Nazmi Brahim Gashi (6.1.1977 - 29.8.1998)

Nazmi Brahim Gashi (6.1.1977 – 29.8.1998)

Më 1 qershor të vitit 1977, prindërve Brahim e Kumrie Gashi nga fshati Vojnik i komunës së Skënderajt u lind i gjashti fëmijë, të cilin e pagëzojnë Nazmi. Ata sikur kishin parandi se duhej rritur fëmijë edhe për nevojat e atdheut, prandaj votrës së tyre i kishin dhënë gjallëri bijtë e binjat: Ferimi, Rrahimi, Jahiri, Istrefi, Safeti, Nazmiu, Gjylfidanja e Naxhia.
Dëshmori Nazmi Gashi kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes, kurse shkollën e mesme, në fshatin e afërt Turiçec. Si tërë brezi i tij, edhe ai e kryen shkollimin e mesëm në kushte të rënda të shtëpive të improvizuara private, për shkak të përndjekjes policore kundër shkollës shqipe. Ndonëse nën peshën e robërisë kolektive, Nazmiu lëshon shtat dhe merr tiparet fizike të sportistit, me trup të zhvilluar e të shkathtë. Ai bëhet një djalosh i formuar, me sjellje dashamirësie e respekti për të afërmit dhe gjithë njerëzit.
Aksionet e para të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare kundër forcave serbe në trevën e Skënderajt e të Drenicës, të cilat në pjesën e dytë të vitit 1997 pothuajse u bënë të përditshme, tërhoqën vëmendjen e të riut vojnikas, Nazmi Gashi. Këto aksione, për të ishin momente frymëzuese që kultivonin ndjenjën e sakrificës e të gatishmërisë për t’i dalur zot atdheut të robëruar. Dalëngadalë ai po bindej se e vetmja rrugë për ta shporrur pushtetin serb të hurit e të litarit nga Kosova, ishte ajo e luftës së armatosur dhe ky mision kërkonte një ushtri kombëtare, e cila tashmë kishte zënë fill dhe po formësohej me shpejtësi të duhur. Kjo ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me në ballë, Komandantin Legjendar Adem Jashari, e cila te Nazmiu do të gjejë pjesëtarin e devotshëm të radhëve të saj.
Meqenëse në fshatin Vojnikë ishte formuar dhe po vepronte bërthama e njësitit të UÇK-së, në nëntor të vitit 1997 dëshmori Nazmi Gashi bëhet pjesë e kësaj bërthame, përmes komandantit të njësitit, dëshmorit të kombit Abedin Rexha-Sandokani. Në këtë kohë ai ngarkohet me detyrën për të përcjellur lëvizjen e patrullave të policisë serbe, si dhe gjendjen e sigurisë në qytetin dhe komunën e Skënderajt. Këtë detyrë vazhdon ta kryejë me përkushtim në muajt vijues.
Nëntori 1997 ishte muaj i kthesës për historinë e Kosovës dhe lirinë e saj. Brenda këtij muaji ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat shënuan rrjedhën e mëtejshme të historisë së rezistencës kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe ato ishin beteja e parë frontale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave policore serbe, më 26 nëntor në Llaushë dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy ditë më vonë me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci, po ashtu në Llaushë. Këto dy ngjarje kishin domëthënie të madhe edhe për Nazmiun, për faktin sepse po hapej një etapë e re e organizimit dhe masivizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse lufta kundër pushtuesit po hynte në një fazë të pakthyeshme.
Dy muaj pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcat serbe bënë një masakër të rëndë në Likoshan të Drenicës, në shenjë hakmarrjeje për humbjen që pësoi aksioni i UÇK-së kundër saj. Nazmiu mori pjesë në ceremoninë mortore me rastin e vorrimit të viktimave të kësaj masakre. Tashmë ai bënte jetë ilegale, pasi pak kohë më parë policia serbe kishte bërë përpjekje për ta arrestuar në Skënderaj, por pa sukses.
Pas sulmit të forcave pushtuese serbe kundër Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Jasharëve në Prekaz, dëshmori Nazmi Gashi, aktivitetin e vet ushtarak e ngrit në nivel edhe më të lartë. Vjen duke u zgjeruar edhe rrethi i bashkëluftëtarëve të tij. Së shpejti vë bashkëpunimin e ngushtë edhe me dajën e tij, dëshmorin Shaban Salihaj nga Shushica e Poshtme e Burimit, i cili që prej kohësh kishte rënë në konflikt me policinë serbe dhe ishte bërë i frikshëm për të. Nazmiu e Shabani marrin përsipër detyrën për shtrirjen e organizimit të UÇK-së në pjesën perëndimore të Drenicës, përkatësisht në trevën që kufizohej me komunën e Burimit. Ata ndihmoheshin edhe nga luftëtari Ilir Çallapeku, i cili më vonë veproi në kuadër të njësitit special të UÇK-së në zonën e Drenicës.
Në pranverë të vitit 1998, në zonën e Drenicës u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe. Në përputhje me intensitetin e këtyre luftimeve vepron edhe Nazmiu me bashkëluftëtarët, duke sulmuar armikun, në vendin dhe momentin e papritur. Cak i sulmeve të tilla ishte bërë stacioni famëkeq i policisë serbe në Kodrën e Runikut. Aktivitetin e tij luftarak, Nazmiu e kryen në kuadrin e Pikës Ushtarake të UÇK-së, e quajtur Pika e Hotit, që gjendej ndërmjet fshatrave Ozdrim dhe Binxhë. Këtë pikë ushtarake e përbënin edhe luftëtarët Shefqet Musliu, Xhevdet Haliti, Vilson Kita, Jahir Gashi (vëllai i Nazmiut) e ushtarë të tjerë. Ndërkohë, në këtë zonë vepronin edhe pikat e tjera të afërta ushtarake, siç ishin Pika e Bagremit, Pika e Kamberajve, Pika e Raganit, Pika e Zallit e të tjera.
Përveç Nazmiut, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kontributin e tyre ushtarak e dhanë edhe vëllezërit e tij, Jahiri dhe Rrahimi. Jahiri kishte marrë plagë në Pikën e Hotit.
Dëshmori Nazmi Gashi angazhohet edhe në furnizimin e ushtarëve të rinj me armatim. Për këtë qëllim, në muajin korrik të vitit 1998, ai së bashku me Shaban Salihaj arrin të shkojë dy herë në Shqipëri. Armatimin e sjellur nga Shqipëria, përmes zonës së Dukagjinit, e cila po ashtu ishte e përfshirë nga flakët e luftës, ata e bartin nga Shushica e Poshtme në Vojnikë e prej atje për në Likoc e në zonën e Shalës, ku nevoja për armati ishte e madhe.
Nazmiu bënte ecejake të shpeshta për në Shushicë të Poshtme, ku vepronte daja i tij Shabani, pasi kishin marrë përsipër t’i organizonin veprimet ushtarake edhe në këtë trevë. Më 27 gusht të vitit 1998, ai sërish shkon në Shushicë, në shoqërim të Shabanit e të djalit të tij, Hysenit. Mirëpo, natën ndërmjet 27 e 28 gushtit, forca të shumta serbe e rrethojnë shtëpinë e dajave të Nazmiut, por edhe të tërë lagjes Salihaj në Shushicë të Poshtme, me qëllim të kapjes dhe asgjësimit të Shabanit, por edhe të vëllezërve e të djemve të tij. Në orën 5 të 28 gushtit, fillon sulmi kundër të rrethuarve, në mesin e të cilëve ishte edhe Nazmiu. Me shpejtësi fillon edhe kundërsulmi nga i zoti i shtëpisë, Isë Salihaj, gjyshi i Nazmiut dhe nga djemtë e nipat e tij. Zjarri i dyanshëm vazhdon disa orë rresht. Mundësitë për të çarë rrethimin ishin të vogla, kurse armatimi sa vinte e pakësohej. Në betejë e sipër e të papërkulur, në ato orë të zjarrta mëngjesi, në fushën e nderit bien: Nazmi Gashi, Isë Salihaj, dajat e Nazmiut, Shabani, Milaimi e Abedini, bijtë e Shabanit, Arbeni, Hysniu e Arbeni dhe nëna e tyre Fatimja.
Më 29 gusht, të rënët e një dite më parë u varrosën në cepin e livadhit në afërsi të shtëpisë së dajave të dëshmorit Nazmi Gashi.
Sot, pranë rrugës automobilistike, në Shushicë të Poshtme qëndron i lartësuar lapidari i mermertë i nëntë dëshmorëve të rënë më 28 gusht 1998 në familjen Salihaj. Në të është gdhendur edhe emri i dëshmorit Nazmi Gashi, i cili bie në krye të misionit të shenjtë për shtrirjen e forcës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe atje ku ende nuk ishin organizuar celulat e kësaj ushtrie, me qëllim të shporrjes së pushtuesit serb nga tërë Kosova. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …