leoni

Nazmi Haki Hasani (16.4.1979 - 27.5.1999)

Nazmi Haki Hasani (16.4.1979 – 27.5.1999)

Menjëherë pas rënies së dëshmorit të kombit Bekim Abdullah Sylka prej Rahaveci, forcat paramilitare, policore e ushtarake serbe, duke kujtuar se tashmë e kishin dezorientuar Brigadën 124 “Gani Paçarizi” e cila vepronte me një batalion shumë afër Rahavecit, më 26 maj 1999 pothuajse gjatë tërë ditës qëndronin nëpër pozicionet e veta në “Arat e Dervish Hamzës”, jo larg “Rrihjeve” të Rahavecit e të mbështetur me zjarr nga ana e Hoçës së Madhe ku ishin stacionuar paramilitarët e Sheshelit dhe shumë civilë serbë të armatosur deri në dhëmbë. Kjo “heshtje” e forcave serbe përcillej mirë e me shumë konsekuencë nga grupi për vëzhgim e përgjim i kësaj brigade dhe ky formacion qe afruar shumë kah harku i zjarrit në drejtim të qytetit të Rahavecit deri te “Liqeni i Bllatës” dhe “Tumba e Hamzagës”, prandaj informimi ishte aq i detajuar sa që çdo plan i hartuar nga paramilitarët ishte i qartë për njësitet e brigadave që gjendeshin përreth aksit të magjistrales Prizren-Gjakovë e rajonales Rahavec-Therandë. Sipas vlerësimeve të situatës në terren me të cilën dominonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, konkretisht Zona Operative e Pashtrikut, granatimet prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Lugjeve”, “Parakatundeve” dhe “Pisjakut”, përkatësisht Brestosit, Hoçës së Vogël, Nagacit e Celinës do të fillonin në orët e hershme të mëgjesit të datës 27 maj të vitit 1999, ditë e premte. Pretendimi i forcave serbe konsistonte në dëbimin e luftëtarëve të lirisë që gjendeshin nëpër Malet e Hamocit e të Rrapishtës deri në Grykën e Bërnjakës e që nuk ishin larg aksit Xërxë-Rahavec, të cilin e shfrytëzonin serbët.
Atë mëngjes dridhej toka në Frontin e Hamoceve dhe kah mesdita u pa qartë se serbët u tërhoqën dhe se luftëtarët e lirisë mbanin pozicionet në drejtim të Samadraxhës dhe të Celinës.
Mirëpo gjatë avancimit kah Hoça e Vogël përjetësohet dëshmori i kombit Sadedin Bajram Hajda, i vëllai i Xhelal Hajës-Tonit, e në Hoçë të Vogël plagoset rëndë dhe merr përjetësinë Mexhit Myrtezan Mustafa dhe kështu Batalioni i Rahavecit, në fund të majit mbetet pa tre luftëtarë të lirisë. Granatimet vazhdojnë por, pasdreke caku i sulmeve për pastrimin e terrenit bëhet Qëndresa heroike, luftëtarët e të cilës qenë barikaduar me istikame të përgatitura për një qëndresë të pathyeshme. Kështu në luftimet e pasditës, kah ora 15.00 në istikamet e përmendura përjetësohet edhe luftëtari i lirisë Nazmi Haki Hasani, ndërsa plagosen rëndë Manush Berisha i Krushës së Vogël e Agron Bytyçi i Prizrenit. Të dy kalojnë në përjetësi e plagëve të 27 majit në Qëndresë u mbijetoi vetëm i plagosuri Sahit Haradinaj i fshatit Qëndresë, por forcat serbe as nuk iu afruan fshatit. U shpartalluan që në hyrje, pa e braktisur Krushën e Vogël të cilën e kishin masakruar, shkatërruar dhe djegur tërësisht që në fundmars.
Dëshmori i kombit Nazmi Haki Hasani është i lindur më 16 prill të vitit 1979 në fshatin Qëndresë. I biri i Sevdisë, bijë e Morinëve të Franjakës së Anadrinit, pinjoll i derës së Hasanajve të përgatitur për t’i dalë përballë çdo pushtuesi, kushërir shumë i afërm i veprimtarit dhe Komandantit të Parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasanit, shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e përfundoi në fshatin Piranë ku gravitonin disa fshatra të Anadrinit. I ati, Haki Hasani, kishte dëshirë që t’i shkollonte të bijtë: Luljetën, Samiun, Arjetën, Avniun dhe Nazmiun, prandaj edhe i regjistron në Gjimnazin e Rahavecit, paralelja e ndarë në Krushë të Madhe, por Nazmiu nuk e mbaroi pasi që herët u angazhua në Grupin e Nait Hasanit të cilin e sajonin “Djemtë e Qëndresës”. Gjendej në krye të çdo organizimi të manifestimeve kundër dhunës serbe dhe ndiqet prej “Treshit të Zi” policor të cilin e përbënin: Jugi, Shole dhe Sula që në saje të politikës së durimit dhe të qetësisë së proklamuar qenë shndërruar në tmerr e trishtim jo vetëm në Qëndresë por edhe në fshatrat përreth. Ndjekja nuk e ndalte Nazmi Hasanin, sipas të cilit, me burgosjen e kushëririt, Nahitit, aktivitetet duhej të vazhdoheshin, në Piranë nëpërmjet Xhavit Elshanit e kah Krusha e Madhe, nëpërmjet profesor Muhamet Malësorit e në Krushë të Vogël nëpërmjet Sokol Hazirit. Dhe kështu vetëm në saje të aktiviteteve të këtyre djelmoshave të cilëve u prinin intelektualët e mëdhenj të Anadrinit, sot dëshmorë të kombit, asnjëherë nuk ndalet lëvizja gjithëpopullore kundër okupatorit serb dhe lufta për sendërtimin e idealeve kombëtare. Kjo lëvizje anembanë Anadrinit, prej janarit të vitit 1990 e deri më 26 prill të vitit 1998, ishte mjaft masovike dhe me një shtrirje dinamike. Ngjarjet e viteve 1990, veçanërisht rënia e dëshmorëve të parë të Anadrinit te “Laku i Dëshmorëve”, në Brestos u bënë imperative se shumëçka duhej të ndryshonte në skenën shqiptare, veçanërisht në Kosovë e këtë barrë e bartën mbi supe edhe Hasanajt e Qëndresës. Më 26 prill të vitit 1998, jo larg vendlindjes së Nazmi Hasanit, në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, në segmentin Piranë-Krushë e Vogël, u thërmua patrualla e parë policore–mobile, kurse vendosmëria e pjesëmarrësve në këtë aksion gueril i entuziasmoi djelmoshat e Krushës së Vogël, Krushës së Madhe, Piranës dhe Qëndresës, prandaj edhe fillon organizimi i grupit të parë të armatosur të cilin e sajonin: Kurtish, Nazmiu, Afrimi, Neziri, Selajdin dhe Arton Hasani së bashku me Shaip Rexhepin, Shefqet Bajramin, Xhavit Elshanin, Mensur Zyberajn, Sokol e Agron Limanin, Manush Berishën, Mustafë Bajraktarin, Ilir Popajn, Afrim Popajn, Afrim Hajredinin, Afrim Mustafën, Luan Feratin e Rexhep Krasniqin dhe grupi evuloi në një kompani shumë të fortë e cila do të veprojë sa në kuadër të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” Rahavecit aq edhe të asaj 125 të Prizrenit e 126 të Hasit. Prej fshatit Qëndresë, zë të zhvillohej një logjistikë funksionale falë gjendjes së mirë materiale dhe aftësive organizative të grupit të parë të armatosur. Prandaj, së këtejmi fillon edhe armatimi i fshatit që të mbrohet prej kujtdo që cënonte dinjitetin e këtij populli.
Pozicioni i shtëpisë së Nazmi Hasanit ishte shumë i përshtatshëm për përcjelljen e aktiviteteve të forcave serbe në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë dhe kështu kjo shtëpi shumë shpejt u shndërrua në një shtab lokal ku bëhej organizimi dhe sistemimi i formave të rezistencës së armatosur, veçanërisht pas 26 prillit të vitit 1998 kur krisi pushka te “Përroni i Keq”, kur luftëtarët e fshatit Qëndresë patën rastin t’i shohin luftëtarët emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm që atë ditë dolën triumfues kundër kolonës policore serbe. Nazmi Hasani me një grup shokësh braktis Qëndresën dhe u bashkohet luftëtarëve të lirisë në fshatin Drenaj të Anadrinit për t’i bërë ushtrimet e para te Mensur Zyberaj, Xhemë Gashi e Ilir Popaj.
Betejat e Anadrinit më 12 maj në Bardhatin e Franjakë, më 14 maj në “Qafën e Gardhishtit”, më 6 qershor në Drinas, më 19 qershor në Kromnik, më 17 korrik në Rahavec, Fortesë, Reti e Apterrush impononin nevojën e përshpejtimit me furnizim e shtrirje, prandaj Nazmi Hasani kthehet në formacionin-amë në Qëndresë dhe qëndron në krye të “Djemve të Qëndresës”. Pas reorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nazmi së bashku me gjithë luftëtarët e lirisë nga ky fshat i bashkohet Batalionit të Xhelal Hajdës-Tonit dhe të gjithë vendosen në fshatin Reti, jo larg Qëndresës ku shkëlqen me aktivitetete luftarake guerile e frontale përreth “Maleve Ujare”, kurse me rastin e granatimit të forcave serbe prej “Megjakut” të Landavicës mbi Qëndresë, më 25 e 26 shkurt të vitit 1999 kur edhe përjetësohet Abdyl Pajaziti, dëshmori i parë i Qëndresës, Nazmiu ndikon në përshpejtimin dhe masovizimin edhe më të madh të fshatit, tashmë të gatshëm për hapa të rinj të luftëtarëve të Adem Jasharit. Vetëm pas një muaji, mbi Qëndresë, pas masakrave mbi Krushën e Vogël, mbi Landavicën, mbi Piranën, mbi Krushën e Madhe, mbi Fortesën e mbi Celinën, hordhitë e egra barbare të prirë prej “Treshit të Zi” shumë të njohur për Anadrinin e veçanërisht për Qëndresën, edhe një herë vërsulen kah krahu perëndimor i fshatit dhe kështu zhvillohen luftimet në “Bajdolla” e “Gërçilla” kur Nazmiut i përjetësohen Osmani, Lulëzimi, Fetahu e Nuhi Rexhepi, por edhe pas këtij “termeti” nuk ra Qëndresa, nuk ra Anadrini, kurse Nazmi Hasani, si një vullkan shpërthen në krye të bregut të Mileskës. Ditët e fundmajit, veçanërisht e tërë java e fundit për Qëndresën, Retinë, Hoçën e Vogël, Brestosin, Nagacin, Krushën e Madhe, Krushën e Vogël, Piranën, Zojzin, Retinë e Ulët, Apterrushin, Zojzin dhe Medvecin u bënë ditët vendimtare. Më 27 maj krahas granatimeve mbi “Hamocet” e Rahavecit, mbi “Pisjakun” e Celinës, kah Vneshti (ish-Samadraxha e Therandës) e kah Parakatundet e Hoçës së Vogël granatohen edhe pozicionet e pathyeshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Qëndresë dhe po atë ditë pas përjetësimit të Sadedin Hajdës te “Pajata e Pashës”, të Xhevdet Krasniqit e të Milaim Morinës te “Pajatat e Mullabazëve”, të Mexhit Mustafës te “Loma e Xhepë Veselit” në Hoçë të Vogël, të Valon Myrtajt, Demir Demirajt, Arif Gashit, Bujar Thaçit, Jeton Kabashit, Besnik Përzhakut, Hysen Hotit, Ismet Kodrës, Nehat e Ruzhdi Jupës, Omer Gegës, Sinan e Avni Hodajt, në istikamet e pamposhtura të Qëndresës në “Zabelin e Salajve”, ndërsa Nazmi Hasani vizitonte dhe shpërndante materiale logjistike nëpër transhe, një predhë e godet dhe përjetësohet pas një plage shumë të rëndë, kurse Nazmiu më shumë interesohej për gjendjen e dy të plaagosurve të tjerë, Manush Berishës dhe Agron Bytyçit se sa për vete. Por pas Nazmiut Brigada 124 “Gani Paçarizi” mbetet edhe pa Manushin e Agronin, kurse me përfundimin e “Betejës së Mileskës” edhe pa Bedri Berishën, pa Kurtish Hasanin, pa Habib e Ismail Gashin e pa Mensur Zyberajn e me 3 të plagosur, por forcat serbe u thërrmuan dhe u shkatërruan totalisht me sulmet e rrufeshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fitorja e kësaj ushtrie të lavdishme shënon edhe fundin e aktiviteteve luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” dhe të Zonës Operative të Pashtrikut në frontin e Samadraxhës, të Celinës, të Rahavecit të Qëndresës e të Gurrazhubit dhe turpin e ushtrisë së dehur e të çmendur serbe pjesëtarët e të cilës duke qenë të pafuqishëm ndaj uraganëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hakmerreshin mbi popullatën civile duke vrarë edhe fëmijë, gra e pleq.
Sot, Nazmi Haki Hasani prehet në “Kopshtin e Dëshmorëve” të fshatit Qëndresë pranë bashkëluftëtarëve e nën hijet e një rrezine të bukur të cilës ia shton madhështinë lapidari i madh që ruan emrat e dëshmorëve të të gjitha betejave në Qëndresë e përreth fshatit të rezistencës heroike, të cilit liria e Kosovës i kushtoi me rreth 20 dëshmorë e shumë viktima qytetarësh të pafajshëm, madje edhe pleq, gra e fëmijë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Fshati Kopiliq i Drenicës është fshat i njohur i historisë shqiptare. Aty ka lindur dhe …