15 maj inkudrohen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pikën e Jezercit ku ishin edhe shumë luftëtarë të tjerë nga Kaçaniku dhe fshatrat e Malësisë. Bashkimi edhe pse i ri, shquhej për guxim dhe mllef kundër forcave okupatore që kishin kryer masakra në shumë vende të Kosovës.
Duke qenë se radhët e UÇK-së shtoheshin me shpejtësi të madhe, Nazimi me disa bashkëluftëtarë më 18 korrik të vitit 1998 niset për në Shqipëri për të marrë armë dhe municion.
Fillimisht vendoset në Qendrën stërvitore të Tropojës. Atje së bashku me qindra luftëtarë të tjerë kryen me sukses stërvitjet ushtarake. Pas gjashtë javë qëndrimi në Tropojë Nazim Terziu së bashku me Bashkim Vishin dhe me bashkëluftëtarët e tij merr rugën e kthimit për në zonë. Ai furnizohet me armatim për vete dhe armatim rezervë, ashtu sikurse obligoheshin të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të shtatorit të vitit 1998, Nazim Terziu kthehet në bazë, në Zonën Operative të Neredimes. Asokohe sistemohet në pikën Dy në lagjen e quajtur Prorok të fshatit Jezerc, ku ishte edhe bashkëluftëtari dhe shoku i tij i ngushtë Bashkim Vishi. Nazimi shoqërohej sidomos me lufëtarët Selman Topalli, Azem Dalloshi, Kemajl Kolshi, Bajram Sylejmani, Gursel Sylejmani, Kemajl Hetemi e të tjerë.
Më 26 shtator të vitit forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmarrin një ofensivë shkatrrimtare me qëllim për ta shuar rezistencën e trimave dhe të trimëreshave të lirisë të Zonës së Neredimes. Forca armike kishte vënë nën rrethim të hekurt sidomos zonën e Jezercit. Serbët sulmojnë me të gjitha armët, me topa kalibrash të mëdhenj, me raketahedhës, raketa të tipit tokë-tokë, raketa kaqushë e armë të tjera artilerike. Ata kishin sulmuar nga pozicionet e tyre në Neredime, Greme, Zaskok, Pleshinë, Zhupë e Siriniqit pas shpine nga Kodra e Gështenjave të Shtimes si dhe nga Budakova, ku forcat serbe kishin depërtuar ditë më parë.
Dy ditët e para luftimet ishin zhvilluar nga distanca, meqë armiku pretendonte ta spastronte terrenin. Më 27 shtator forcat serbe nga drejtimi i Neredimes kishin filluar depërtimin me këmbësori. Rezitencë e fuqishme zhvillohej kudo në pikat qëndrestare të luftëtarëve të lirisë.
Më 28 shtator 1998, në ditën e tretë të luftimeve të pandërprera dhe intensive, Nazim Terziu kishte detyrë t’iu dërgonte bukën bashkëluftëtarëve nëpër pikat e frontit, meqë kishin tri ditë pa ngrënë. Hapërimin duhej ta bënte nën breshërinë e predhave të armikur. Sapo afrohet te Pika 2 merr lajmin se në fushën e nderit kishte rënë bashkëluftëtari dhe shoku i tij i idealeve çlirimtare Bashim Vishi, ndërsa ishte plagosur rëndë luftëtari Islam Hasaj. Nazimi mobilizon të gjitha forcat duke bërë përpjekje për ta tërhequr kufomën e Bashkimit. Meqë forcat serbe kishin identifikuar vendin ku ndodheshin luftëtarët e lirisë, intensifikojnë sulmin pikërisht në vendin ku Nazimi me disa bashkëluftëtarë po bënte përpjekje për të depërtuar, me qëllim për të mos e lënë kufomën e shokut në duar të forcave armike. Në një çast breshëria e zjarrit të armës së armikut e godet dhe Nazimi bie heroikisht në altarin e atdheut. Po atë ditë në pikën dhe në pikat e tjera luftarake përballë forcave armike bien edhe Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Lulëzim Guta, Salih Baliu dhe Arsim Zeqiri. Edhe forcat okupatore kishin pësuar humbje të mëdha në njerëz. Tre policë serbë kishin mbetur të vrarë në vendin e quajtur te Livadhet. Disa të tjerë ishin tërhequr të plagosur.
Kufomat e Nazimit dhe Bashkimit kishin mbetur në pikat, të cilat për disa javë i mbajtën nën kontroll forcat serbe. Afër një muaj më vonë më 24 tetor 1998, bashkëluftëtarë i tërheqin kufomat e këtyre dy dëshmorëve të kombit dhe fillimisht i varrosin në fshatin Jezerc. Pas luftës, bashkëluftëtarët trupin e Nazimit e varrosin në varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.
Pas luftës, familja e Nazim Terziut ka marrë mirënjohjet e meritura nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Ministra e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga asociacione të tjera të dala nga lufta çlirimtare.
Për jetën dhe veprën e dëshmori ka shkruar eprori i UÇK-TMK-së Hajrush Kurtaj në librin Shungullon Gryka e Kaçanikut. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …